METE, më 21 gusht tender për zhvilluesin e parkut ekonomik të Koplikut
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë në datën 21 gusht 2008 garën konkurruese për zhvilluesin e zonës ekonomike në Koplik në Shkodër. Zona ekonomike do të zhvillohet në Koplik, në një sipërfaqe prej 64 hektarësh. Sipas burimeve nga METE, çdo ofertues, do të paraqesë një ofertë të vetme, në të cilën duhet të angazhohen për pranimin e kushteve të përcaktuara në ftesën për procedurat konkurruese, si dhe detyrimet ndaj fitimit të procedurës konkurruese. Shpallja nga METE e garës për zhvilluesin koncesionar, mbështetet në vendimin e Qeverisë Nr.12, datë 04.01.2008 "Për shpalljen e zonës ekonomike në Koplik, Shkodër", VKM Nr. 773, datë 04.06.2008. "Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike në Koplik, Shkodër dhe miratimin e bonusit me procedurë përzgjedhëse konkurruese".
Cilësia ushqimore, nga italianët
Instituti Italian i Certifikimit të Cilësisë prej disa javësh po ushtron funksionin e saj edhe në Shqipëri. Ky institut drejtohet nga presidenti Alessandro Felloni. Të gjitha vendet jashtë BE-së, që kanë nënshkruar MSA-në, janë të detyruara të ndjekin rregullat e Certifikimit të Cilësisë. Ky institut, pas inspektimit që bën nëpër lokale dhe hotelet kryesore të vendit, vlerëson nivelin e cilësisë së tyre, të cilin më pas e përkthen në yjet që ata meritojnë. Instituti Italian i Certifikimit është një realitet dinamik dhe certifikon sisteme në kompani, produkte, shërbime etj. Ky institut ofron katër marka për mbështetjen dhe ecurinë e tregut dhe për nevoja të kompanive të ndryshme. Instituti Italian i Certifikimit operon në tregun italian dhe ndërkombëtar përmes qendrës në Losanna dhe selisë operative në Torino. Certifikon produktet, sistemet e kompanive, të personelit, ambientit dhe shërbimeve. Gjithashtu, zhvillon funksionet e certifikimit nëpërmjet përdorimit të katër markave që përfaqësojnë dhe karakterizojnë sektorë të ndryshëm operativë. Instituti Italian i Certifikimit operon në tregun kombëtar, ndërkombëtar, europian, duke u nisur në vënien e simboleve tregtare dhe markave të depozituara për të vlerësuar arritjet e tyre. Markat identifikuese të certifikimit të produkteve bazohen në hapësirën e traditës së certifikimit të produktit, që artikulohet nëpërmjet verifikimeve teknike dhe atyre laboratorike.
13 Qershor 2008