E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia e opozitës të nis uljen e taksave

11/03/2005  PD zgjedh Shkodrën për të aplikuar politikën e përgjysmimit të taksave dhe strehimit

Berisha: "Shfrytëzoni hapësirat që ju krijon ligji për të bërë ndërtime për të pastrehët"

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka udhëzuar dje të zgjedhurve lokalë të Shkodrës të aplikojnë të parët politikën e taksave të ulëta për biznesin e vogël në këtë qytet. Në takimin e tij me biznesmenët e qytetit dhe të zgjedhurit lokalë, Berisha i shoqëruar dhe nga anëtarët e Komitetit të Orientimit të Politikave, ka prezantuar platformën fiskale të PD-së, e cila parashikon uljen e taksave për biznesin deri në 50 për qind të tyre.

Strategjia

Gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës, Berisha, veç aplikimit të uljes së taksave, u kërkoi të zgjedhurve lokalë të përkrahin familjet në nevojë brenda mundësive që ka pushteti lokal. Ndërtimi i banesave për të pastrehët, ishte një tjetër kërkesë e Berishës, drejtuar pushtetit lokal. "Ju duhet të bëni maksimumin tuaj për uljen e taksave lokale për biznesin e vogël. Të mbajë lidhje të ngushta bashkëpunimi me Malin e Zi, me qëllim zhvillimin e tij. Të përkrahni me aq sa keni mundësi familjet në nevojë, si dhe të shfrytëzoni hapësirat që ju krijon ligji për të bërë ndërtime për të pastrehët", tha Berisha. Sipas liderit të PD-së, ulja e numrit të bizneseve në Shkodër, ka ardhur si pasojë e politikave hakmarrëse të qeverisë aktuale ndaj këtij qyteti. "Eshtë paradoksdale, kur mësoj nga kryetari i Bashkisë, se qyteti i Shkodrës numëron 1500 biznese të mesme dhe të vogla, pasi në fillim të shekullit të kaluar znj.Edit Durham pohonte se vetëm në hyrje të këtij qyteti numërohen 3000 biznese të vogla. E gjithë kjo situatë e ka një shpjegim; skema e qeverisë ndaj Shkodrës, duke i ndërprerë furnizimin e energjisë elektrike, është një skemë e qëllimshme dhe armiqësore, që e ka dëmtuar rëndë atë në rrafshim material. Skema të tilla i përdorin vetëm regjimet e juntave ushtarake në vendet e Amerikës Latine", tha Berisha.

Heqja e TVSH-së

Sipas Berishës, përgjysmimi i taksave në rast se PD-ja vjen në pushtet, do të fillojë me uljen e TVSH-së, e cila do të ulet në 15 për qind në nivelin e parë dhe 0-6% në nivelin e dytë. Gjatë takimit me biznesmenët shkodranë, Berisha premtoi heqjen e TVSH-së për mallra të tillë si energjia elektrike dhe ndërtimi. "Do të aplikojmë thjeshtëzimin e sistemit të taksave, duke ulur listën e tatimeve. TVSH-ja do të pësojë një ulje graduale, duke e zbritur në 15% në nivelin e parë dhe 0-6% në nivelin e dytë Ndrësa për ndërtimin dhe energjinë, TVSH-ja do të jetë zero", tha Berisha. Për fermerët, sipas tij, alternativa e PD-së parashikon kreditimin e bujqësisë dhe të fermerëve. Për këtë qëllim, tha Berisha, parashikohet të ngrihet dhe Banka e Zhvillimit Rural, që do të bëjë të mundur zbatimin e politikave për zhvillimin e bujqësisë me anë të kredive zbutëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›