E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet vrasësi i kushëririt për pronën

 

TIRANE - Ekstradohet nga Italia, Zenel Brahimetaj, i kërkuar nga drejtësia shqiptare prej 12 vitesh, pas arratisjes nga burgu në vitin 1997. Brahimetaj i është dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve në orë 18:00, pasi ka zbritur në aeroportin e Rinasit, i shoqëruar nga oficerët e Interpolit. Ai akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij Muharrem Brahimetaj në vitin 1992, pas një konflikti pronësie që kishte pasur me të. Gjykata e Matit e ka dënuar atë me 25 vjet burg për “vrasje me dashje” dhe “vrasje të mbetur në tentativë”, në bazë të Kodit të vjetër Penal. Pasi bëri rreth 5 vjet burg, Zenel Brahimetaj arriti të largohej nga vendi i vuajtjes së dënimit gjatë trazirave të vitit 1997 dhe u arratis në Itali e qëndroi deri dy muaj më parë, ku u arrestua nga policia italiane. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se 51-vjeçari Zenel Brahimetaj, lindur në Bater e Madhe të Matit dhe banues në Durrës, akuzohet se ka vrarë Muharrem Brahimetën dhe ka tentuar t’i vrasë edhe dy vëllezërit. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur mëngjesin e datës 1 maj të vitit 1992, në fshatin Bater e Madhe. Brahimetaj, pas disa debatesh që kishte pasur më parë me kushërinjtë e tij për një gardh që ndante tokat e dy familjeve, ditën e ngjarjes ka marrë një armë zjarri duke kërcënuar Muharrem Brahimetaj, duke i thënë që duhej ta prishte gardhin, ose do ta vriste. Pas këtij debati ai nuk ka ngurruar që ta qëllojë për vdekje me armë, madje ka qëlluar edhe në drejtim të dy kushërinjve të tjerë, vëllezërve të viktimës, të cilët fatmirësisht i kanë shpëtuar plumbave. Brahimetaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Matit me vendimin nr. 90 të datës 11 dhjetor 1992 e ka dënuar me 25 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” dhe “vrasjes së mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 84/5, i Kodit të vjetër Penal të Republikës së  Shqipërisë. Sipas policisë mësohet se në mars të vitit 1997, Zenel Brahimetaj është larguar nga burgu ku vuante dënimin dhe është shpallur në kërkim, duke qëndruar për 12 vjet me radhë në listat e personave të kërkuar nga Interpoli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›