Përplasje MASH-universitete për zgjedhjet
Zgjedhjet e pjesshme në institucionet e arsimit të lartë përplasin Ministrinë e Arsimit dhe universitetet. Drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor pas procesit të kryer dje kanë bërë publike shkeljet flagrante sipas tyre nga Ministria e Arsimit. Ata sqarojnë se është kompetencë vetëm e ministrit Fatos Beja të reagojë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe asnjë vartësi tjetër në këtë dikaster. “Zonja Elida Hoxha nuk ka tagrin ligjor që të ndërhyjë në procesin e zgjedhjeve në universitete. Kjo sepse është e parashikuar në rregulloren e zgjedhjeve që autoriteti, i cili ndërhyn në zhbllokimin e procesit zgjedhor është ministri i Arsimit me akte nënligjore”, shprehet drejtor i KQZI-së, Ervin Demo. Sipas tij, një shkelje tjetër gjatë procesit zgjedhor është ajo e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, i cili nuk ka pranuar të realizojë procesin e zgjedhjeve në këtë fakultet. “Pasi Fakulteti i Mjekësisë është vënë në dijeni, për sa i përket procesit zgjedhor që duhej të mbahej në Këshillin e Fakultetit, dekani duke u bazuar në atë çfarë parashikon rregullorja ka të vetmin detyrim, që duhet të vejë në dispozicion të gjithë infrastrukturën dhe nuk ka të drejtë që të bëjë interpretime, që ka zgjedhje apo nuk kaq zgjedhje”, thotë Demo. KQZI do të çojë një raport pranë rektorit Dhori Kule në lidhje me procesin zgjedhor dhe më pas pritet vendimi zyrtar.