E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, ISHP: Të hënë nis vaksinimi për personelin mjekësor

Emanuela Sako
Vaksinimi kundër A/H1N1 do të nisë të hënën me personelin mjekësor. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli ka bërë të ditur se tashmë vaksina është marrë në dorëzim dhe është gati për të vazhduar dhënien e dozave. Instituti i Shëndetit Publik ka marrë në dorëzim 10 mijë dozat e para të vaksinës kundër AH1N1 të cilat mbërritën të premten në mbrëmje në vendin tonë nga Hungaria. Drejtori i ISHP, Alban Ylli, ka deklaruar se dhe Shqipëria sikurse vendet e tjera në botë do të kryejë vaksinimin në disa faza sipas nivelit të riskut nga gripi i derrit në popullatë. “Që nga SHBA e deri tek vendet fqinje është aplikuar fushata e vaksinimit sipas një sistemi prioritar, që do të thotë se me ardhjen e dozave të tjera të vaksinës do të vaksinohen dhe grupet e tjera të rrezikuara, siç janë gratë shtatzëna apo kategori të tjera në popullatë”, - tha Ylli.
Dozat
Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se gjithsej janë porositur rreth 250 mijë doza të cilat do të mbulojnë nevojat për gjithë grupet e përcaktuara. Ndërsa Drejtori i Politikave në MSH, Pëllumb Pipero theksoi se detyrë e ministrisë është ta sigurojë dhe rekomandojë kryerjen e vaksinës por ajo në asnjë mënyrë nuk detyron qytetarët ta aplikojnë. Deri më tani, në vendin tonë janë konfirmuar 5 raste me vdekje nga virusi pandemik A/H1N1, ku midis tyre viktima e fundit ishte një vajzë 18-vjeçare nga Berati, e cila ishte dhe shtatzënë në muajin e tetë. Deri tani janë konfirmuar 350 persona me AH1N1.
Kategoritë
Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar kategoritë më të rrezikuara nga gripi i derrit. Sipas përfaqësuesve të shëndetësisë, grupet e para që do të vaksinohen janë fëmijët e moshës 1 deri në 5 vjeç, gratë shtatzëna, personeli mjekësor dhe të sëmurët kronikë. “Unë besoj që vaksinat e para ndaj gripit pandemik A/H1N1, janë 10 mijë dozat e para që vijnë nga Hungaria. Ka një plan dërgese nga kompania në të cilën janë prenotuar vaksinat në Hungari. Në javët në vijim pritet të vijnë 10 mijë dozat e tjera të vaksinës, kjo edhe për shkak të kapacitetit prodhues të kompanisë, po ashtu dhe për mundësitë e transportit”, - shprehet Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Deri më tani, nga rastet që kanë humbur jetën 5 persona, ndërsa 3 persona kanë qenë të sëmurë kronikë dhe një tjetër ka qenë shtatzënë. Ndërsa rasti i 31- vjeçarit nga Vlora është i dyshimtë, pasi ai nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Po i tillë, konsiderohet edhe rasti i 18- vjeçares shtatzënë, e cila nuk vuante nga sëmundje kronike, por për shkak të shtatzënisë dhe një anemie që është normale në këtë periudhë, humbi jetën nga komplikacionet që shkaktoi virusi në mushkëritë e viktimës. Specialistët sqarojnë se kategoritë e mësipërme, e kanë të nevojshme kryerjen e vaksinës në kohë, pasi virusi pandemik është i predispozuar të krijojë komplikacione.

Në pikëpyetje efektet e vaksinës kundër gripit të derrit

Vaksina kundër gripit të derrit ka rezultuar sa e efektshme aq edhe problematike, pasi mendohet se shumë pacientë kanë humbur jetën për shkak të efekteve anësore që shfaqen. Aktualisht, vaksina ka shkaktuar një sërë alergjish tek disa persona, të cilët kanë humbur edhe jetën. Por më të rrezikuar janë personat që janë të prekur me sëmundje kronik, të cilët përveçse e kanë të domosdoshme marrjen e vaksinës janë edhe më të rrezikuar. Bëhet fjalë sidomos për ata që kanë probleme të alergjive të ndryshme, apo ata persona që kanë probleme me mushkëritë. Efektet anësore të vaksinës janë nga më të ndryshmet, madje specialistë të huaj kanë deklaruar se kjo është një vaksinë që është e prodhuar në një situatë pandemie dhe për këtë arsye mund të shfaqet e rrezikshme në disa raste. OBSH-ja ka lajmëruar se të gjitha efektet anësore të shfaqura deri më sot janë të pritshme dhe se asnjë prej tyre nuk ka kaluar pritshmërinë e saj. Sipas OBSH-së, përveç efekteve anësore në vendin e bërjes së vaksinës janë vërejtur edhe sëmundje të personave të vaksinuar me temperaturë dhe dhimbje dhe të gjitha këto kalojnë brenda 48 orësh duke mos përbërë problem. Simptomat si temperatura, dhimbjet e kokës, lodhje, dhimbje muskujsh, ndodhin menjëherë pas bërjes së vaksinës. Për më tepër, specialistët e OBSH-së bëjnë të ditur se janë vërejtur edhe raste të një sërë alergjish. Gjithashtu, OBSH-ja ka deklaruar se janë vërejtur raste të sindromës Guillain-Barre, që ka të bëjë me sëmundje neuropatike të shkaktuara nga vaksinat, por sërish, numri i të prekurve është brenda normales, sipas organizatës. Pavarësisht se vaksina ndaj A/H1N1 ka sjellë efekte anësore, si reaksione alergjike në shtete të ndryshme që e kanë aplikuar, Pipero thotë se këto janë efekte afatshkurta që sjellin edhe vaksinat e tjera. “

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›