Kronologjia e zhvillimeve në selinë e LSI-së
Prononcimi i parë nga Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë nga nënkryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi, i cili, duke shprehur shqetësimin për disa incidente të vogla, garantoi qëndrimin e LSI-së për të kontribuuar në një proces zgjedhor normal. Xhufi tha se LSI-ja, me anë të rrjetit të saj të vëzhguesve dhe bashkëpunëtorëve, do të ishte shumë aktive në denoncimin e rasteve që tentonin manipulimin e zgjedhjeve.
Ndërkaq, në një tjetër konferencë për shtyp ka dalë kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili ka vlerësuar klimën pozitive të zhvillimit të zgjedhjeve duke theksuar se incidentet dhe parregullsitë e ndodhura nuk cenojnë thelbin e standardeve. Gjithashtu ka reaguar edhe kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, e cila ka falënderuar të rinjtë për pjesëmarrjen e tyre në votime.
Në orën 19:00, kur ka përfunduar orari zyrtar i votimeve, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka dhënë një konferencë për shtyp, duke u bërë apel dhe thirrje të gjithë personave që të menaxhojnë procesin zgjedhor, të respektojnë standardet edhe gjatë procesit të transportimit të kutive të numërimit dhe numërimit të votave. Meta u bëri thirrje komisionerëve që të mos ndikohen nga rezultatet e sondazheve, por të respektojnë vullnetin e zgjedhësve.
29 Qershor 2009