E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrihet marrëveshja dypalëshe me Prokurorinë e Belgjikës

Autori i Lajmit: red.
Me ftesë të autoriteteve të Mbretërisë së Belgjikës, nga data 25 deri më 28 maj 2009, Prokurorja e Përgjithshme e Republikës, zonja Ina Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bruksel dhe në Hagë. Gjatë vizitës në Mbretërinë e Belgjikës u prit në një takim të veçantë nga ministri Federal Belg, zoti Stefaan de Clerck. Gjatë këtij takimi, ministri Belg shprehu gjithë mbështetjen e tij për bashkëpunimin midis Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare dhe Prokurorisë Federale Belge. Në takimin që Kryeprokurorja Ina Rama pati me Kryeprokurorin Federal të Mbretërisë së Belgjikës, Johan Delmulle, u nënvizua rëndësia e vizitës së parë zyrtare të një kreu të akuzës shqiptare, dhe të dy palët ranë dakord për hartimin e një instrumenti ligjor bashkëpunimi për trajnimin e prokurorëve shqiptarë në fusha të specializuara të hetimit të krimit. Gjithashtu, në takim u diskutua vendosja e bashkëpunimit midis Institutit Kombëtar Belg të Magjistraturës me Shkollën shqiptare të Magjistraturës si dhe vendosjen e pikave të drejtpërdrejta të kontaktit për lehtësimin e ekstradimeve, zbatimit të letërporosive si dhe për kryerjen e hetimeve të përbashkëta për çështje që kanë interes për të dy palët. Në këtë takim, Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, iu shpreh ftesa e autoriteteve belge që vendi ynë të marrë pjesë me statusin e vëzhguesit në të gjitha mbledhjet dhe veprimtaritë e axhendës së drejtësisë kriminale përgjatë presidencës së radhës belge të Bashkimit Evropian në vitin 2010, ftesë që u pranua me kënaqësi. Gjatë qëndrimit në Bruksel, zonja Rama u takua dhe zhvilloi bisedime në selinë e Bashkimit Evropian, me drejtorin e Përgjithshëm të Çështjeve të Drejtësisë, zotin Francisco de Fonseca. Gjatë këtij takimi u nënvizua rëndësia thelbësore e përcaktuese që kanë liritë e njeriut, shteti i së drejtës dhe ndarja e pushteteve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndërsa gjatë vizitës në Hage, Kryeprokurorja Ina Rama u takua dhe zhvilloi bisedime me Presidentin e Eurojust, Jose Luis de Motta, zv.presidenten e Eurojust, Michele Koninsx, si dhe me drejtoreshen e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të këtij institucioni, Malci Gabrijelcic. Me përfaqësuesit e lartë të Eurojust u ra dakord për caktimin e një pike kontakti me këtë organizëm dhe me ndërmarrjen e negociatave për nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët midis vendit tonë dhe Eurojust për koordinimin dhe dhënien e asistencës në kryerjen e hetimeve të përbashkëta.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›