Vrasësi i tre vëllezërve, debate në sallën e gjyqi
KORÇË/ Të afërm të viktimave kanë kundërshtuar kërkesat e mbrojtjes për një gjykim të shkurtuar
Korçë- Familjarët e vëllezërve Mulliri prishin seancën gjyqësore, në një kohë që salla e gjyqit është kthyer në një arenë debatesh, duke bërë që të dështojë për herë të dytë procesi gjyqësor ndaj të pandehurit Besim Karaj.
Ai akuzohet për vrasjen e tre vëllezërve Mulliri në 28 janar në fshatin Vidohovë të rrethit të Devollit. Ndërsa seanca e parë është shtyrë për shkak të tërheqjes së avokatit të caktuar kryesisht nga shteti për të pandehurin, gjatë të mërkurës kanë qenë familjarët e viktimave që kanë shpërthyer gati në një revoltë të vërtetë.
Pas paraqitjes së avokatit Gjergji Gjoka i caktuar kryesisht për mbrojtjen e 41-vjeçarit Besim Karaj, Gjergji Koço që kryeson trupin gjykues ka kërkuar që mbrojtja të paraqesë pretendimet e saj.
Kërkesa për gjykim të shkurtuar e avokatit të Karajt (e cila në rast pranimi nënkupton që i dënuari s'mund të marrë një dënim më të madh se 25 vjet burg) ka shkaktuar indinjatë tek të afërmit e viktimave. Babai i këtyre të fundit, por dhe familjarë të tjerë kanë nisur të protestojnë mes lotëve në sallën ku kryhej gjykimi, duke i bërë apel gjykatësve për të reaguar ndaj kësaj kërkese tërësisht absurde për ta.
Megjithë ndërhyrjen e policisë nuk është bërë i mundur shtensionimi i situatës. Këto zhvillime e kanë detyruar trupin gjykues të tërhiqet për disa minuta deri në kthimin në normalitet të situatës. Pas rikthimit të qetësisë pas afro 10 minutash, trupi gjykues ka nisur çështjen.
Për të pranuar ose për ta hedhur poshtë kërkesën për gjykim të shkurtuar, trupi gjykues është tërhequr për të ardhur me një vendim, i cili do të bëhet publik vetëm më 1 prill, në seancën e tretë të kësaj çështjeje që lidhet me një nga krimet më të rënda të këtij fillmviti.