Kopenhagen, arrihet mes kontestimesh marrëveshja për klimën
Blerina Olldashi
Samiti për klimën në Kopenhagën ka përfunduar me arritjen e një marrëveshjeje, e cila u kontestua nga shtete të ndryshme, të cilat janë në zhvillim e sipër. Mbi 110 presidentë dhe kryeministra morën pjesë në samit, mes të cilëve edhe presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, kancelaria gjermane Angela Merkel, presidenti francez Nikolas Sarkozi. “Më në fund kemi arritur një marrëveshje, një marrëveshje të vërtetë. Ia vlejti që janë mbledhur krerët e mbarë botës”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun para gazetarëve. Ajo që Ki Mun deshi ta shiste si sukses, ishte vetëm një marrëveshje politike e arritur një natë më parë mes përfaqësuesve të 25 vendeve më të zhvilluara industriale dhe atyre në ekspansion. Shumë vende kanë protestuar ndaj kësaj marrëveshje, e cila nuk është miratuar, por është “marrë në konsideratë”. Dokumenti parashikon kufirin e ngrohjes së Tokës prej dy gradësh dhe ndihma financiare për vendet në zhvillim. Debatet ishin të ashpra dhe dokumenti u bë i mundur vetëm pas ndërhyrjes së ministrit britanik të Mjedisit Ed Miliband i cili theksoi se përfaqësuesit e samitit ta pranonin këtë dokument si zyrtar, por pa ndonjë votim zyrtar dhe pa e miratuar atë. Ban Ki Mun tha se “dokumenti duhet të shndërrohet në një marrëveshje zyrtare”, duke shtuar se muajt e ardhshëm do të punohet shumë në këtë drejtim me të gjithë politikanët. Deri në momentet e fundit dukej se samiti do të dështonte totalisht. Ian Fry, delegat i organizatës së shteteve të Paqësorit, të cilat janë rrezikuar nga ngritja e nivelit të ujit, bëri të ditur se ata nuk e pranojnë kompromisin minimal të 25 vendeve të zhvilluara dhe atyre në ekspansion. Të njëjtit mendim ishin dhe përfaqësuesit e shumë vendeve jugore. Klaudia Salerno Caldera, nga Venezuela tregoi dorën e ngjyrosur me ngjyrë të kuqe, duke thënë se dorën e ka prerë për të sensibilizuar opinionin për kërkesat e vendit të saj. “Kemi pasur durim, kemi qenë diplomatikë dhe diskretë. Por në këtë moment duam, para Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, nëse këtu ekziston ndonjë vend që punon kundër Kartës së OKB-së“, theksoi ajo.
Me tekstin e marrëveshjes nuk ishin dakord as Bolivia, Nikaragua, Kuba dhe vende të tjera. 10 ditë negociatash në kryeqytetin e Danimarkës përfunduan pa rezultate konkrete. Në këtë mënyrë u refuzua marrëveshja e arritur me dyer të mbyllura prej 25 vendeve të zhvilluara industriale dhe atyre në ekspansion. Por marrëveshja ka sjellë përparime në çështjen e financimit për vendet në zhvillim. Ato duhet të marrin deri në vitin 2020 nga 100 miliardë dollarë në vit, për përmirësimin e klimës. Në çështjen e lirimit të gazrave të dëmshëm, nuk është arritur asgjë. Presidentët dhe kryeministrat nuk ishin në gjendje të përcaktojnë kuota të qarta për planet deri në vitin 2020. Nuk është arritur asnjë marrëveshje madje as për planet deri në vitin 2050. Organizatat joqeveritare janë totalisht të zhgënjyera. Kumi Naido i organizatës Greenpeace pohon: “Kjo është tradhti e të varfërve, tradhti e vendeve të prekura, e vendeve ishuj dhe tradhti e fëmijëve dhe nipërve të këtij planeti”.
21 Dhjetor 2009