"Arrestoni administratorin e Al- Kadit, Abu Rayan"

Gjykata e Apelit vendosi dje ndryshimin e masës së dënimit për administratorin e pasurive të Jasin Al Kadi, i cilësuar si financues i terrorizmit
Akuzohej për fshehje fondesh dhe pasurish, për të cilat ka zbatuar masa kundër financimit të terrorizmit, dënohet me 4 vite burg
TIRANË- Apeli i Krimeve të Rënda, ndryshoi vendimin e 22 dhjetorit 2009 të Shkallës së Parë, ndaj jordanezit Hamze Abu Rajan (Hamzeh Abu Rayan), administrator i pronave të Jasin Al-Kadi në Shqipëri.
Pas dhënies së vendimit, Gjykata urdhëroi prokurorinë të arrestonte menjëherë jordanezin Rayan, për të vuajtur 4 vitet e dënimit të dhënë për veprën penale të "fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera ndaj të cilëve zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit".
Veç masës së dënimit prej 4 vitesh burg, kjo gjykatë vendosi që i pandehuri të dënohet edhe me gjobë prej 600 mijë lekësh të reja. Më parë Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda e kishte dënuar me tri vite burg jordanezin, por me kusht që të mos kryente krim tjetër.
Sipas vendimit, nuk qëndronin pretendimet trupit gjykues Shkallës së Parë, për pezullimin e masës së dënimit ndaj jordanezit Rajan, pasi ai pretendon për pafajësi dhe rrezikon largimin nga vendi.
Në këtë mënyrë u urdhërua prokuroria të arrestonte administratorin e pasurive të Jasin Al-Kadi në Shqipëri.
Në fund të vitit 2009 Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet e kryesuar nga gjyqtari Sandër Simoni, pas 62 seancave gjyqësore vendosi deklarimin fajtor të jordanezit Rajan për akuzën e "fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera ndaj të cilëve zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit".
Sipas vendimit të dhjetorit 2009 gjykata kishte vlerësuar mungesën e rrezikshmërisë së të pandehurit dhe rrethanave të tjera lehtësuese për të vendosur pezullimin e masës së dënimit, duke e dënuar për tre vite me kusht që mos të kryejë asnjë vepër tjetër penale. Ky vendim, sipas mbrojtësit ligjor, ishte i padrejtë dhe për këtë shkak, u ankimua në Apelin e Krimeve të Rënda.
I pandehuri, i pranishëm në seancën e 22 dhjetorit 2009 kërkoi pafajësi, duke pretenduar se nuk ka konsumuar asnjë vepër penale me veprimet e tij. Prokurori i çështjes, Edvin Kondili, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, para trupit gjykues, u pati kërkuar dënimin e të pandehurit Abu Rajan me 6 vite burg dhe 5 milionë lekë të reja gjobë.
Kjo masë dënimi, sipas argumentimit të prokurorit, duhej të jepej pasi i pandehuri Rajan me veprimet e tij kishte konsumuar veprën penale të "fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera ndaj të cilëve zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit", duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 80 mijë euro.
I pandehuri Rajan është i punësuar me detyrën e administratorit të shoqërisë "Loxhall" sh.p.k me pronar sheikun arab Jasin Al Kadi (Yasin Al-Qadi) i cili ndodhej që nga 17 shtatori 2001 në listën OKB-së, si i dyshuar për financimin e terrorizmit. Kjo shoqëri, nën administrimin e Abu Rajanit, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, vazhdonte prej kohësh të ushtronte aktivitetin e biznesit nëpërmjet dhënies me qira të pasurive të paluajtshme.
Nga hetimi gjyqësor është provuar se vetëm në kryeqytet, shoqëria "Loxhall" sh.p.k. ka 19 objekte të dhëna me qira, dhe pagesat për këto aktivitete ishin kryer me para në dorë, duke mos kaluar nëpërmjet sistemit bankar.