Arrestohet "vrasësi" i homoseksualit
Sefedin Hoxha, 36 vjeç, dyshohet të jetë një homofob, ndërsa policia thotë se është i sëmurë mendor
I ndaluari është nga Kosova dhe është kapur në tentativë për t'u larguar nga kryeqyteti
TIRANE- Një ditë pas vrasjes makabre me thikë në fyt të homoseksualit Petrit Muça, policia ka identifikuar dhe ka arrestuar autorin e krimit të rëndë dje në orët e vona të mbrëmjes.
Ai është Sefedin Hoxha, 36 vjeç, nga fshati Dragash i Kosovës, ndërsa policia dyshon se ai është person me probleme mendore, ndërsa ende nuk është e qartë nëse autori e ka kryer krimin për motive homofobie apo për shkak tjetër.
Arrestimi i tij është pohuar për gazetën "Shekulli", nga burime të Zyrës së Hetimit të Vrasjeve të cilët pohuan se zbulimi i autorësisë dhe arrestimi është kryer nga Komisariati i Policisë nr.1 në kryeqytet.
Të njëjtat burime pohuan se arrestimi i 36 vjeçarit Kosovar është kryer në momentet që ai po përgatitej të nisej në drejtim të Kosovës, për t'i shpëtuar arrestimit të policisë shqiptare për krimin e kryer një natë përpara arrestimit. Dyshimet e policisë mbi këtë person kanë rënë për shkak se nga dëshmitë e marra personave të tjerë që shoqëroheshin me viktimën ai ishte i fundit që ishte parë të qëndronte me Petrit Muçën.
Autori i krimit mësohet se është kërkuar nga efektivët e policisë gjatë gjithë natës së të shtunës duke u gdhirë dita e djeshme. Kjo pasi sipas hetuesve ai ishte i vetmi person që mungonte në grupin e atyre që shoqëroheshin me viktimën.
Kërkimet kanë vazhduar gjatë gjithë natës dhe në komisariat dhe në drejtorinë e Policisë janë shoqëruar të gjithë personat që sipas burimeve merren me ushtrim prostitucioni në zonën pranë Pallatit të Kulturës.
Pasditen e djeshme policia ka shoqëruar Sefedin Hoxhën në cilësinë e personit të dyshuar ndërsa rreth mesnatës së djeshme ai është arrestuar nga policia me akuzën e vrasjes.
Burimet pohuan se ai vetë ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa në rroba i janë gjetur mbetje biologjike si gjak që mendohet se i përket viktimës, si dhe prova të tjera që janë dërguar për ekzaminim.
Ekspertët kanë administruar edhe gjurmët e duarve të tij, për të kryer krahasimet e tjera të nevojshme. Rreth mesnatës së djeshme duke gdhirë dita e sotme oficerët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve i kanë komunikuar të dyshuarit edhe arrestimin me akuzën e vrasjes.
Rrëfimi i të dashurit të tranvestitit të vrarë për momentet e fundit të tyre dhe shoqëria me kosovarin e dyshimtë
I dashuri i "Kristinës": Jam i tronditur nga ngjarja se e doja
TIRANE- Altin A... 23 vjeç, nga Vlora, i cili banon rrugëve banon rrugëve dhe lulishteve të kryeqytetit është i dashuri i tranvestitit të vrarë dy netë më parë në rrugën "Abdi Toptani", në ambientet e braktisura të ish- hotel "Drinit".
Ai ka pranuar të tregojë momentet e fundit të tij, me të dashurën e tij Kristinën siç njihej ndryshe homoseksuali 35 vjeçar Petrit Muça i vrarë dy ditë më parë përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Me të sipas Altinit, ai bashkëjetonte që prej më tepër se pesë muajsh kur ishin njohur.
Ai tregon se momenti i fundit kur ai ka parë Kristinën, ka qenë ulur në një nga stolat që ndodhen në lulishten e Bibliotekës Kombëtare, me një person që ata e thërrisnin kosovari, por që emrin nuk ia mban mend.
Më tej ai shton se kur është kthyer nga kafja dhe po qëndronte në një nga stolat përballë bulevardit "Luigj Gurakuqi", një shok i tij i ka treguar për ngjarjen, ndërsa më pas e kanë shoqëruar në komisariatin nr.1 të policisë në kryeqytet.
Altin Sa kohë kishit që jetonit me Kristinën (Petrit)?
Kisha më tepër se pesë muaj që isha njohur me të. Që prej kësaj kohe ne kemi bashkëjetuar dhe kemi qëndruar me pjesën tjetër të grupit. Për gjatë kësaj kohe kemi qëndruar dhe flinim në lulishte kryesisht te ajo përballë Parlamentit dhe tek kjo këtu përballë Bibliotekës.
Kohët e fundit një shoqe (transeksual), e Kristinës Brikeni, gjeti një shtëpi dhe aty ne qëndronim vazhdimisht për të fjetur. Por kur binte shi i gjithë hynte në shtëpi.
Si ndodhi ngjarja e mbrëmshme (të shtunën)?
Ajo që ndodhi më ka tronditur shumë sepse ne duheshim. Unë isha në një stol atje lart, pranë bustit dhe po qëndroja aty.
Kristina ishte ulur këtu tek një stol dhe po qëndronte me një person aty. Unë u afrova i kërkova dy mijë lekë dhe i thashë se po shkoja të pija një kafe tek një lokal 24 orësh. Ajo mi dha dhe unë ika. Kur u ktheva se pashë Kristinën aty. Më vonë erdhi Emi, një shok, dhe më pyeti nëse e kisha marrë vesh ç'kishte ndodhur. Jo,- i thashë unë.
Më pas erdhi policia dhe më mori mua bashkë me shoqet dhe shokët dhe na dërguan në komisariat. Atje qëndruam deri sot në mëngjes. Na pyetën dhe unë iu tregova gjithçka që dija.
Çfarë kishte ndodhur ?
Kristina ishte larguar me një person dhe kishte shkuar tek hotel ish- Drini. Atje në një nga dhomat e hotelit ai e kishte prerë në fyt. Më thanë personat e tjerë të grupit çfarë kishte ndodhur. Mua më thanë se një polic i burgjeve kishte dëgjuar ulërimën e Kristinës, ndërsa më pas kishte parë një person të dilte nga hoteli dhe ai ishte larguar me vrap.
A e njihje personin me të cilin ishte ulur Kristina në stol ?
Po ka rreth një javë që sillet vërdallë këtej. E di që është kosovar për emrin nuk ia di se si quhet. Ai ishte ulur aty prej pak kohësh dhe mendova se ai ndoshta ishte ndonjë klient që kishte ardhur aty për Kristinën.
Po me të tjerat a ishte takuar kosovari ?
Po edhe me vajzat e tjera është takuar dhe herë pas here i ngacmonte dhe shkonte t'i provokonte. Iu ofronte kafe, ose iu ofronte ndonjë lek, por ai dukej si tip i rrezikshëm dhe këto nuk i afroheshin.
A e dini ku jetonte ?
Herë pas here rrinte këtu me ne, ose me të tjerët që qëndronin këtu. Por edhe shkonte në hotel ndonjë herë. Jo githmonë qëndronte këtu.
ALEANcA kundër Diskrimimit
Policia nuk identifikonte dot viktimën e skeduar prej saj
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në rrugën "Abdi Toptani", në ambientet e ish- hotel Drinit, ka reaguar edhe Aleanca Kundër Diskriminimit (AKD). "Mësuam të tronditur për lajmin e vrasjes makabre të një tranvestiti dje në mbrëmje në qendër të Tiranës. Lexuam komunikimet e para zyrtare të policisë dhe jemi të shokuar nga paaftësia me të cilën është trajtuar çështja.
Policët në vendngjarje nuk ishin të aftë as edhe të identifikonin viktimën. Një hetim i shpejtë i autoriteteve në këtë komunitet do të konstatonte se komuniteti i tranvestitëve në Tiranë bashkëjeton në mënyrë të organizuar për të siguruar jetesën dhe vetëmbrojtjen, duke mos pasur kështu nevojë as për tutor dhe as për konkurrencë", thuhet në reagimin e AKD-së.
Ndërkaq në delaratën e tyre shtohet se: Eshtë e patolerueshme që, ndonëse ky komunitet tranvestitësh ndodhet çdo orë përpara policisë, nuk bëhet asgjë për t'i mbrojtur nga keqtrajtimet dhe tashmë edhe nga vrasjet.
Sjellja e policisë ndaj këtij komuniteti është një hipokrizi e mirëfilltë: policët bëjnë sikur patrullojnë në qendër të Tiranës, ndërkohë bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj prostitucionit në qendër të kryeqytetit dhe herë pas here policia e pranishme në raste dhune ndaj tranvestitëve bën sikur nuk shikon.
E në jo pak raste të tjera vetë policët i dhunojnë psikologjikisht dhe fizikisht. Një rast i tillë, kur policia nuk lëvizi as gishtin për të ndihmuar një tranvestit që po rrihej në rrugë është denoncuar edhe në media"
Familja braktis homoseksualin
Familja e Petrit Muçës, homoseskualit të njohur me emrin Kristina, nuk ka pranuar të vijë në Tiranë për të marrë trupin e njeriut të tyre. Një fakt i tillë është pohuar për gazetën "Shekulli", nga i dashuri i viktimës, Altin A., i cili ka pohuar se gjatë një komunikimi telefonik me familjen e Petritit ata i kanë thënë se për të le të mendojë shteti dhe bashkia dhe të mos i shqetësojnë më në telefon. Petriti nuk është djali ynë,- më thanë në telefon,- tha për "Shekullin", Altini, i dashuri i homoseskualit të vrarë me thikë në fyt.