E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet aksidentalisht 13-vjeçari, zhvillonin qitje me shokët

POGRADEC/ Arlind Liçkollari ka ndërruar jetë pas një plumbi të marrë në brinjën e majtë, pranë zemrës

POGRADEC - Në shtëpinë e Agim Liçkollarit është ngritur kuja. Familja dhe të afërmit kanë humbur djalin e vetëm Arlindin, nxënës në klasën e tetë, në fshatin Vërdovë. Tepër i tronditur babai i tij Agimi thotë për gazetën se ka punuar për shumë vjet punë të rënda në Greqi si emigrant për atë djalë, por fati nuk deshi dhe djali i iku papritur.

"Këto të shkreta armë nga viti i çmendur '97 po na hanë çdo ditë jetë njerëzish",- thotë ai. Babi i 13-vjeçarit kishte pak kohë që ishte kthyer nga Greqia në shtëpi. Ai krenohej me djalin e tij pasi në shkollën tetëvjeçare Arlindi ishte një nga nxënësit më të mirë.

Ngjarja

E kanë pasur ditë pushimi në mbyllje të semestrit të parë dhe 14 shokë të lagjes së sipërme të fshatit Vërdovë të moshës 13 -14 vjeç, rreth orës 11 të ditës së djeshme kanë dalë mbi depon e ujit të pijshëm tek një kodër ku ndodhet pylli i gështenjave, poshtë një shtylle të tensionit të lartë dhe kanë filluar të bëjnë qitje me një automatik kallashnikov që e kishte një shoku i tyre. Fshatarët thanë se ata dëgjuan krisma, por nuk orientoheshin se nga vinin. Madje, krismat kanë vazhduar për gati një orë.

Befas krismat kanë ndaluar rreth orës 13:30 dhe pas pak ka mbërritur një ambulancë e spitalit me urgjencë. Një nga plumbat kishte kapur 13-vjeçarin Arlind Liçkollari poshtë brinjëve. Kur shokët e tij kanë parë që ai është mbuluar nga gjaku, ata kanë rendur për tek roja i depos së ujit të pijshëm dhe i kanë kërkuar që të lajmërojë një ambulancë pasi shoku i tyre ishte plagosur nga një plumb.

Roja ka lajmëruar spitalin dhe pas pak minutash ka mbërritur ambulance, e cila e ka çuar në spital, por pa mundur që t'i shpëtojë jetën.

Policia

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarie dhe ka gjetur një automatik kallashnikov me të cilin ishte kryer vrasja. Janë shoqëruar në polici shokët që ishin duke zhvilluar qitje tek kodra e gështenjave, të cilët janë marrë në pyetje. Njëkohësisht policia ka shkuar nëpër shtëpitë e tyre dhe ka zhvilluar kontroll për armë. Fëmijët u morën në pyetje në komisariatin e policisë nga hetuesit.

Fëmija 14-vjeçar K.L. që ka vrarë aksidentalisht shokun mësohet të jetë në gjendje psikike të rënduar, teksa u thirr një psikolog për t'i dhënë ndihmën e duhur. Trupi i pajetë i 13-vjeçarit Arlind Liçkollari i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Prej saj u arrit të vërtetohej se vdekja e Liçkollarit erdhi si rezultat i një plumbi automatiku poshtë brinjës së majtë, fare pranë zemrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›