Sot çelet tenderi për vlerësimin e aseteve të INSIG-ut
Tenderi për të gjetur një kompani analize financiare për vlerësimin e INSIG-ut pritet të zhvillohet edhe një herë sot, pasi kishte dështuar disa herë për shkak të mosinteresimit të kompanive të fushës. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, procesi i vlerësimit të kompanisë për llogari të shitësit pritet të kushtojë rreth 100 mijë euro, sipas dokumenteve të tenderit. Vlerësuesi ka për detyrë të japë mendimin e vet brenda dy javëve nga shpallja fituese. Kjo nuk është hera e parë që INSIG-u vlerësohet para se të dalë në shitje. Disa vite më parë, një kompani e huaj e vlerësoi kompaninë me 28 milionë dollarë, shifër kjo e konsideruar si tepër e ulët nga ekspertët e fushës, për shkak se në atë kohë, INSIG-u kishte gjendje financiare të investuar në bono thesari prej 40 milionë dollarësh. INSIG-u u nxor në shitje për herë të parë në vitin 2002 së bashku me kompani të tjera të sektorit publik, por procedurat për privatizimin e saj nuk ecën asnjëherë në rrugën e duhur, kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik. INSIG-u u shit me negocim të drejtpërdrejtë në masën 40 për qind të dy institucione financiare ndërkombëtare, IFC-ja dhe BERZH-i, veprim që kishte për synim të përmirësonte imazhin e kompanisë. Pjesa tjetër e aksioneve mbeti nën pronësinë e Ministrisë së Financave. Gjatë viteve në vijim, pati shumë premtime nga qeveritë e ndryshme për t’i dhënë fund privatizimit, për shkak se ndërkohë kompania po humbiste terren kundrejt konkurrentëve privatë në tregun e saj kryesor, në Shqipëri. INSIG-u operon edhe në Maqedoni e Kosovë. Aktiviteti në këto dy vende e ka ndihmuar kompaninë të kompensojë humbjet financiare në tregun shqiptar, ku përballet tashmë prej vitesh nga konkurrenca e ashpër e operatorëve privatë të tregut, të cilët kanë fleksibilitet shumë të madh në krahasim me procedurat burokratike në një kompani shtetërore. INSIG-u ka rreth 250 punonjës në të tre vendet. INSIG-u ka aktualisht rreth 75 milionë dollarë asete.
13 Qershor 2008