E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet zyrtari i të pastrehëve

 

Aldi Kozarja/ ELBASAN

Arrestohet kreu i Inspektoratit Ndërtimor në qytetin e Elbasanit. Kujtim Hasbiu, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Elbasan për dy mandate, u arrestua dje nga policia e këtij qyteti me akuzat “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të policisë së shtetit. Sipas tyre, zyrtari akuzohet për abuzime të kryera prej tij në kohën kur ka qenë Kryetar i Komisionit për të Pastrehët në Qarkun e Elbasanit. Arrestimi është kryer dje në finalizim të hetimeve të zhvilluara nga prokuroria prej disa muajsh. Sipas burimeve zyrtare, organi i akuzës k,ishte mëse 6 muaj që po hetonte abuzimet e dyshuara të nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, pas denoncimeve të depozituara në prokurori. Sipas denoncimeve, qytetarët kishin paguar tek i arrestuari shuma nga 3-5 mijë euro në këmbim të marrjes së banesave si të pastrehë. Ky fakt është konfirmuar dje nga nëndrejtori i policisë së Elbasanit Ylli Metko.
Sipas burimeve zyrtare, hetimet ndaj kreut të Këshillit Bashkiak, Kujtim Hazbiu, kanë nisur 6 muaj më parë ndërsa ditën e djeshme është bërë i mundur ndalimi i tij për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit te detyrës. Zyrtari akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me ndarjen e banesave për të pastrehët. Gjithashtu i dyshuari kryente dhe funksionin e kryeinspektorit të policisë ndërtimore. Ai ka qenë kryetar i Partisë për Integrim dhe Drejtësi, e njohur si partia Çame, duke qenë edhe një nga themeluesit e saj në Elbasan. I arrestuari ka qenë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak, që nga viti 2003 e në vazhdim. Policia sqaron se nga viti 2003, Hazbiu ka qenë nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Elbasanit dhe njëkohësisht kryetar i Komisionit të Strehimit. Arrestimi i Kujtim Hazbiut lidhet me ndalimin pak javë më parë të një ish-punonjësi të zyrës së strehimit në Bashkinë e Elbasanit. Shpëtim Myftaraj ishte arrestuar më parë, pasi në vitin 2007 kur bashkia ndryshoi drejtues, u largua nga puna për shkak të dyshimeve se ai kryente veprime të pa hijshme dhe akuzohej nga qytetarët si i korruptuar. Policia tha se arrestimi i nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Kujtim Hazbiu, është bërë pas një hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë. Organet ligjore kanë administruar denoncimet e ardhura në adresë të zyrtarit nga dy familje, të cilat gjenden në listën e të pastrehëve në qytetin e Elbasanit. Siç mësohet nga Prokuroria, Kujtim Hazbiu është mbajtur nën vëzhgimin e agjentëve të krimit ekonomik prej kohësh. Prokuroria e Elbasanit tha se ka grumbulluar prova për të ngritur akuzën ndaj zyrtarit. Këto prova janë paraqitur në Gjykatën e rrethit, ku është caktuar para arrestimit edhe masa e sigurisë ndaj të dyshuarit.

I arrestuari themelues i PDI, Elbasan
Zyrtari i arrestuar dje nga policia e Elbasanit është një nga themeluesit e Partisë Çame në Elbasan. Ai është i martuar, babai i dy vajzave, dhe prej vitesh është pjesë e politikës lokale dhe përfaqësues i së djathtës në Elbasan. Në vitin 2003, Hazbiu është bërë anëtar i Këshillit Bashkiak në Elbasan. Ai e mbajti një status të tillë deri në mandatin aktual. I arrestuari ka qenë nënkryetar i Këshillit Bashkiak, si dhe kryetar i Komisionit të Strehimit në Bashkinë e Elbasanit. Ky komision është ngritur me vendim nga Këshilli për ndarjen e banesave për të pastrehët. Kujtim Hazbiu është biznesmen, pasi ka në pronësi një firmë që merret me ambalazhimin e çimentos, ndërsa vite më parë në kohën e diktaturës, ka qenë punonjës i policisë.

Prokuroria: Hetuam për gjashtë muaj
Prokurori i rrethit Elbasan, Elvin Gokaj, tha dje se hetimet ndaj nënkryetarit të Këshillit Bashkiak kanë nisur afro 6 juaj më parë. Kreu i akuzës pohoi se arrestimi ka ardhur pas më shumë se dhjetë denoncimeve të bëra nga qytetarët. Ata mësohet se kanë pretenduar për mitmarrje nga i arrestuari, në këmbim të dhënies së banesave si të pastrehë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›