“Arrëthyesi”, baleti magjik që kthen buzqeshjen tek fëmijët
Izaura Ndoj
Në këtë fund viti, Teatri Kombëtarë i Opereas dhe Baletit, ka zgjedhur një mënyrë mjaft origjinale për të ndarë sëbashku me fëmijët emocionet më të bukura të këtij viti që po lëmë pas. Në një mbrëmje gala, artistë, personalitete të jetës sociale dhe politike në vend etj., kanë ndarë së bashku me shumë fëmijë emocionet e magjisë që përcjell baleti “Arrëthyesi”, që është një nga kryeveprat e muzikës dhe kërcimit botëror. Fëmijët, të cilët kanë humbur njerëzit e tyre të shtrenjtë, që kanë ndier braktisjen që në moshë të njomë, por dhe që nuk kanë mundësi të festojnë, për 2 orë me rradhë kanë ndier dorën e solidaritet të shtrirë nga interpretuesit skenik, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë në sallën e Operas. Ashtu si personazhi i baletit të magjishëm të Çajkovskit – Droselmejer, që i dhuron Klarës së vogël kukullën e Arrëthyesit, ashtu dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit u dhuroi këtyre fëmijëve këtë shfaqje, e cila në gjithë botën këto ditë është simbol i dashurisë njerëzore dhe i ndjenjave më të mira për fëmijët, që janë e ardhmja e çdo shoqërie. Pesha dhe rëndësia e këtij aktiviteti kishte një vlerë të veçantë, pasi në krijimin e gjithë kësaj atmosfere mjaft të bukur për botën e fëmijëve, një rol të veçantë luajti edhe zonja, Liri Berisha, e cila ishte edhe promotorja e këtij aktiviteti. Fëmijët, në gjirin e artistëve, janë ndier zotër të një prej sallave më prestigjioze të vendit dhe midis një publiku të nderuar që përbëhej nga përfaqësues të institucioneve dhe organizmave më të larta qeveritare dhe joqeveritare.
Artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, nëpërmjet kësaj shafqe, dëshironin të ndanin kënaqësinë e artit të tyre me fëmijët, me qëllim, kthimin e buzqeshjes në këto ditë festash. Vetë koreografi i këtij baleti, Ilir Kerni, i cili është edhe një nga figurat emblematike të dancit shqiptarë, është shoqëruar në skenë dhe nga balerinë të tjerë të njohur si Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ledia Sulaj, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Fatjon Lito, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Muçollari, Greta Hushi, etj. Baleti premierë vjen i ndërtuar me skenografi të Zorz Drausnik, kostumet nga Elva Bella dhe dirigjent, Petrika Afezolli. Baleti i porositur nga Drejtori i Teatrit të Moskës me kërkesën specifike të mbretërve rusë, menjëherë u bë vepra më popullore që vihet në skenë në periudhën e festave të fundvitit. Vënia e parë skenike, që u realizua në të njëjtën kohë me operën “Iolanta” po e kompozitorit Çajkovski, u realizua në 18 dhjetor 1892 pranë Teatrit Mariinskij të San Pietroburgo, Rusi. Shfaqja me koreografi të balerinit rus Lev Ivanovi, u drejtua nga kompozitori italian Riçardo Drigo. Mes interpretuesve të kësaj shfaqjeje spikasin italiania Antonietta Dell'Era, në rolin e Fata Confetto, rusi Pavel Gerdt, Olga Preobrajenska dhe i riu Nicolaj Legat. Suita e këtij baleti u bë mjaft popullore në ambientet e koncerteve, aq sa vetë Çajkovski vendosi të nxjerrë shtatë lëvizje. “Arrëthyesi” është realizuar në kinema, teatër dhe madje edhe në sport, sidomos muzika dhe drama e tij. Një shembull kinematografik është filmi Fantasia e Disney-t, në të cilin zana, kërpudha të animuara dhe peshq vallëzojnë nën ritmin e notave të “Arrëthyesit”. Në çdo lloj trajtimi, partitura muzikore e Çajkovskit është riprodhuar pa asnjë ndryshim.
21 Dhjetor 2009