Arrestohet vrasësi i tre vëllezërve

Besim Karaj, 40 vjeç, është vënë në pranga në fshatin Thumanë të Fushë-Krujës në shtëpinë e vëllait të tij
Policia e Korçës vuri në dispozicion për atë që jepte informacione për vendndodhjen e tij një shumë prej 30 000 eurosh
DEVOLL- Përfundon pas tri ditë kërkimesh aventura e një prej vrasësve më të kërkuar në Shqipëri. Besim Karaj ka rënë në duart e policisë shqiptare në Thumanë, në shtëpinë e vëllait të tij, ndërsa pritet të mbërrijë në juglindje, ku do të merret në pyetje nga grupi i hetimit.
Më shumë se 50 efektiva të policisë së juglindjes forcat e RENEA-s bashkë me përfaqësues të policisë greke kishin më shumë se 72 orë që zhvillonin operacione kërkimi kryesisht në rajonin e Korçës, në Greqi, ndërsa nga mëngjesi i së hënës gjithçka u zhvendos në Mamurras.
Po këtë ditë policia e Korçës vuri në dispozicion një shumë prej 30 000 eurosh për kapjen e super të kërkuarit, 40-vjeçarit që ekzekutoi me automatik vëllezërit Mulliri. Nga ana tjetër, familjarët e viktimave vetëm një ditë më parë i kanë vënë si kusht policisë 24 orë kohë për të kapur autorin e tragjedisë së Vidohovës, në të kundërt do të bllokonin sërish aksin Korçë-Kapshticë, por këtë herë pa mundësi zgjidhje.
Operacioni
Operacioni i kërkimit të 40-vjeçarit Besim Karaj, dhëndër në Vidohovë dhe banor i fshatit të vogël kufitar të komunës së Mirasit ka qenë ndër më të vështirët për policinë lokale, dhe jo vetëm.
Terreni i thyer malor, temperaturat e ulëta, si dhe prania e borës dhe akullit qenë faktorët e jashtëm, ndërkohë që dhe lëvizja në kohë e autorit të ngjarjes ka vështirësuar çdo kapje të tij. Sinjalet e para kanë bërë të ditur se Karaj ka udhëtuar drejt Greqisë fqinje, ndërkohë që një grup i posaçëm hetimi bashkë me tre qen kufiri kanë qëndruar për më shumë se 24 orë në zonën e Vidohovës.
Pas krehjes së plotë të zonës nga ana e tyre nuk janë konstatuar gjurmë të autorit, i cili sipas informacioneve që vinin në rrugë operative me shumë vështirësi është parë të largohej për të hyrë në zonën e qytetit të Bilishtit.
Arrestimi
Nga burime të mirinformuara të policisë së Korçës mësohet se Karaj ka udhëtuar pjesërisht deri në Korçë në këmbë për të shmangur dhe postblloqe të mundshme të policisë. Më pas ai ka udhëtuar për të mbërritur në Tiranë dhe mandej ka vazhduar udhëtimin e tij i armatosur me automatikun "Tomson" dhe me disa krëhër me fishekë.
Streha që ka gjetur ka qenë ajo e vëllait të tij, ndërkohë që pas 24 orësh nga momenti i krimit, policia e Korçës në bashkëpunim me policinë e Durrësit ka qenë duke mbajtur në vëzhgim shtëpinë e vëllait në Thumanë, duke parë çdo lëvizje të tij.
Aksioni i kapjes të 40-vjeçarit Karaj që pas krimit ka braktisur dhe bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, ka përfunduar në momentin që efektiva të shumta policie kanë hyrë në banesën e vëllait të tij. Policia është mbështetur nga familjarët e të shumëkërkuarit. Ai nuk ka bërë rezistencë, ndërsa mbante me vete automatikun, i cili i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Pas kapjes të 40-vjeçarit që akuzohet për vrasje të trefishtë të vëllezërve Mulliri Xhiljan, Taulant dhe Etlevan përkatësisht 25, 23 dhe 17 vjeç, ai është nisur drejt Korçës i shoqëruar nga forca të shumta policie. Ndërkaq, babai i viktimave Xhevahir Mulliri ka deklaruar se kërkon që ekzekutori i bijve të tij të marrë dënimin kapital, teksa ka falënderuar policinë që bëri të mundur kapjen e tij pas reagimit të tyre.
**********************
RRËFIMI
Vrasësi: Nuk doja t'i vrisja të tre vëllezërit. Kisha frikë
"Nuk desha t'i vrisja të tre. Kisha frikë mos hakmerreshin ndaj meje". Kjo është ajo çka mësohet të ketë deklaruar sapo ka mbërritur tek të afërmit e vet Besim Karaj. Duke treguar lidhur me krimin që kishte kryer, ai ka treguar se ata kishin qenë të gjithë bashkë dhe pranë banesës së tyre në kohën që ai kishte qëlluar.
Frika se mos ndonjëri prej tyre do të kundërpërgjigjej ka bërë që ai të qëllojë edhe njërin prej vëllezërve i cili kishte tentuar të largohej. Sipas të afërmve të vet, Besimi një javë para se të kryente vrasjen, ishte nisur për të vajtur në Greqi.
Ata thonë se ai ishte i mërzitur dhe nuk fliste, ndërsa sqarojnë se nuk dinin gjë për konfliktet me bashkëshorten, pasi gjatë gjithë kohës ai kishte jetuar në Vidohovë. Ai u kishte treguar se gjithçka e kishte bërë për të mbrojtur nderin e familjes. Besimi ka akuzuar për tradhti të shoqen, të cilën e kishte gjetur me njërin prej vëllezërve.
"Do t'i kisha vrarë që në atë moment, por nuk kisha armë, - mësohet të jetë shprehur 40-vjeçari. - Nuk mund të ndërrohesha me personat që më kishin marrë nderin në fshat, - ka vijuar ai, teksa ka shprehur keqardhjen për vrasjen e dy vëllezërve të pafajshëm, teksa ka thënë se objektivi i vetëm i tij ka qenë ai me të cilin e kishte tradhtuar gruaja.
Ndërkohë, mësohet se kanë qenë të afërmit e Besimit ata që kanë ndërhyrë që ai të dorëzohej dhe që një ditë më parë kishin marrë garanci nga policia se askush nuk do të qëllonte në momentin e dorëzimit. Ata kanë thirrur blutë në shtëpi, të cilët kanë marrë 40-vjeçarin dhe armën e krimit, me të cilën kishte udhëtuar pa u diktuar rreth 250 km rrugë. M.Brunga