Ndalohet për zjarrvënie, kërkohej si posedues i parcelës me Cannabis
Forcat e policisë kanë ndaluar 23-vjeçarin Armand Hyseni, lindur dhe banues në fshatin Kodër të Tepelenës. Ndalimi i tij u bë për arsye se në fshatin Kodër, në tokën e mbjellë me ullinj, pronë e banorit me inicialet K. SH., ka rënë zjarr, i cili ka përfshirë edhe ullinjtë. Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri ishte rreth një hektar, e mbjellë me pemë ullinj, të cilët janë përcëlluar nga zjarri, por pas ndërhyrjes së banorëve të fshatit, të repartit zjarrfikës dhe të forcave të policisë, zjarri është vënë nën kontroll dhe është shuar plotësisht. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Armand Hyseni dyshohet se është autor i kësaj ngjarje. Madje ka qenë po ky person i cili ka debatuar me djalin e të dëmtuarit, duke e kërcënuar për jetë, pasi ai e akuzonte se kishte vënë zjarre në mal, por edhe për një sasi rrënjësh bimë narkotike Cannabis sattiva, të cilat janë shkatërruar nga policia në fshatin Kodër para disa ditësh. “Armand Hyseni dyshohet se është autor i ngjarjes së datës 29.08.2009, ku në fshatin Kodër të Tepelenës janë prerë nga policia dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 105 rrënjë bimë narkotike të llojit Cannabis sattiva”, -thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Gjirokastër.
Tiranë
Ndalohet 23-vjeçari, akuzohej për disa grabitje
Një 23-vjeçar i akuzuar për një sërë vjedhjesh me dhunë ka rënë në prangat e policisë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, kryen ndalimin e 23-vjeçarit Viktor Vezi, 23 - vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ndalimi i tij u krye sepse dyshohet se në bashkëpunim me 19-vjeçarin Shaban Miftari, dhe 17-vjeçarin, E. Gj, të cilët tashmë ndodhen të arrestuar, dyshohet se kanë realizuar një sërë vjedhjesh me dhunë, në periudha të ndryshme kohore në Paskuqan. Në datë 18 dhe 24 gusht dyshohet se në Paskuqan kanë vjedhur banesën e një shtetaseje dhe automjetin tip “Ford Fiesta”.
Durrës
Kamioni rezulton i vjedhur jashtë shtetit, arrestohet pronari
Policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 35-vjeçarin Kursim Marku, lindur në Kariç të Matit dhe banues në Fushë-Krujë. Sipas të dhënave policore, procedimi penal ndaj tij ka filluar për arsye se automjeti i tij tip kamion Fiat Iveko me targa KR-7780-A, në bazë të verifikimeve të bëra në sistemin ASF2 të Interpolit, ka rezultuar i vjedhur. Policia organizoi punën për gjetjen e mjetit në Fushë-Krujë dhe e bllokoi menjëherë atë, e cila në ato momente gjendej në banesën e Kursim Markut, i cili edhe figuronte si pronar i saj. U kryen veprimet e para procedurale dhe materialet iu kaluan prokurorisë së Krujës.
Lushnjë
Helmohen nga ushqimi, vdes gruaja, i shoqi rëndë në spital
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Çermë të Lushnjës, ku një çift rezultoi i helmuar nga ushqimi. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se Beje Hida, 65 vjeç, ka humbur jetën pasi dyshohet të jetë helmuar nga ushqimi, ndërsa bashkëshorti i saj, Ramazan Hida ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacionin e spitalit të qytetit. Ekspertët po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme se nga se mund të jetë shkaktuar ky helmim, e nga të dhënat e para rezulton se shkak i vdekjes së të moshuarës ka qenë konsumimi i pijeve freskuese, ndërsa materialet e para i kanë kaluar prokurorisë.
Tiranë
Sërish tërmete në Gjirokastër dhe Sarandë
Vijon vala e lëkundjeve sizmike në Shqipëri. Dy tërmete të tjerë janë regjistruar gjatë natës së shkuar në Jug të vendit. Sizmologët konfirmuan dje se një tërmet ka lëkundur nëntokën e Gjirokastrës dhe një tjetër atë të Sarandës, përkatësisht me magnitudë 4.4 ballë dhe 3.9 ballë të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmeteve, sipas Institutit Sizmologjik, ishte në Piqeras dhe në Finiq, ndërsa fuqia e lëkundjeve është ndjerë deri në Tepelenë dhe Përmet. Nuk ka të dhëna për dëme materiale dhe në njerëz. Pak ditë më parë, tërmete të fuqishme u regjistruan në verilindje të Shqipërisë, në zonën e Dibrës.
19 Shtator 2009