Banka Botërore: “Kreditë me probleme, rrezik kolapsi si në 2005-n”
Rritja e shpejtë e kredive ka qenë një burim shqetësimi si për autoritetet vendase, ashtu edhe për vëzhguesit e huaj. Sipas institucioneve ndërkombëtare, në një situatë ku burimet ekzistuese huadhënës të bankave rriten më shpejt sesa sasia e propozimeve për huamarrje fitimprurëse në ekonomi, konkurrenca mes bankave mund të çojë në të ardhmen në huadhënie me risk më të madh dhe rritje të huave që nuk paguhen. Banka Botërore paralajmëron se brenda dy vitesh (2008-2009), portofoli i kredisë do të rritet në 750 miliardë lekë, apo e konvertuar në monedhë të huaj, në 6.2 miliardë euro. Janë këto parashikimet që sjell BB-ja në raportin e saj, “Aksesi për dhënien e kredive në Shqipëri”, sipas të cilit pritet një dyfishim i portofolit të kredive me 3.2 miliardë euro, që është niveli aktual. Sipas BB-së, rritja e portofolit të kredive mbart shqetësim dhe mund të krijojë barrë për sistemin bankar. “Pritet një rritje e mëtejshme e kredive, sidomos në kredi korporate dhe konsumatore. Bankat që morën pjesë në vëzhgim kanë bërë parashikime të shumta lidhur me mundësitë për biznes, dhe normat nominale të rritjes janë parashikuar të jenë mesatarisht 28 për qind në vit për një periudhë trevjeçare. Sipas parashikimeve të bankave, rritja e kredive do të nxitet kryesisht nga huadhënia për ndërmarrje të mëdha dhe, në një masë më të vogël, nga kreditë për individë. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe pritet të arrihen norma vjetore të rritjes, përkatësisht prej 35 për qindësh dhe 30 për qindësh. Nga ana tjetër, “gjatë kësaj periudhe, kreditë për ndërmarrje të vogla pritet që të rriten me një ritëm shumë më të ulët”, thuhet shprehimisht në raportin e BB-së. Dyfishimi i portofolit të kredive ka ndodhur edhe njëherë në periudhën 2001-2005, ku kreditë për sektorin privat janë rritur më shumë në krahasim me pothuajse çdo vend tjetër të rajonit, nga 248 milionë dollarë amerikanë në vitin 2000, në 1.9 miliardë dollarë amerikanë në tetor 2006 (rreth 15 për qind e PBB-së). Rritja e kredive ka qenë veçanërisht e shpejtë gjatë këtyre dy viteve të fundit, konkretisht 70 për qind në vitin 2005 dhe mbi 50 për qind në vitin 2006. Në vitin 2005, Programi për Vlerësimin e Sektorit Financiar vuri në dukje se kjo rritje e shpejtë përbënte një risk të mundshëm për sistemin financiar. Programi i përbashkët për Vlerësimin e Sektorit Financiar, Bankë Botërore-FMN, i vitit 2005, përcaktoi se, ndërsa rreziqet për sistemin bankar në atë kohë ishin relativisht të ulëta, rritja e kredive që ndodhi në vitin 2005 (70 për qind), nëse do të vazhdonte, mund t’i krijonte një barrë sistemit bankar. a
13 Qershor 2008