PS: Policia e Shtetit i ka bërë presion komisionerëve dhe vëzhguesve tanë në Elbasan
Tiranë - Partia Socialiste, me një letër dërguar misionit të OSBE-ODIHR-it në Shqipëri, ka denoncuar shoqërimin në polici të komisionerit të saj në Elbasan, Shkëlzen Faiku. Selia rozë ka denoncuar gjithashtu edhe dhunimin fizik që i është bërë vëzhguesit të saj, Kujtim Shinkolla, nga punonjësi i zyrës së Tatim-Taksave, Zyber Troku. Sipas Partisë Socialiste, të dyja këto incidente kanë sfond politik dhe janë bërë me qëllim frikësimin e komisionerëve dhe vëzhguesve të saj. Selia rozë ka denoncuar ndalimin pa asnjë arsye të komisionerit të saj, Kujtim Shinkolla, duke akuzuar Policinë e Shtetit se po bën presion të hapur ndaj komisionerëve të kësaj partie.
Partia Socialiste ka denoncuar gjithashtu një tjetër incident. Sipas saj, në komunën Shalës të rrethit Elbasan, punonjësi i zyrës se Tatim-taksave Zyber Troku, ka goditur dhe keqtrajtuar banorin Kujtim Shinkolla, i cili mban statusin e vëzhguesit të Partisë Socialiste dhe ka kërcënuar me jetë kryetarin e komisionit, Albert Rama, të subjektit zgjedhor të Partisë Socialiste. “Këto janë incidente që tregojnë se qeveria po përjeton me ankth orët e fundit dhe po mundohet të përdorë çdo mjet antiligjor për të rezistuar”, - thuhet në letrën e dërguar nga PS-ja e Elbasanit në drejtim të OSBE-së.
28 Qershor 2009