E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici i Burgjeve provokon dhe fyen nënkryetarin e KZAZ-së së Kamzës



TIRANË - Një ditë para zgjedhjeve, Komisioni Qendror ka hasur problemet e para me infrastrukturën zgjedhore, ndërsa policisë i duhet të hetojë incidentin në KZAZ-në Nr. 56 në Kamzë, ku një person i dyshuar si polic i Burgjeve ka fyer nënkryetarin e saj. Tri rastet kanë prishur dje qetësinë e pritur në 24 orët e heshtjes zgjedhore. Ndërsa KQZ-ja ka marrë masa për rregullimin e dy rasteve të saj, policia është në hetim e sipër dhe kapjen e personit të dyshuar si polic i Burgjeve.
Kallëzimi
Nënkryetari i KZAZ-së Nr. 56 në Kamzë, zoti Altin Xhixha, ka deponuar kallëzim penal pranë shërbimeve të Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë, për veprën penale të “fyerjes për shkak të detyrës”. Kallëzimi i tij lidhet me ngjarjen e Kamzës, që cilësohet si më e rënda gjatë ditë-natës së heshtjes zgjedhore. Bazuar në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Tiranës, dje, rreth orës 10:30, në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Rugova” në Kamzë, objekt në të cilën është vendosur KZAZ-ja Nr. 56, punonjësit e policisë së Komisariatit Nr. 5 kanë konstatuar një automjet tip furgon të linjës taksi, nga i cili ka zbritur një shtetas me uniformë që ka shkëmbyer fjalë me nënkryetarin e KZAZ-së. Menjëherë pas kësaj, nënkryetari Xhixha i ka kërkuar patrullës së policisë që të largonte personin që zbriti nga furgoni, i cili mendohet të jetë efektiv i Drejtorisë së Burgjeve. “Në këto momente, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë, duke e larguar këtë shtetas, i cili në pamje të parë dukej në gjendje të dehur dhe pa mundur ta identifikojnë atë në mungesë të shenjave dalluese”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Tiranës.
Raste
Në mbledhjen e fundit, administrata e KQZ-së ka raportuar për humbjen e vulës së qendrës së votimit numër 3904 në KZAZ-në Nr. 32, në rrethin e Pogradecit si dhe janë djegur materialet zgjedhore në fshatin Vrri të Pukës. Të gjendur përballë këtyre problemeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur nxjerrjen jashtë funksioni të vulës së humbur dhe miratimin për prodhimin e vulës së re, e cila për arsye sigurie do të ketë një tjetër kod, si dhe do të zëvendësojë materialet zgjedhore në Vrri, përfshi dhe fletët e votimit. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, ka hedhur hije dyshimi për humbjen e kësaj vule pak orë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Në po këtë mbledhje KQZ-ja miratoi edhe ndryshimin e disa trajnuesve të grupeve të numërimit të votave si dhe ndryshimin e anëtarëve të disa KZAZ-ve në vend.
Incidenti tjetër i përket djegies së materialeve në fshatin Vrri të Pukës. Lajmi është dhënë për mediat nga burime të Partisë Socialiste, por më pas u konfirmua në vendngjarje se është djegur baza materiale zgjedhore në këtë fshat. Në vendngjarje u nisën edhe përfaqësues të ODIHR-it. Mësohet se materialet zgjedhore janë djegur gjatë rrugës drejt qendrës të votimit, por mbeten të paqarta shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje. Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve në Pukë i ka nxjerrë të pavlefshme të gjitha materialet e dëmtuara dhe i ka kërkuar KQZ-së zëvendësimin e tyre me materiale të reja, përfshi dhe fletët e votimit.

Mitingu i PS-së, policia krijoi tension dy ditë më parë

Policia përdori dy ditë më parë forcën, një shfaqje kjo e paprecedentë e viteve të fundit, duke bllokuar qendrën e Tiranës për mitingun e opozitës. Duket sikur kryeministri Berisha ka dashur të vërë në provë gatishmërinë e policisë së tij, të cilën do ta ketë në ndihmë edhe gjatë procesit zgjedhor. Përdorja e forcës për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një të moshuari. Ishte pikërisht momenti kur përkrahës të opozitës dhe forca të rendit u shtynë me njëri-tjetrin kur një person i moshuar humbi ndjenjat dhe u dërgua menjëherë në spital. Një tjetër çast që kulmoi incidentin ishte ai kur oficeri i Policisë, Krenar Ahmeti, në tentativë për të penguar nisjen e kamionit drejt Kryeministrisë, hyri poshtë tij dhe u lidh me pranga duke treguar kështu besnikërinë ndaj shefave të tij dhe duke dashur të përmirësojë imazhin e tij profesional pas ndëshkimit që mori duke u larguar nga detyra e kreut të Qarkullimit Rrugor dhe emërimit në një detyrë më të ulët, në atë të shefit të uniformave në Komisariatin e Elbasanit, si dhe duke justifikuar ardhjen e tij në Tiranë, në të njëjtën detyrë, në Komisariatin Nr. 2. Vetëm dy dytë para zgjedhjeve, drejtuesit e uniformave blu të Tiranës dhanë urdhër për rrethimin dhe bllokimin e bulevardit vetëm e vetëm për të penguar punimet për ndërtimin e skenës së mitingut të opozitës së kryesuar nga Partia Socialiste. Forcat e shumta policore, të ndërhyrjes së shpejtë, ato speciale, ku nuk ka munguar edhe asistenca e Gardës së Republikës, bllokuan me automjete dy anët e bulevardit. Forca policore ndaj opozitës, munguar që prej viteve ‘96-‘98, u demonstrua në sytë e qindra qytetarëve dhe vëzhguesve të huaj. Opozitarët ishin të shqetësuar dhe u shprehën se “kjo shenjë e ndërhyrjes ekstreme në një vend që quhet demokratik dhe anëtar i NATO-s, është shenjë dëshpëruese e humbjes së pozitës aktuale”.

Berisha ndjek nga dritarja përplasjen dhe drejton me telefon policinë

Përplasja e policisë me opozitarët u ndoq direkt nga kryeministri Berisha, i cili gjendej në zyrën e tij në Kryeministri. Mediat treguan me pamje çastet kur kryeministri doli herë pas here në dritare për të parë që në bulevard socialistët kishin nisur ndërtimin e podiumit për mitingun përmbyllës të fushatës elektorale. Gjatë gjithë kohës kryeministri vëzhgonte dhe komunikonte në telefon. Nuk dihet se me kë komunikonte, por opozitarët shpreheshin se ai komunikonte me drejtuesit e forcave policore që ishin dërguar në bulevard për të penguar opozitarët. Në sy të kryeministrit simpatizantët e PS-së në momente tensioni përplaseshin me policinë. Në të njëjtën kohë një tjetër incident ndodhi në afërsi të urës së bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, kur organizatorët e mitingut të selisë rozë tentuan të mos lejonin vendosjen e karrotrecëve të sjellë nga policia për të mos lejuar hyrjen e pajisjeve për ndërtimin e skenës së mitingut.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›