Arrihet kompromisi, rikthehet në KQZ përfaqësuesja e PS-së
Emanuela Sako
Procesi i zgjedhjeve të djeshme, i konsideruar nga partitë politike me nota kaluese, ka nisur me probleme të mëdha, të cilat kanë përfunduar me bojkotimin e përfaqësueses së Partisë Socialiste në KQZ. Por vetëm pasdite është rikthyer në detyrë nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Në mbledhjen e orës 11:00 të paradites së djeshme situata ka kaluar në debate të ashpra mes nënkryetares së Komisionit, përfaqësuese e PS-së Dëshira Subashi dhe anëtarëve të PD-së. Shkak për largimin e saj u bë votimi i projektvendimit ku nuk u lejuan llambat inkandeshente dhe celularë për të bërë verifikimin e kartave të identitetit ndaj votuesve të paraqitur për të votuar në qendrën e tyre nga përfaqësuesit e PS-së. Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një konferencë për shtyp, deklaroi se akti i miratuar në lidhje me shqetësimin për përdorimin nga ana e Partisë Socialiste të disa pajisjeve shtesë gjatë procesit të votimit, është në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor. Sipas Subashit, kjo çështje ishte jashtë kompetencave të komisionit dhe votimi për aktin nuk duhet të kryhej brenda kësaj dite.
Deklarata
Votimi për ndalimin e pajisjeve shtesë nga ana e përfaqësuesve të PS-së në disa zona u bë me maksimumin e votave nga komisionerët. Me 4 vota pro dhe dy kundër u hodh kërkesa e Subashit për mosvotim në ditën e zgjedhjeve. Sipas saj, situata kaloi deri në fyerje personale. Pas braktisjes së sallës, nënkryetarja e KQZ-së akuzoi për shkelje të rregullave. “Jam këtu për projektvendimin që KQZ-ja mori në shqyrtim dhe vendosi në minutat e fundit, që pasoi edhe këtë situatë të pakëndshme të lidhur personalisht me mua. Qysh në paraditen e sotme, përfaqësuesi i PD-së në KQZ me një pjesë të Komisionit, pretendoi shqetësimin e forcës së tij politike lidhur me përdorimin nga PS-ja të disa pajisjeve që kishin të bënin me verifikimin e kartave të identitetit ndaj votuesve të paraqitur për të votuar në qendrën e tyre”, - u shpreh Subashi.
Situata
Pas kësaj ngjarjeje procesi vazhdoi normalisht duke përfshirë të gjithë situatën e ditës së djeshme që u zhvillua në të gjithë vendin. KQZ-ja informoi në çdo kohë për të gjitha të dhënat e fundit dhe problemet e hasura në të gjitha qendrat gjatë procesit të votimit, ku pati dhe probleme me vulat apo bojën e përdorur. Të gjitha u deklaruan në çdo kohë nga anëtarët, ku u zgjidh problemi i bojës dhe i vulave, të cilat u zëvendësuan menjëherë me urdhër të KQZ-së.
Kryetari i KQZ-së është shprehur dje se do të ketë penalizime për komisionerët që kanë braktisur procesin. Për 5 qendrat që nuk u zhvillua procesi apo në 3 qendrat që komisionerët braktisën procesin është dorëzuar kallëzim penal.
Procesi i KQZ-së
Ora 07:00
Arben Ristani
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka deklaruar të hapur procesin zgjedhor në të gjithë vendin. Ristani ka konfirmuar se pothuajse të gjitha qendrat e votimit në vend janë përgatitur për pritjen e qytetarëve për realizimin e votimeve në të gjithë vendin.
0ra 09:00
Leonard Olli
Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, bëri deklaratën e parë para mediave për ditën e zgjedhjeve, duke konfirmuar ecurinë pozitive të procesit zgjedhor në mbarë vendin. Ai bëri të ditur se janë përgatitur të gjitha qendrat e votimit, duke konfirmuar disa raste shqetësuese, por që janë konsideruar sporadike.
Ora 10:50
Leonard Olli
Në mbledhjen e parë informuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike pranë Komisionit, u ngrit shqetësimi se komisionerët e propozuar nga Partia Socialiste janë duke përdorur procedura krejtësisht të kundërligjshme. Sipas deklaratës së Ollit, ata ishin duke përdorur llamba me ndriçim ultraviolet për të bërë të mundur, sipas tyre, verifikimin e dokumenteve të identifikimit të shtetasve.
Ora 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon mbledhjen e tij për shkak të veprimeve të komisionerëve, të cilët përdornin celularë dhe llambat inkandeshente. Gjatë kësaj mbledhjeje u zhvilluan debate mes anëtarëve të PS-së dhe PD-së për shkak të votimit për projektvendimin. Pas debateve të ashpra brenda sallës së zhvillimit të mbledhjes, nënkryetarja Dëshira Subashi u largua nga salla.
Ora 12:00
Dëshira Subashi
Nënkryetarja Dëshira Subashi del në deklaratë për mediat pas braktisjes së mbledhjes. Votimin e projektvendimit e ka cilësuar si një zhvillim jashtë rregullave të përcaktuara me ligj. Sipas saj, ky është një pretendim i kotë dhe që një votim i tillë nuk mund të kryhet në një ditë të tillë si dita e votimeve.
Ora 17:00
Arben Ristani
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, vijoi me një deklaratë për shtyp për situatën e zhvilluar gjatë ditës në të gjitha qendrat zgjedhore në vend. Njëkohësisht ajo konfirmoi pjesëmarrjen në të gjitha qarqet e vendit. Sipas Ristanit, deri në 16:30 procesi zgjedhor ka ecur mirë në të gjithë vendin, me përjashtim të disa problemeve që u vunë re që në orët e para të mëngjesit.
Ora 19:00
Përfundoi zyrtarisht procesi i votimit
Sipas orarit të përcaktuar, ora 19:00 shënoi dhe përfundimin e votimit në të gjithë vendin. Procesi i votimit u realizua në të 12-të qarqet të vendit. Ndërsa në disa qendra të tjera kishte ende votues pas dyerve, të cilëve iu mblodhën dokumentet e identifikimit nga komisionerët në mënyrë që t’u lejohej votimi. Të tjerët që shkuan më vonë nuk votuan.
4750
qendra vendore në të gjithë vendin
66
qendra numërimi
3 qendra
votimi i ndërprerë
5 qendra
nuk nis procesi
Dyndja më e madhe në votime, gjatë paradites
Periudha e mëngjesit deri në mesditë ka shënuar edhe dyndjen më të madhe në votime. Ky fakt është konfirmuar dje nga kreu i KQZ-së, zoti Ristani, i cili ka pohuar se deri në orën 14:30 ka pasur një pjesëmarrje të lartë të shqiptarëve në votime. Kështu, në Berat, deri në këtë orë kanë votuar 37 për qind e zgjedhësve, në Dibër 39 për qind, në Durrës 34 për qind, në Fier 38 për qind, në Elbasan 37 për qind, në Gjirokastër 34 për qind, në Korçë 35 për qind, në Kukës 41 për qind, në Lezhë 34 për qind, në Shkodër 35 për qind, në Tiranë 38 për qind dhe në Vlorë 33 për qind e votuesve.
29 Qershor 2009