Rezultati i zgjedhjeve, sot në orën 14:00 ODIHR-i jep deklaratën e parë
Zyrtarët më të lartë të misionit ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve në vendin tonë do të japin sot në orën 14:00, në mjediset e Hotel Tirana International, vlerësimin paraprak, por tejet të rëndësishëm, për procesin zgjedhor. Burimet zyrtare të ODIHR-it në Varshavë (Poloni) dolën dy ditë më parë me një njoftim për median, ku jepnin të gjitha detajet e konferencës që do të bëjë vlerësimin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën dje në të gjithë Shqipërinë. Sipas saj, “deklarata paraprake do të mbahet nga zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, i cili është edhe koordinatori special i misionit të vëzhguesve afatshkurtër, i ndjekur edhe nga Korien Xhonker, kryetare e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës; Brus Xhorxh, kryetar i Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s; ambasadorja Odrei Glover, që kryeson misionin afatgjatë të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it. Ashtu siç është bërë e ditur edhe më parë, deklarata paraprake që do të përvijojë standardet e zgjedhjeve do të lexohet nga ambasadori Grosruk, i njohur si mik i kryeministrit Berisha dhe mbështetës i PD-së. Por, zëvendës i tij do të jetë kongresisti amerikan, Hastings, i cili është treguar tejet kritik me qeverinë në lidhje me procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Vonesat në nisjen e tij dhe problemet që kanë dalë gjatë këtyre muajve janë bërë shkas që mijëra qytetarë të mos kenë të drejtën kushtetuese të ushtrimit të së drejtës së votës më 28 qershor.
29 Qershor 2009