Vasili: Mjekët, trajnim të specializuar për vendin e punës
Jonida Late
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka ripërsëritur paralajmërimin për mjekët e pakualifikuar, të cilët duhet të kryejnë trajnime për të qëndruar në vendet e punës. Sipas Vasilit, që një sistem shëndetësor të jetë funksional ai duhet të ketë mjek të trajnuar, të kualifikuar dhe specializuar, duke nënkuptuar që ai që nuk i plotëson këto kritere do të largohet nga vendi i punës. Deklaratat e Ministrit të Shëndetësisë u bënë gjatë konferencës vjetore të gastrologjisë. Gjatë kësaj konference, një kompani farmaceutike i dhuroi QSUT “Nënë Tereza” medikamente me shumën e 10 mijë eurove. “Një sistem mjekësor pa mjekë, infermierë, apo edhe figura të tjera mjekësore që shërbejnë, të cilët nuk thellohen në dije mjekësore, sigurisht që nuk mund të japin atë që qytetari dhe pacienti jep”,- theksoi ministri i Shëndetësisë. Një tjetër pikë ku Vasili fokusoi fjalën e tij ishte reforma në shëndetësi, që sipas tij ka vetëm një drejtim: spitale publike për qytetarët. Vasili tha gjithashtu se bluzat e bardha të pakualifikuara janë në dëm të pacientëve dhe kosto për sistemin shëndetësor. “Të varfrit marrin një shërbim pa pagesë në këtë sistem, fëmijët marrin shërbim pa pagesë në këtë sistem, të tërë ata që sigurohen marrin një shërbim pa pagesë në sistem, por abuzuesit nuk marrin shërbim pa pagesë. Kjo është rruga e vetme në të cilën duhet të ecë një mjekësi normale, një mjekësi pa kaos, një mjekësi pa konfuzion, një mjekësi pa borxhe”,- u shpreh Vasili.
21 Dhjetor 2009