Integrimi, Shqipëria 2 vjet kohë për të siguruar 24 orë drita
Fabiola Çela
Brenda dy vitesh nuk duhet të ketë më ndërprerje të energjisë elektrike. Ky është një ndër kushtet që Operatori i Sistemit të Transmetimit duhet të përmbushë në mënyrë që të jetë anëtare me të drejta të plota në USTE (Bashkimi për Koordinimin e Transmetimit të Energjisë Elektrike). Kreu i OST-së Ymer Balla ka nënshkruar dje në Bruksel marrëveshjen paraprake për pranimin në UCTE.
OST
Marrëveshja e nënshkruar dje mes OST sh.a dhe UCTE-es, është marrëveshje paraprake për fillimin e procedurave të pranimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit Shqiptar si anëtare e UCTE –es. Kjo Marrëveshje përcakton të drejtat dhe detyrimet e Palëve, njëkohësisht dhe rregullat, kushtet dhe kërkesat paraprake që duhet të plotësojë OST sh.a. Në bazë të marrëveshjes OST-ë duhet të pajtohet me Manualin Funksional maksimumi brenda dy viteve, e cila përket me kohëzgjatjen e marrëveshjes, me qëllim që të bëhet anëtar i plotë I UCTE. Marrëveshja përcakton qartë rregullat që duhet të zbatojë OST sh.a për anëtarësimin, duke u bazuar në tregun evropian si mos diskriminimin, eficencën dhe transparencën, balancimin e energjisë elektrike si dhe OST-ë duhet të lehtësoje investimet që të rritet kapaciteti transmetues dhe të përballet me çdo humbje të energjisë elektrike. UCTE është organizmi i cili përmbledh të gjithë Operatoret e Sistemeve të Transmetimit Evropian.
UCTE ka një rol thelbësor në rregullimin e marrëdhënieve me Operatorët Evropian. Ajo është një organizatë e krijuar 50 vite me parë, e cila koordinon sinkronizimin e rrjeteve të transmetimit të energjisë elektrike midis vendeve, duke ruajtur një balancim.
OSSH
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do t’iu shpë-rndajë abonentëve familjarë dhe bizneseve një pyetësor, në të cilin do të vlerësohet puna e OSSH që nga cilësia e furnizimit e deri te faturimi. Në këtë mënyrë synohet të vendoset një kontakt direkt me konsumatorët. “OSSH, së shpejti do të bëjë prezent bashkë me faturën e energjisë elektrike të muajve pasardhës edhe një pyetësor, i cili kërkohet të plotësohet nga abonentët me ato ankesa dhe vërejte apo informacione që kërkon të përcjellë abonenti në drejtim të kompanisë” - u shpreh Ilirjan Shkëmbi, Drejtor i Shitjeve në OSSH.