E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata sekuestron pasuritë e vëllezërve shqiptarë që cilësohen si organizatë në Greqi

Pas informacioneve të mbërritura nga shteti grek prokurorët gjejnë llogari, prona, karburante. Vazhdon hetimi për të zbardhur skemën e pastrimit të parave në bankat tona

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive mbi pesë llogari bankare që i përkasin një shtetasi shqiptar. Ky vendim ka ardhur pas kërkesës së njësisë së Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës pas hetimeve për pastrim parash. Burime nga Gjykata e Tiranës pohuan dje për gazetën “Albania” se autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet pas informacioneve të mbërritura nga Drejtoria e Pastrimit të Parave të shtetit grek. Sipas këtyre informacioneve të ardhura në rrugë zyrtare, thuhet se shqiptari A. Sh. prej disa vitesh ka ushtruar biznese të paligjshme në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë, dhe përfitimet mendohet se i ka depozituar në bankat e nivelit të dytë që operojnë në bankat shqiptare, duke ndërtuar kështu një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave. Kanë mjaftuar këto informacione për të nisur verifikimet për personin në fjalë. Pas hetimeve, prokurorët e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë konstatuar se për pastrim parash nuk dyshohet vetëm personi në fjalë, por edhe disa të tjerë, të cilët kanë lidhje farefisnore me të duke rritur kështu ndjeshëm shumën e parave për të cilat pretendohet se po kryhet procesi i pastrimit të parave.
Hetimet
Sipas dokumenteve zyrtare, më 22 maj të këtij viti Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të Shtetit ka dërguar një material për fillimin e ndjekjes penale në Prokurorinë e Tiranës. Po në këtë datë në Prokurori ka ardhur dhe një material tjetër nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas kësaj shkrese kjo drejtori dispononte informacionin nga autoritetet homologe greke se shtetasi shqiptar A. Sh. po hetohet në shtetin grek për veprat penale të trafikut të qenieve njerëzore dhe të pastrimit të parave. Ky shtetas, së bashku me vëllanë e tij, S. Sh., akuzohen për krijim të organizatës kriminale me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit. Po sipas shkresës zyrtare organizata kishte një fitim prej 12 mijë eurosh në ditë dhe fitimet e përllogaritura që janë dërguar në Shqipëri janë afërsisht 1 milion e 500 mijë euro. Vëllezërit janë me origjinë nga Berati, por kanë banesën e tyre prej vitesh në një nga lagjet e kryeqytetit.
Organizata
Vendimi i gjykatës duket se do të kryqëzojë një nga organizatat jo pak të rëndësishme që drejtohet nga shqiptarët në territorin grek. Sipas shkresës zyrtare, kjo veprimtari kriminale ka filluar para tre vitesh dhe kryesisht paratë e fituara brenda ditës u kalonin vëllezërve. Më pas këta përdornin një të afërmin e tyre dhe një mikun e këtij të fundit për të kaluar paratë në llogari bankare në Shqipëri. Pas këtij informacioni kanë nisur verifikimet e tyre prokurorët shqiptarë. Ata kanë vërejtur se personat në fjalë kanë disa llogari bankare në Shqipëri, disa të tjera në Greqi, të cilat i kanë kaluar në emra të tjerë që kanë njohje me ta për të fshehur gjurmët, pasuri të paluajtshme të konsiderueshme.

Policia dhe autoritetet e Kufirit angazhohen para OSBE-së për ruajtjen e votës

Gjirokastër - Në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, të gjithë efektivat e policisë të planifikuar në ruajtjen e qendrave të votimit, të qendrave të numërimit të votave dhe të komisioneve zonale, si dhe të gjithë punonjësit e policisë, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë në gjithë territorin e qarkut, kanë zhvilluar një takim paraprak edhe në prani të ekspertëve të OSBE-së, ku janë dhënë porositë e fundit në lidhje me këtë proces. Drejtori i Policisë së qarkut, Arben Hyseni, ndër të tjera u ka kërkuar të gjithë efektivëve të zbatojnë me përpikëri ligjin duke siguruar rendin dhe sigurinë për një proces sa më të qetë dhe të sigurt. Një porosi tjetër u dha përsa i përket uniformës dhe pamjes së jashtme që punonjësit e policisë duhet të kenë gjatë procesit zgjedhor. Shefi i zyrës Rajonale të OSCE-së ka theksuar se ky proces është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe policia duhet të japë kontributin e saj duke zbatuar ligjin në këtë proces. Ai ka falënderuar policinë e qarkut dhe të Kufirit për sjelljen dhe zbatimin e ligjit gjatë fushatës elektorale duke u kërkuar që të sillen dhe të zbatojnë ligjin deri në përfundim të procesit zgjedhor. Ndërsa drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit ka theksuar faktin që siç jemi bashkërisht jemi të angazhuar në procesin zgjedhor, ashtu jemi bashkërisht të dy drejtoritë në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe në marrjen e masave të përbashkëta në pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër e akset rrugore. Më pas të gjithë punonjësit e policisë kanë marrë librin e xhepit me detyrat e punonjësit të policisë për zgjedhjet. Rreth orës 11:00 do të fillojë shpërndarja e punonjësve të policisë për në qendrat e votimit, ku në orën 20:00, të ditës së sotme do të marrin në dorëzim objekte zgjedhore.

Piu një helm që mbyt insektet, 28-vjeçarja gjendet në gjendje të rëndë në banesë

Durrës – Është dërguar në Spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore një 28-vjeçare, e cila mësohet se kishte pirë një helm që mbyt insektet. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Albania” nga burime policore, sipas të cilave e dëmtuara me inicialet V. Z. është e moshës 28 vjeç dhe banuese në fshatin Shën-Vlash të Durrësit. Ndërkaq, mësohet se pasi i është dhënë ndihma e parë në Durrës, ajo është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin Ushtarak të Tiranës. Nga veprimet e para hetimore rezulton se ajo është vetëhelmuar duke pirë një sasi helmi që përdoret për insektet, e cila është bllokuar në cilësinë e provës materiale. Po punohet për sqarimi e rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet do t’i kalohen prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes me anën e helmit”, e parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Poliçan, sherr me thika për motive të dobëta

Poliçan- Dy grupe të rinjsh janë përplasur mes tyre në qendër të Poliçanit. Ngjarja ka ndodhur në mesditë, kur një grup të rinjsh u përfshinë në një sherr, i cili ka pasur si shkak motive të dobëta dhe më pas ka degraduar në përdorimin e thikave. Personat e përfshirë në konflikt mendohet se kanë pasur konflikte të vjetra mes tyre dhe kanë synuar që ti zgjidhnin ato dje. Mësohet se 2 persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe u dërguan menjëherë në spitalin e Beratit, nga ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq nuk bëhet i ditur identiteti i të plagosurve apo numri i pjesëmarrësve në këtë ngjarje.

Vetëhelmohet 30-vjeçari, dyshohet se vuante nga depresioni

Elbasan – Një 30-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës duke konsumuar një sasi helmi të fuqishëm. Genci Terziu, 30 vjeç, banues në fshatin Fikas të Elbasanit, është vetëhelmuar dy ditë më parë me Rogor-40, një helm i fuqishëm bujqësor që përdoret për ngordhjen e parazitëve në drufrutorë. Mësohet se kanë qenë familjarët që gjetën në gjendje të rëndë 30-vjeçarin ndërsa janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë duke e transportuar me urgjencë në spitalin e Elbasanit dhe më pas në atë të Tiranës.
Sipas mjekëve, Tereziu ndodhet në gjendje kritike për jetën për shkak të dozës së lartë dhe kalimit të toksinave në gjak.
Ndërkohë që të lajmëruar për ngjarjen, forcat e policisë kanë marrë në pyetje familjarët e 30-vjeçarit me qëllim zbardhjen e motiveve. Burime nga policia thanë se në bazë të deklarimeve të familjarëve të Tereziut mësohet se ai prej kohësh vuante nga depresioni gjë e cila mund ta ketë detyruar atë të tentojë t’i japë fund jetës. Megjithatë burimet shtuan se po punohet për të zbardhur shkakun e vërtetë të kësaj ngjarjeje.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›