Vrasja e të dashurit, 20-vjeçarja: Xhaxhai donte të ndaheshim
TIRANË/ Fatjona Dashi thotë se me 30-vjeçarin e vrarë bashkëjetonte prej një viti. Xhaxhai i kish thënë se s'do ta gëzonte
TIRANË - "Me Armandon bashkëjetoja prej një viti dhe nuk kam pasur asnjë problem me të në asnjë rast". Kështu u shpreh dje për "Shekulli"-n Fatjona Dashi, 20 vjeçe, xhaxhai i së cilës akuzohet për vrasjen e 30-vjeçarit Armando Hasani.
Duke rrëfyer për gjithçka kishte ndodhur, e reja shprehet se i dashuri i saj, si dhe xhaxhai Albert Dashi kishin nisur konfliktet rreth 10 ditë më parë. Megjithëse nuk di të japë një arsye se përse 35-vjeçari ishte kundër lidhjes së saj, vajza ka shpjeguar se herë pas here ai i kishte thënë Armandos se nuk do ta gëzonte mbesën e tij për grua.
"Armando u vra jo larg shtëpisë dhe unë sapo më njoftuan u nisa për të parë se çfarë kishte ndodhur, - shprehet Fatjona. - Kur u afrova tek trupi i bashkëshortit tim, pashë që ai kishte akoma shenja jete dhe m'u drejtua me fjalët shko tek mami, por këto ishin fjalët e tij të fundit.
Më pas erdhi një ambulancë dhe trupin e tij e dërguan në morg". Në rrëfimin e saj 20-vjeçarja pohon se në fillim të lidhjes me Armandon xhaxhai i saj 35-vjeçar i kishte thënë që do ta ndihmonte për të ndërtuar jetën, por pasi ishte kthyer nga Greqia, rreth një muaj më parë, ai nuk ishte më dakord me burrin që ajo kishte zgjedhur për të jetuar. Sipas saj, kohët e fundit Alberti ishte irrituar për lidhjen e dy të rinjve dhe për këtë kishte vazhduar të debatonte me Armando Hasanin.
Ndërsa nëna e Armandos akuzon nënën e Fatjonës, e cila sipas saj e ka shtyrë autorin të kryejë krimin. Engjëllushe Hasani, 51 vjeç, tregon se midis dy familjeve nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm, por shprehet se familjarët e vajzës e kishin vënë në dijeni se nuk ishin dakord me lidhjen e të birit.
"Vrasja e djalit ishte e papritur, pasi pak para se të ndodhte krimi, Armando ishte në kafe me Albertin dhe me ca shokë të tij. Unë isha në dijeni se xhaxhai i nuses së djalit tim nuk ishte dakord për lidhjen e tyre dhe i është drejtuar shpesh që nuk do ta gëzosh mbesën time.
Por ne menduam se gjërat nuk do të shkonin deri në vrasje, pasi Fatjona jetonte prej një viti me Armandon", - tregon e përlotur Ëngjëllushja. Mësohet se disa ditë para vrasjes, Albert Dashi e ka kërcënuar 30-vjeçarin që të shkëpusë lidhjen me mbesën e tij, por ky i fundit nuk e ka dëgjuar. Familja Hasani kishte humbur edhe djalin tjetër të familjes para dy vitesh për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Vrasja, afër banesës së viktimës
Armando Hasani, 30 vjeç, banues në Tiranë në rrugën "Qemal Stafa", pranë zonës së njohur si "Xhamllëku", u qëllua për vdekje pasditen e së dielës rreth orës 17:30, nga xhaxhai i të dashurës së tij, Albert Gashi.
30-vjeçari u qëllua me armë zjarri pistoletë jo shumë larg shtëpisë së tij, duke mbetur i vdekur në vend. Sipas burimeve zyrtare të policisë, autori i dyshuar i krimit u arrestua disa orë pas ngjarjes në një banesë në rrugën "Myslym Keta", pranë ish-ndërmarrjes "Rruga Ura".
Mësohet se dëshmitarë të ndryshëm, banorë të zones, kanë parë për disa minuta skenën kur Albert Dashi i kishte drejtuar Hasanit pistoletën në kokë dhe më pas ka shkrehur mbi të thuajse të gjithë krëhërin e fishekëve që kishte me vete.
Policia vendosi 1 milionë lekë në dispozicion për personin që do të jepte të dhëna të sakta për vendndodhjen e autorit të krimit, ndërsa ky i fundit u arrestua disa orë më pas.