E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenali në krizë totale, Liverpuli fiton në Londër

LONDER- Arsenali duket në një pikë kritike, pas një sezoni zhgënjyes, një vere zhgënjyese dhe një fushate merkatoje tepër modeste. “Topçinjtë” janë mundur 0-2 nga Liverpuli në supersfidën e javës së dytë të Premier Ligës, zhvilluar të shtunën në “Emirates”. Pa 8 futbollistë titullarë, me një Arshavin në formë katastrofë dhe me një skuadër që duket totalisht jashtë forme, Arsenali i Venger ka dështuar sërish. Mungesat e londinezëve kanë qenë një skuadër e tërë, duke nisur nga Uilshajër që ka probleme me kaviljen deri tek afrikanët Song e Zhervinjo të skualifikuar. Nasri ndërkohë ka luajtur në rolin e organizatorit, në atë që mund të jetë sfida e tij e fundit me “Topçinjtë”. Në krahun tjetër, trajneri i Liverpulit Keni Dalglish ka lënë në mënyrë të habitshme në stol Luis Suarez, megjithatë skuadra e tij është përgjigjur mirë. Arsenali e nisi ndeshjen me probleme, pasi Koshielni doli jashtë pas vetëm 14 minutash, për shkak të një problemi në shpinë. Hoze Enrike pati rastin më të mirë në pjesën e parë për miqtë, ndërsa në të dytën, skuadrat kanë qenë për çudi shumë të kujdesshme. Ndeshja ka dhuruar pak momente të mira, ndërsa 20 minuta para fundit gjithçka ndryshoi. Frimpong, një nga më të mirët në fushë, mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Arsenalin me 10 vetë. Më pas, Dalglish luan gjithçka për gjithçka, duke hedhur në fushë Meireles dhe Suarez. Në minutën e 78-të ka ardhur goli i avantazhit. Suarez niset në pozicion jashtë loje, Migel i merr topin dhe e përplas mbi Ramsin, që e dërgon në portën e tij. 0-1 për “Reds”. Në minutat e mbetura, Suarez shënon golin e dytë, pas një asisti të Meireles në zonë.
Ndeshjet
Në takimet e tjera të luajtura të shtunën, spikat fitorja 1-0 e Njukasëllit në derbin ndaj Sandërlendit. Sfida është vendosur nga një gol i Tejlor në pjesën e dytë, pas një goditjeje dënimi perfekte, që nuk i la shumë mundësi portierit të “maceve të zeza”. Më përpara, Njukasallit iu mohua një penallti e pastër, pasi një nga mbrojtësit e Sandërlendit ndaloi me dorë një top të drejtuar portës. Ndërkohë, Evertoni e ka nisur me humbje këtë kampionat. Në ndeshjen e parë për të (ndeshja me Totenhemin një javë më parë u shty) ekipi nga Liverpuli u mund 0-1 në “Goodison Park” nga QPR-ja e ardhur nga kategoria e dytë. Sfida është vendosur nga goli i Smith në minutën e 31-të të pjesës së parë. Ndërkohë, barazim pa gola në sfidën mes Suonsi e Uigan, ndërsa Aston Vila mposhti 3-1 Blekbërnin, duke marrë edhe përkohësisht kreun e klasifikimit në Premier Ligë. Java e dytë vijon sot, me tre ndeshje të tjera, ku spikat sidomos përballja mes Boltonit dhe Sitit.
Çelsi
Çelsi i Andre Vilas Boas ka marrë fitoren e parë për këtë sezon të Premier Ligës, duke mposhtur 2-1 Uest Bromuiç Albion në “Stemford Brixh”. Në pjesën e parë, miqtë kryesuan 0-1, pas golit në minutën e katërt nga Lang. Në të dytën, blutë e rritën së tepërmi presionin, duke barazuar pas 8 minutash me Anelka. Kur dukej se gjithçka do të përfundonte në barazim, Florent Maluda arriti të shënonte golin e fitores, duke e ngjitur skuadrën e Vilas Boas në kuotën e 4 pikëve, aq sa Liverpuli e Aston Vila.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›