E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, KZAP-ja vendos për rivotim në 3 komuna

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), në seancën e mbajtur ditën e djeshme, ka marrë vendim të udhëzojë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që të urdhërojë përsëritjen e votimit në komunën e Prizrenit, Gjilanit, dhe Lipjanit, ku janë shënuar parregullsi në rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash.
Paneli i KZAP-it, i përbërë nga Osman Tmava, kryesues, Ymer Hoxha dhe Muharrem Shala, duke vendosur në lidhje me ankesat e parashtruara për parregullsitë në procesin e votimit për rrethin e dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave të Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit, mori vendim që të pranohen ankesat e subjekteve politike. Kryetari i KZAP-it, Tahir Rrecaj, ka thënë se arsyet pse kanë marrë një vendim të tillë është sepse në bazë të fakteve të prezantuara nga palët ankuese, si dhe nga hetimet që janë kryer nga ana e komisionit janë konstatuar një varg parregullsish, dhe se mund të ketë pasur mashtrime, falsifikime dhe gabime, të cilat e bëjnë procesin zgjedhor për këto tri komuna jo të vlefshëm. “Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa para disa minutash ka marrë një vendim me të cilin ka shqyrtuar 43 ankesa në bazë të rregullave dhe procedurave të KZAP-it, ne kemi mundësi që ankesat ku kanë të bëjnë me çështje të njëjta ose të ngjashme mund të shqyrtohen njëkohësisht dhe të merret një vendim ashtu që për 43 ankesat të cilat kanë të bëjnë kryesisht me komunën e Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit, ne kemi vendos një vendim.

Greqi
Policia shkatërron rrjetin pedofilik

Policia greke zhvilloi një operacion për arrestimin e përdoruesve të site-ve me video dhe fotografi pedofilike. Operacioni u zhvillua në zonën veriore të Greqisë, kryesisht në qytetet e Selanikut, Larisës, Kilkisit, Gumenicës, Janinës dhe Kavalles. Sipas policisë greke, informacioni për përdoruesit grekë të siteve me porno, protagonist të së cilave janë fëmijë të mitur nën 10 vjeç, e morën nga Interpoli. Në pranga ranë 18 persona, të gjithë me arsim universitar dhe njerëz të njohur në komunitetet ku jetojnë. Në banesat e të arrestuarve, u gjeten kompjutera dhe hard disqe me fotografi dhe video porno.

Afganistan
Karzai paraqet kabinetin e tij në Kuvend

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka paraqitur listën me emrat e ministrave për kabinetin e ri. Në këtë listë janë shumica e ministrave të tij aktualë, që favorizohen nga Perëndimi, përfshirë ministrin e mbrojtjes, Abdul Rahim Vardak, të brendshëm Mohamad Hanif Atmar dhe ministrin e financave, Hazarat Omar Zekelval. Pritet që lista me 23 ministra të miratohet nga Parlamenti. Presidenti Karzai, që u rizgjodh në votimet e 20 gushtit, që ishin përshkuar me vjedhje, ishte nën presion intensiv nga vendet perëndimore për ta pastruar qeverinë e tij nga korrupsioni dhe keqmenagjimi.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›