E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Unë, Kryeministri i Shqipërisë evropiane”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Mes entuziazmit të qindra qytetarëve dhe nën moton “Politikë e re për ndryshim”, Partia Socialiste ka hapur dje fushatën elektorale. Nga fusha e sportit në Qytetin Studenti, atje ku u kërkua ndryshimi dhe 18 vite me parë, mbështetësit e selisë rozë kanë përsëritur thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Në një skenë të madhe për herë të parë në publik, janë ulur në podium 140 kandidatët për deputetë të PS-së pas të cilëve ishin vendosur ekrane gjigante nga ku përcillej mesazhi i kandidatëve, por dhe mbështetësve të socialistëve. Ceremonia festive është hapur nga kreu i Asamblesë Socialiste, Gramoz Ruçi, dhe më pas ka vijuar me përfaqësues të tjerë të listës së kandidatëve socialistë dhe përfaqësues nga grupe të ndryshme interesi. Kryesocialisti Edi Rama, i cili mori fjalën i fundit, u bëri thirrje shqiptarëve të ndryshojnë vendin me votë. Duke iu përgjigjur kryeministrit Berisha, Rama përsëriti se nuk do të japë dorëheqjen nga kreu i Bashkisë së Tiranës për sa kohë ka marrë besimin e qytetarëve. Ai theksoi se ai kandidon për Kryeministër jo për të ndryshuar një karrige me një tjetër, por për të ndryshuar Shqipërinë.
Deklarata
“Përulem përpara shqiptarëve”, - kështu e nisi fjalën e tij kryesocialisti Edi Rama duke theksuar se politika e re do të ndryshojë qeverisjen e vendit. “Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa luftën e vjetër, shqiptarët meritojnë më shumë sesa një politikan që fiton me një tjetër, meritojnë një politikë që të ketë zemër që të ndiejë problemet e tyre, pasion dhe vullnet për të shkruar bashkë me ata një faqe të re në historinë e Shqipërisë”, - theksoi Rama para qindra mbështetësve socialistë. Rama deklaroi se fillimi i një historie të re duhet nisur nga ndryshimi i mënyrës se si janë bërë gjërat në vitet e fundit, duke ndryshuar rrënjët e politikës qeverisëse të këtij vendi. “Ja pse dua të bëhem Kryeministër”, - theksoi Rama, duke përmendur zgjidhjet për shumë probleme që shqetësojnë vendin. “18 vite më parë doli një rrymë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” kjo është ëndrra që më nxori dhe mua në rrugë atëherë dhe më ka sjellë përsëri këtu për t ju thënë se dua ta sjell qeverinë dhe politikën tek ju, duke e çuar në çdo fshat, duke e bërë instrument ndryshimi në duart e të gjithëve ju”, - u shpreh kreu socialist.
Rama tha se forca e besimit që i ka dhënë ndryshimi i Tiranës e ka bërë të dëshirojë një ndryshim të tillë për të gjithë Shqipërinë, përmes një qeverie kombëtare me një vizion qytetar. “Kryeqytetasit që prej 18 vitesh jetojnë me ndryshimin e madh të Tiranës, duan një ndryshim edhe më të thellë. Për t ua dhënë këtë ndryshim unë i kërkoj atyre votën për Kryeministër më 28 qershor, bashkë me PS-në. Ndërsa të gjithë shqiptarëve që e duan Shqipërinë të ndryshuar, siç ka ndryshuar Tirana, unë u them se jam këtu për të bërë të mundur bashkë me ta”, - theksoi kryetari i opozitës. Mes brohoritjeve të shumta, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, “Ndryshim” apo “Edi Rama”, kryesocialisti nënvizoi se me fitoren e 28 Qershorit do t u jepet zgjidhje pyetjeve të njerëzve, se pse Shqipëria nuk është në Bashkimin Evropian dhe pse shqiptarët nuk janë të lirë të lëvizin në Evropë.
Rama ka përmendur një nga një zgjidhjet për problemet e shqiptarëve, të cilat janë pjesë e programit të tij qeverisës. Ai i ktheu më tej përgjigje Kryeministrit, i cili i ka bërë thirrje të dorëhiqet nga posti i kreut të Bashkisë së Tiranës. “Berisha i ka drejtuar topat e baltës drejt Bashkisë dhe PS-së me një fushatë të dëshpëruar, për t i shpëtuar humbjes së pashmangshme, më 28 qershor. I gjori kryeplak i politikës së vjetër më kërkoi mua të iki nga detyra e Bashkisë, pa i pyetur ata që më zgjodhën”, - u shpreh Rama. “Ne do të fitojmë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë”, e mbylli fjalën e tij kreu i Partisë Socialiste, duke u pasuar nga prezantimi i hitit “Çohu” që do të jetë kolona zanore e PS në këto 30 ditë të fushatës zgjedhore.

Gramoz Ruçi
“Berisha premtoi shërbim shëndetësor, por dështoi, premtoi se do të reduktojë papunësinë, por dështoi, sa herë që pati mundësinë të na ndihmonte, ktheu shpinën dhe dështoi. Skandali më i madh i qeverisë së tij ndodhi në Gërdec. Shqiptarët do ta kujtojnë Gërdecin dhe do të votojnë kundër qeverisë së Gërdecit”

Luiza Xhuvani
“Shqipërinë, shqiptarët do ta bëjnë si Evropa, por përpara duhet ta bëjmë si Tirana, ky është vizioni i ri që përfaqëson Edi Rama dhe Shqipëria meriton. Kjo është arsyeja pse jam krenare që jam pjesë e listës së PS-së, jam dhe më shumë krenare që mbështes Edi Ramën si Kryeministrin tonë të ardhshëm”

Përfaqësuesja e të verbërve

“Në shekullin e ri, nuk ka vend politika dhunuese, ne duhet të ngremë zërin kundër dhunuesit, ndaj duhet t i ndëshkojmë ata me të gjitha mjetet, duhet ta luftojmë atë për t i thënë po dashurisë. Vendi ka nevojë për një politikë të re ku të gjithë shtetasit të gëzojnë në vendin e tyre”

Helidon Bele
“Dinjiteti i ish-të përndjekurve është rimëkëmbur. Ata duhet të integrohen më së miri në Shqipërinë shqiptare. Qeveritë e djathta kanë mashtruar ish- të përndjekurit. Edi Rama nuk premton mrekullia, siç bën Kryeministri, ata duhet të integrohen dhe kjo është një detyre edhe e Partisë Socialiste”
Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›