Ilir Bano
11/03/2005 Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për tenderat e qeverisë, Ilir Bano, ka akuzuar dje Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, se i kanë shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik prej 80 milionë lekësh. Sipas Banos, dëmi ka ardhur si pasojë e llogaritjeve të gabuar të fondit limit. "Për këto lloj prokurimesh është e zakonshme një tjetër shkelje e rëndë, e konstatuar edhe nga KLSH. Jepet vetëm fondi limit dhe nuk saktësohet sasia e mallrave që nevojitet. Në varësi të çmimit që ofrohet, sasia e mallrave mund të jetë mbi ose nën masën e planifikuar. Në rastin e parë, kur blihet më shumë ka keqpërdorim të fondeve, si pasojë e krijimit të mallrave stok për një kohë më të gjatë, në rastin e dytë kur blihet më pak, në fakt duhej anuluar tenderi për shkak të tejkalimit të fondeve të akorduar, sikurse është tregues i rritjes tej mase i normës së abuzimit", tha Bano. Sipas tij, dëmet kryesore kanë ardhur si pasojë e rritjes artificiale të çmimeve në blerjet e ushqimeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit.