Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia festojnë liberalizimin e vizave
Banorët e tre shteteve ballkanike: Serbisë, Malit të Zi dhe ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë, tashmë mund të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Europian. Për të shënuar këtë moment të rëndësishëm, ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç vendosi të udhëtonte drejt Hungarisë në mesnatë. “Eshtë një lajm vërtet i mirë për Serbinë. Sonte është një natë e madhe. Jemi sërish në një situatë që kemi qenë 20 vjet me përpara. Në këtë mënyrë ne ndihemi pjesë e Europës”- deklaroi Jeremiç. Nga ana tjeter e kufirit, ministrit serb iu dha një certifikatë si serbi i parë që kalon kufirin pa vizë drejt Hungarisë sipas regjimit të ri. Të shumtë ishin edhe banorët e tjerë që morën pjesë në këtë ceremoni simbolike. “Ky është një tjetër mur Berlini që u rrëzua sot për popullin e Serbisë”- u shpreh një qytetar. Edhe në Shkup pati festime për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Europian. Nata mes të premtes dhe të shtunës u quajt nata e bardhë duke hequr kufizimet e orareve për klubet e natës dhe pabet. I ashtuquajturi mur i Shengenit nuk u arrit të rrëzohej për Shqipërinë dhe Bosnjën, të cilat nuk mundën të përmbushnin kushtet e Komisionit Europian brenda afatit, por kanë një mundësi për t’iu bashkuar vendeve fqinje deri vitin tjetër. Situata paraqitet më e zbehtë për Kosovën. Për 40 vjet radhazi, shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë udhëtonin pa viza në Europën Perëndimore si republika të Federatës Jugosllave, i vetmi vend komunist që u lejonte shtetasve të tij lëvizje të lirë jashtë vendit. Kërkesat për viza u vendosën në vitin 1991 me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Sllovenisë dhe më pas Kroacisë iu ofrua heqja e kërkesave për viza. Tani kjo masë përfshin edhe Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
21 Dhjetor 2009