Frika nga abuzimet, stafit të Bankës i lejohet deri në 8 milionë lekë kredi
Ervin Koçi
Frika nga kreditë e këqija si dhe nga abuzimet me to prej punonjësve të stafit të bankave private, ka detyruar Bankën e Shqipërisë që të marrë masa radikale në administrimin e riskut. Nisur nga kjo, procesi i kreditimit që ndiqet nga bankat e nivelit të dytë në vend do të jetë i përcaktuar me një rregullore të re, e cila ka hyrë në fuqi tashmë. Banka e Shqipërisë miratoi një muaj më parë rregullat e reja për metodikën që do të ndiqet për llogaritjen e ekspansionit të madh të bankave. Kjo rregullore u lejon administratorëve të bankave, sipas politikave dhe procedurave të vetë bankës për personelin apo stafin e saj, të përfitojnë kredi jo më shumë se shuma 8 milionë lekë ose kundërvlefta e saj në monedhë të huaj. Vendimi është i detyrueshëm për bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë, ndërsa Departamenti i Mbikëqyrjes ka të drejtën që të ndjekë zbatimin e tij.
Kufizimet
Sipas rregullores, ekspozimi i bankës ndaj një personi ose grupi personash konsiderohet i madh kur vlera është e barabartë ose më e madhe se 10 për qind e kapitalit rregullator të bankës, që llogaritet sipas metodologjisë të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Këshilli drejtues i bankës duhet të caktojë rregulla të veçanta, për dhënien e kredive personave që kanë një marrëdhënie të veçantë me bankën. Sipas kësaj rregulloreje, këshilli drejtues i bankës miraton kreditë në rast se për to përdoret si kolateral një pasuri e paluajtshme, vlera e të cilit nuk duhet të jetë më e vogël se 140 për qind e vlerës së kredisë. Nëse këto kredi nuk janë plotësisht të kolateralizuara (të garantuara), pjesa e pakolateralizuar i zbritet kapitalit të bankës. Rregullorja cakton se për qëllime të llogaritjes, nuk përfshihen pagesat në proces, transaksionet e këmbimeve valutore ose shitblerjes së letrave me vlerë, apo të drejtat ndaj BSH-së dhe Qeverisë kur shprehen në monedhën kombëtare, etj. Po kështu, nuk përfshihen në llogaritje të ekspansionit të drejtat ndaj bankave shumëpalëshe të zhvillimit, kur mbështetja e fortë aksionare pasqyrohet në vlerën e kapitalit të paguar, kur evidentohen kontribute të vazhdueshme të kapitalit dhe pjesëmarrje të reja nga aksionarë-qeveri qendrore, kur niveli i kapitalit dhe likuiditeti është i mjaftueshëm, etj.
Shumat e reduktuara
Sipas rregullores, përfshihen në shuma të reduktuara me 20 për qind të ekspozimit të drejtat me afat deri në maturim jo më shumë se 1 vit ndaj bankave dhe institucioneve financiare që veprojnë në Republikën e Shqipërisë. Të drejtat me afat deri në maturim jo më shumë se 1 vit ndaj bankave dhe institucioneve financiare të vendeve që nuk bëjnë pjesë në OECD, etj. Po kështu, përfshihen në shuma të reduktuara me 50 për qind të ekspozimit, të drejtat që lindin nga kredia hipotekore dhe që kanë si objekt blerjen e një prone rezidenciale (shtëpi apo apartament), blerësi i të cilës është kredimarrësi, si dhe janë të kolateralizuara në mënyrë të plotë me anë të një hipoteke mbi një pronë rezidenciale, e cila është në pronësi të kredimarrësit dhe është në përdorim ose jepet me qira prej tij. Operacionet e qirasë financiare të aktiveve të qëndrueshme të trupëzuara, angazhimet për të paguar kredinë dokumentare, të dhënë ose të konfirmuar, pa garancinë e mallrave korresponduese, garancitë për finalizim të mirë të operacionit dhe angazhimet doganore dhe fiskale, bëhen me kusht që të mos përbëjë zëvendësim të dhënësit fillestar të kredisë.
Llojet e kolateralit
Për qëllime të zbatimit të kësaj rregulloreje do të konsiderohen si kolateral depozitat monetare pranë vetë bankës, titujt (letrat me vlerë) të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë ose nga Banka e Shqipërisë, garancitë shtetërore të huas të Qeverisë të evidentuara nëpërmjet një dokumenti zyrtar të Ministrisë së Financave ose nga çdo marrëveshje tjetër garancie, e nënshkruar në emër dhe për llogari të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, titujt (letrat me vlerë) e emetuar ose të garantuar në mënyrë të pakushtëzuar nga qeveritë qendrore dhe bankat qendrore të vendeve anëtare të BE-së ose të OECD-së, administrata lokale dhe rajonale e vendeve anëtare të BE-së, strukturat dhe institucionet e BE-së që gëzojnë ligjërisht të drejtën për të emetuar tituj, certifikatat e depozitave të emetuara nga vetë banka ose nga një bankë e kontrolluar nga banka në fjalë, garancitë e drejtpërdrejta dhe të pakushtëzuara, të lëshuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe nga institucione të njohura dhe të specializuara në emetimin e garancive për vende të ndryshme, veçanërisht në lidhje me sigurimin e tregtisë së jashtme.
13 Qershor 2008