E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi zgjedhor, incidente sporadike në të gjithë vendin

Çfarë ka ndodhur nga ora 7.00 deri në mesnatë, harta e ngjarjeve. Incidentet orë pas ore të ndodhura në qytete e periferi në qendrat e votimit

Laureta Rryçi

Procesi zgjedhor i ditës së djeshme do të mbahet mend si ditë me incidente sporadike në qytete e periferi të Shqipërisë. Incidente që duket se nuk do të cenojnë standardet të cilat i shumë dëshirojnë të gjithë shqiptarët. Standarde që pas procesit të votimit kanë tentuar t’i cilësojnë si meritë të tyre subjektet kryesore politike në vend. Megjithatë, edhe pse sporadike janë shënuar jo pak incidente në të gjithë vendin. Gazeta “Albania” zbardh më poshtë në mënyrë kronologjike për lexuesin e saj incidentet e shënuara nga ora 07.00 kur dhe ka nisur procesi e deri në mesnatë, teksa kutitë e votimit janë drejtuar drejt qendrave të numërimit.
Incidentet
Dita e djeshme ka nisur me bojkotimin e zgjedhjeve nga disa fshatra të cilat kanë zgjedhur të mos votojnë për shkak të pakënaqësive nga politika e vendit. Më tej incidentet kanë vijuar në disa qendra votimi mes komisionerëve të PS-së dhe PD-së. Nuk kanë munguar rastet kur militantë të PD-së kanë krijuar situata tensioni. Rasti i parë i dhunës fizike është shënuar në një zonë të qytetit të Korçës. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste ka denoncuar se kanë ushtruar dhune fizike ndaj tij disa të rinj militantë të Partisë Demokratike. Më tej raste dhune janë shënuar në Fier, Berat, Lazarat dhe Mirditë. Rasti më i rëndë është cilësuar në kryeqytet në dhunën që është ushtruar ndaj kandidatit të Partisë Socialiste, Sajmir Tahirit.
Pas procesit
Pas përfundimit të procesit të votimit, shtëllunga tymi kanë zënë qiellin e kryeqytetit. Bunkeri i vënë nga lëvizja “zgjohu” pak ditë më parë, është përfshirë nga flakët. Drejtuesi i kësaj lëvizje mohon të jetë vetë protagonisti dhe është shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tij rreth kësaj ngjarje. Ndërkohë policia ka rrethuar vendin e ngjarjes duke mbledhur provat e para për të zbardhur sa më parë arsyen e ngjarjes dhe personin që ka kryer veprimin e kundraligjshëm.

Boc
Policia shoqëron kutitë e votimit
Policia e Shtetit me mbylljen e procesit të votimit ka kaluar në një fazë tjetër të rëndësishme të detyrave të saj zgjedhore. Kjo fazë ka të bëjë me shoqërimin e kutive me fletët e votimit nga qendrat e votimit për në vendet e numërimit të votimeve. Ky proces ka filluar pas orës 19.00 dhe ka vijuar normalisht pa pasur asnjë incident. Sipas qarqeve, deri rreth orës 22.00 janë shoqëruar materialet zgjedhore pranë vendeve të numërimit të votimeve si më poshtë: Kukës janë shoqëruar 66 kuti,Shkodër 130 kuti, Lezhë 120 kuti, Dibër 60 kuti, Durrës 38 kuti, Tiranë 90 kuti, Elbasan 176 kuti, Korçë 146 kuti, Fier 12 kuti, Berat 30 kuti, Vlorë 30, Gjirokastër 143.

07.30 Fier
Komisionerët e tre fshatrave të qarkut të Fierit dhe një fshat në Tepelenë kanë refuzuar të tërheqin materialet zgjedhore në shenjë proteste për mungesë investimesh. Këta 2000 banorë të 3 fshatrave të komunës Portez e kanë argumentuar bojkotimin e tyre për votimet si shenjë proteste për rrugën e dëmtuar.

08.00 Tepelenë
Banorët e fshatit Meshboran, rreth 233 banorë kanë refuzuar votimin në shenjë proteste të gjendjes së keqe në këtë fshat, sidomos në infrastrukturë.

08.30 Fier
Në Kallm nuk ka nisur procesi. Shkak është bërë ndërrimi i komisionarëve. Emrat e komisionarëve të ndërruar i përkasin Partisë Socialiste janë ndërruar gjatë natës dhe ende nuk kishin konfirmuar emrat e komisionerëve të rinj.

Ora 09.00 Fier
Në komunën Levan të Fierit në disa qendra votimi listat e zgjedhësve nuk kanë pasur vulën e kreut të komunës duke shkaktuar kështu vonesa. Ndërsa në disa qendra të tjera informohet se nuk votohej ende.

09.45 Tiranë
Në qendrën e Votimit Nr.1862, pranë shkollës “Shyqyri Peza” në Kombinat, nga Komisioni i Qendrës së Votimit është kërkuar ndërhyrja e shërbimeve të policisë për nxjerrjen jashtë të shtetasit Mihal Xhaka, vëzhgues i Subjektit Politik Partia Socialiste, i cili sipas KQV-se mbante sende të pa lejuara në Qendrën e Votimit.

10.00 Tiranë

Sajmir Tahiri denoncon në media se shoqëruesi i ministrit Nishani ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij. “Ata ushtruan dhunë mbi mua duke më tërhequr dhe duke më marrë objektet personale”-deklaroi Tahiri. Vetë kandidati socialist nuk saktësoi objektin personal konkret të cilën i kishin sekuestruar. Ndërsa Majlinda Bregu në një prononcim për median, menjëherë pas denoncimit nga PS të rastit tha se Sajmir Tahirit i ishte sekuestruar një stilolaps me kamera që filmonte votën.

11.00 Fier
Votim skandaloz në një qendër zgjedhore në komunën Dermenas, pak kilometra larg qendrës së qytetit të Fierit. Mediat kanë transmetuar pamjen ku tregohej si mungonte dhoma e fshehtë votimi, ku votuesve nuk u lyhet gishti me boje.

11.13 Elbasan
Kreu i KZAZ-së së zonës 12-të të Elbasanit, Kushtrim Aliaj ka kapur një komisioner me kamera, duke ia konfiskuar atë. Ndërkohë, Partia Demokratike e këtij rrethi ka depozituar një kërkesë në KZAZ-në lokale për të denoncuar mjetet e palejuara të mbajtura nga persona të ndryshëm në qendrat e votimit.

11.20 Librazhd
Sipas Partisë Socialiste, Prefektja ka goditur një qytetare në dalje të qendrës së votimit pasi e ka pyetur për kë votoi ajo. Gjithashtu, po sipas PS-së, drejtori i arsimit në Librazhd është takuar në qendrën e votimit me disa arsimtarë.

11.21 Dibër
Shfaqet rasti i parë i votimit familjar në qendrën e votimit 1122 në Peshkopi në qarkun e Dibrës. Incidenti ka rënë në sy edhe të komisionerëve të huaj.

11.45 Vlorë
Një incident është shënuar në Tragjasë të Vlorës, ku një person u ka grisur fletët e votimit kunatave të tij dhe me pas ka qëlluar me grusht një anëtar të komisionit.

11:50 Vlorë
Në Vlorë, kur ora kishte shënuar 11.50 minuta në qendrën e votimit pranë Pallatit të Sportit nuk kishte filluar votimi pasi është vjedhur vula.

13.00 Peqin
Në Pajovë të Peqinit është bllokuar procesi pasi përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë qendër bashkë me fletën e votimit i pajiste zgjedhësit edhe me një copë letër ku shkruhej numri rendor i PD-së. Pasi kanë parë këto akte anëtarët socialistë kanë debatuar ashpër. Komisionerja socialiste është larguar bashkë me vulën, për t’u rikthyer disa orë më vonë.

13.25 Korçë
Një person është sulmuar në fshatin Sulaj të Bilishtit, nga disa të rinj pasi doli nga një qendër votimi. I lënduari rezultoi se ishte Halil Pajo 68-vjeç. Pajo është anëtar i shtabit të Partisë Socialiste. Ai ka rrëfyer se të rinjtë që e sulmuan ishin në një makinë me targa greke dhe që mbanin flamuj të PD-së.

13:42 Elbasan

Bllokohet procesi në 6 qendra votimi, shkak stilolapsat. Mësohet se KZZ-të kanë pezulluar procesin e votimit duke pritur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me çështjen e përdorimit të stilolapsave nga ana e komisionerëve të PS-së.

14.00 Fier
Kërcënohet me armë komisioneri socialist në fshatin Rruzhdie të Fierit. Partia Socialiste pas këtij incidenti ka bërë kallëzim penale për rastin në fjalë. Mësohet se janë nisur hetimet për të zbardhur më tej ngjarjen në fjalë

14.15 Përmet
Gilber Jaçe kryetari i partisë së Socialiste në Përmet është shfaqur me një grup të rinjsh. Votimi është ndërprerë vetëm për pak çaste derisa disa nga komisionerët janë sqaruar me Jaçen.

14.20 Fier
Incident në fshatin Kumana, pak kilometra larg Fierit. Përqasje mes dy militantëve. Ai i PD-së ndodhet në spital se ka marrë plagë të lehta dhe është dërguar për pak çaste për të marrë ndihmën mjekësore. Më pas policia duket se ka marrë situatën në dorë duke u rikthyer gjithçka në normalitet.

14.25 Durrës
Një fugon në Durrës shëtit me para. Tenton të korruptojë votën qytetarëve që i drejtohen drejt votës. Fakti është denoncuar nga përfaqësues të forcës politike të LSI-së. Sipas tyre fugoni i përkiste militantëve të partisë Demokratike.

14.25 Berat
Në komunën Topojës ne Berat, një militant i PD-së ka goditur kryetarin e komunës. Kandidati për deputet i LSI-së në qarkun e Fierit, Dritan Prifti ka bërë me dije se është denoncuar personi i dyshuar si autor.

15.00 Kamzë
Komisioni i qendrës së votimit 15/ 95 i lagjes nr.4 ne Bathore ka përzënë nënkryetarin e KZAZ-së së Kamzës, Altin Xhixhën. Ky i fundit mësohet se kishte hyrë për të parë se si po shkonte procesi i votimit. Menjëherë pas këtij incidenti të rëndë, në vendngjarje kanë mbërritur vëzhgues të OSBE-ODIHR-it si dhe forcat e policisë, të thirrura nga nënkryetari i KZAZ-së.

15:00 Tiranë
Padi penale tre simpatizantëve PS, fyen vëzhguesit e PD-së. Policia e Tiranës njoftoi se, dje në afërsi të shkollës "Mysime Kokolari" në Tiranë, dy shtetas, vëzhgues të jashtëm të subjektit politik Partia Demokratike, janë fyer dhe kanosur nga simpatizantë të subjektit Partia Socialiste.

16:02 Kavajë
Incidente janë evidentuar edhe në disa qendra votimi në Kavajë.
Në qendrën e votimit në fshatin Spille të Kavajës janë vërtetuar raste kur në këndin e fshehtë të votimit plotësojnë fletën e votimit dy persona në të njëjtën kohë.

17:12 Tiranë

Është vënë re se disa qytetare, edhe në Tiranë, nuk kanë mundur të votojnë pasi në pasaporta mbajnë emrin e vajzërisë, ndërsa nuk kanë ndryshuar gjeneralitetin pas martesës. Kjo i ka vështirësuar të gjejnë emrat në listën e lagjes ku banojnë ose të mos e kenë emrin në listat zgjedhore

15.20 Kamzë
Për anomali në proces është shprehur edhe kandidati socialist Sul Cara, i cili akuzon kryetarin e Bashkisë së Kamzës se po përdor administratën për të bërë presion tek votuesit. “Ky presion po bëhet nga punonjësit e bashkisë. Për këto katër qendra do komunikojmë me përfaqësuesit e KZAZ-së dhe mund të tërheqim edhe komisionerët tanë”, ka deklaruar Cara.

17.30 Korçë

Incident në një fshat të Korçës. Në Leshnicë jepet informacioni se komisionerët e partisë Socialistë janë mbajtur “peng” nga militantët e PD-së. Pas këtij informacioni mësohet se janë nisur përfaqësues të shtabeve elektorale për të mësuar diçka më shumë rreth ngjarjes në fjalë. Ndërkohë mësohej se banorët nuk kanë mundur dot të votojnë, por kanë qëndruar në radhë në pritje të zgjidhje të situatës.

17.44 Kukës
Gabimet në mbiemrin e disa personave janë kthyer në mollën e sherrit në qendrën e votimit në shkollën “Bajram Curri”, në Kukës. Sipas informacioneve të fundit, një grup policësh kanë nxjerrë nga qendra e votimit kryetarin dhe nënkryetarin socialist të qendrës zgjedhore, për shkak se kanë lejuar të votojnë një grup personash, mbiemri i të cilëve është Elezaj, ndërsa në kartën e identitetit Elezi.

17.56 Mirditë
Komisionerët e një qendre votimi në Fan të Mirditës janë përplasur me njeri-tjetrin, duke sjelle probleme në vijueshmërinë e procesit. Në këtë qendër duhet të votojnë 170 persona, ndërsa shumë zgjedhës u detyruan të qëndronin në radhë pas pezullimit prej disa orësh të procesit.

18.00 Tepelenë
Incident gjatë votimit për zgjedhjet parlamentare në Kurvelesh të Tepelenës. Komisioneri i PS, shtetasi Julian Balili është goditur nga përfaqësues të PD. Lajmi konfirmohet nga kandidati për deputet në këtë zonë, Et’hem Ruka. Sipas tij, Balili është goditur nga shtetasi Jaho Cedro, militant i PD dhe njëkohësisht, familjar i kryetarit të PD-së në Kurvelesh.

18.30 Gjirokastër

Deputeti Vangjel Tavo gjatë vëzhgimit të Qendrës së Votimit në Komunën Lazarat ka vërejtur se kryetari i Komunës Dashnor Aliko duke ushtruar gjatë gjithë kohës presion mbi votuesit. Sipas Tavos këto veprime po bëheshin për të manipuluar rezultatet duke ushtruar presion mbi komisionerët socialistë.

20.20 Tiranë
Flakë në qendër të kryeqytetit. Digjet bunkeri i vënë pak ditë më parë nga lëvizja “Zgjohu”. Përfaqësuesit e kësaj lëvizje mohojnë të jenë autorët. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit dhe forcat e policisë për të vënë situatën në kontroll.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›