E Hënë, 2 Nëntor 2026

Atentat në lokal, plagosen dy persona

11/03/2005  Rikthehen krimet në Vlorë

VLORË - Rikthehen plagosjet në qytetin bregdetar të Vlorës. Theodhori Andoni ka shfrytëzuar momentet e ndeshjes Juventus-Real i Madridit për të hyrë në një lokal dhe për të qëlluar me armë zjarri mbi dy shtetas, me të cilët ishte grindur disa kohë më parë. Motivet e ngjarjes, së ndodhur rreth orës 23.10, në një prej klubeve afër repartit të zjarrfikëseve, sipas burimeve zyrtare të policisë janë cilësuar si të dobëta.

Shtetasi Theodhori Andoni, 23 vjeç, ka hyrë në lokalin ku kanë qenë dy shtetasit Yzeir Godo dhe Eduart Sina, të cilët ishin duke parë ndeshjen e Ligës së Kampionëve së bashku me shumë persona të tjerë. Andoni ka nxjerrë armën tip pistoletë dhe më pas ka qëlluar nga afër të dy personat, në pjesën e poshtme të trupit, duke i plagosur, dhe më pas autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Shumë shpejt të dy të plagosurit janë dërguar në spitalin rajonal, ku u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka shkuar në vendngjarje, ka shoqëruar disa persona në komisariat dhe pas marrjes në pyetje të dy të plagosurit është bërë e mundur identifikimi i shtetasit Theodhori Andoni. Sipas burimeve zyrtare të policisë, 23-vjeçari Andoni është grindur më parë me dy personat për motive të dobëta, dhe mbrëmjen e së mërkurës ka parë që të dy ”armiqtë” kanë qenë bashkë në lokal duke shikuar ndeshjen, në praninë dhe të shumë personave të tjerë. Pasi ka marrë armën tip pistoletë, autori ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar mbi dy personat nga një herë me pistoletë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Policia, mbasi ka bërë identifikimin e autorit të plagosjes së dy personave, e ka shpallur në kërkim, me akuzën për tentativë vrasjeje, e cila ka përfunduar me plagosje të dy personave. Blutë kanë bërë disa kontrolle për të bërë të mundur kapjen e të shpallurit në kërkim, por deri dje duket se ka qenë e pamundur që të shtrëngohen prangat në duart e Theodhori Andonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›