E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moderne në sfilata, konservatore në familje

Autori i Lajmit: red.
Sensuale, e rafinuar, transparente, e zhytur në luks me veshje Glamour por edhe me prekje të lehta chasuale… Kështu do të jetë femra gjatë këtij sezoni sipas Rezarta Skifterit. “Loja që luhet midis shoh dhe nuk shoh është shumë interesante dhe e bukur. Shpesh herë është shumë intriguese, femërore dhe shumë shumë delikte”, pohon Rezarta për modelet e reja të gjera dhe transparente. Në një vizitë në atelienë e saj sheh artin, përveç veshjeve të çuditshme që hera herës kupton me zor nga e kanë fillimin dhe fundin. Dekoret dhe ngjyrat e bëjnë të këndshëm atë ambient, ku klientet, biznesmene, avokate, aksionere të ndryshme kompanish qëndrojnë jo me padurim, por komode qoftë edhe për një bisedë të këndshme me Rezartën. Por jo vetëm njerëzit publik janë klientë te stilistes së njohur, ajo pohon se në atelienë e saj shpesh herë paraqiten edhe gjimnaziste, që kërkojnë fustanet e mbrëmjes së maturës, njerëz të thjeshtë që kërkojnë të jenë të veçantë, që vetëm Rezarta di ta bëjë.

Rezarta tashmë ka ardhur vera. Si duhet të vishen femrat këtë verë?
Sezoni i verës ka ardhur dhe ka trokitur në dyert e Shqipërisë. Në këtë sezon është një tendencë e veçantë, shumë Glamour, herë herë “chasual”, por me pak prekje të kësaj rryme. Ndërkohë që është më tepër Glamour, një femër klas, e rafinuar, një femër që edhe kur vesh një veshje di ta mbajë këtë veshje kaq bukur, pra edhe pse është e rafinuar dhe klas di ta mbajë veshjen sport dhe di ta kthejë këtë veshje në një veshje elegante. Kjo do të thotë që edhe pse kemi veshur një veshje sport, T-shirt dhe pantallona me xhepa të mëdhenj, pantallonat janë me forma të çrregullta, por ka elementë dhe material ii këtyre pantallonave është i rafinuar, mund të jetë një mëndafsh, që nuk është më xhins apo lino.

Çfarë materialesh do të përdoren këtë verë?
Materialet që do të përdoren janë mëndafshi, do të jetë mëndafshi i bashkangjitur me materiale paksa metalike, do të jenë materialet e tyleve, do të jetë pambuku. Pambuku është një material që nuk ikën asnjëherë, veçanërisht në sezonin e verës sepse është një nga materialet më komode dhe më praktike. Sigurisht që këtë verë do të jetë xhinsi i hollë. Duhet të evitojmë në mënyrë absolute xhinsin e trashë dhe të ngushtë. Nëse doni të mbani diçka të ngushtë përpiquni me materiale tepër tepër të holla, veçanërisht për femrat që nuk kanë celulit. Ndërkohë që do të jetë edhe material ii linosë, që është tepër i lehtë dhe i freskët për sa i përket pjesës sport.

Po format e kësaj vere si do të jenë Rezarta, në fustane, pantallona?
Format që do të mbizotërojnë do të jenë të rregullta dhe të çrregullta. Format e kanotiereve do të jenë me dy rripa ose të harkuara në pjesën e kraharorit dhe do të jenë relativisht të lirshme në trup. Kjo domethënë se nuk duhet të jenë fare të ngushta, streç apo të ngjitura pas trupit, por do të jenë relativisht të lirshme ose të gjëra. Duhen të jenë forma të gjëra në mënyrë që të lexohet kjo lloj elegance nëpërmjet kësaj gjerësie. Ndërsa bluzat do të kenë forma të rregullta por edhe të çrregullta. Të çrregullta do të thotë që të ketë prerje të çuditshme në bluzë. Duhet të ketë shumë prerje dhe efekt fjongosh, efekt tantelli, efekt rrudhash apo lidhjesh, zinxhirësh apo efekt të lehtë gurësh. Ajo që mbizotëron është lirshmëria dhe transparentja. Këmishat apo bluzat në këtë sezon do të jenë nga 30 deri në 50 apo 60 % transparente. Fakti që janë transparente i shkon edhe modelit që janë lehtshëm të gjera. Një kanotiere që ka lirshmëri në trup i shkon shumë mirë një transparencë sepse nëpërmjet kësaj lexohet shumë mirë linja nëpërmjet kësaj kanotiereje.

Pse veshje transparente?
Loja që luhet midis shoh dhe nuk shoh është shumë interesante dhe e bukur. Shpesh herë është shumë intriguese, femërore dhe shumë shumë delikte. Pak më parë unë thashë që kjo lloj femre është Gramour sepse kjo lloj femre vërtetë mban një material që është e një cilësie shumë të mirë siç është mëndafshi, vërtetë janë këto lloj bluzash dhe pantallonash që janë të gjëra, të lirshme, të derdhura, qoftë të gjata shumë apo edhe treçerekshe apo edhe deri në pjesën e gjuri. Të qenit të lirshme i bën këto veshje Gramour, dhe fakti që janë bluzë dhe pantallona i bën me një prekje “chasuale”.

Edhe vitin që kaloi chasual ishte një tendencë e qëndrueshme. Çfarë ndryshimi ka këtë vit?
Pra është një veshje që duhet sikur e ke marrë rastësisht dhe e ke veshur, por kjo rastësi nuk është ashtu sikurse ishte vjet, që në dyqane shikoje shumë T-shirt pambuku me shumë dizenjo multiplikativ, domethënë të filmave multiplikativ siç ishin Tomi-Jerry apo Tuity, siç janë personazhe të filmave vizatimor. Këtë vit janë më të rafinuara, më seksuale, janë më joshëse. Kjo lloj bluze apo kjo lloj këmishe shkon shumë bukur me një tip pantallona që është pak me shkëlqim apo që ka derdhje apo xhepa të çrregullt dhe forma të çrregullta. Bluzat janë relativisht transparente, ka edhe bluza dhe këmisha pambuku, por që janë përsëri relativisht të lirshme nën efekt guri shkëlqyes.

Fustanët çfarë formash do të kenë?
Një gjë tjetër që duhet thënë është se këto bluza dhe fustane që janë të lirshme, pra që vijnë të gjëra nga pjesa lart dhe nuk lexohen shumë format e trupit, ky fakt do të thotë se ka sensualitet në këtë lloj veshjeje. Domethënë që syri dhe truri e percepton që kjo femër është elegante edhe pse veshja vjen jo më shumë formë. Këto veshje janë si me materiale lisho, pa dizenjo ashtu edhe me materiale që janë pak me luspën e peshkut. Luspa e peshkut që ka një shkëlqim është një tendencë këtë sezon. Këto fustane, që janë në prerje veref, gjysmë veref do t i shikojmë shpesh herë me këto shkëlqime që janë pafka, por jo pafka që janë me shumë shumë shkëlqim, por që shkon deri diku shkëlqimi dhe kthehet mbrapsht.

Rezarta çfarë ngjyrash këshilloni?
Të gjitha këto modele dhe materialesh që unë thashë duhet të shoqërohen me një rozë antike, një bezhë në gri, një rozë antike e përzier me ngjyrë pjepri, grija e bashkangjitur me këtë rozë të vjetër, pra janë ngjyra shumë të shumuara, ngjyra të zbehta, apo ngjyrë gri apo bezhë, blu e bashkangjiture me grinë, gri e përzier me blunë. Këto janë një grup ngjyrash që janë shumë në tendencë, që janë ngjyrat e vjetra, ngjyrat e vrara, ngjyra të përziera.

Çfarë këpucësh apo sandalesh janë të modës?
Të modës janë sandale të larta, shumë të larta, por jo vetëm në takë, por edhe përpara. Kjo sandale është e modës, por aspak e rehatshme. Unë e kam blerë, e mbaj në shtëpi, por maksimumi mbahet në një rast darke apo në Pub. Kjo sepse është shumë jo komode që të ecësh në rrugët e Tiranës, në këtë vapë dhe me ato taka. Unë mendoj dhe ua sugjeroj që vajzat e Tiranës duhet të vishen shumë praktike paradite. Modën dhe tendencën ta bëjnë në darkë dhe në pjesën lart të veshjes. Për mendimin tim duhet të qëndrojnë me taka të ulëta ose më praktike, të sheshta. Për ato femra që duan sandale apo këpucë me takë, taka ortopedike është më komode. Tendencën e modës duhet ta bëjnë pasdite apo në darkë.

Rezarta na trego pak për sfilatën tuaj të fundit të këtij sezoni...
Sfilata ime e fundit ka qenë sezoni i pranverë verë 2009. ka qenë me forma dhe modele të çuditshme. Ka qenë me kosha, me efekte me tela, me lule jo natyrale, me lule natyrale të vendosura në kokë dhe shumë efekte të tjera. Janë veshje që nuk vishen në jetën e përditshme, maksimumi që janë veshur ose për videoklipe ose nga drejtuesja e festivalit të Top-Festit, e cila veshi një prej veshjeve të kësaj sfilite. Pra një pjesë e këtyre veshjeve janë të paveshshme, por që bëjnë show dhe paraqesin tendencat e këtij sezoni, por me një ndryshim, jo më të paveshshme, por të veshshme.

Na trego pak për veten. Si është një ditë e juaja?
Dita ime është e ngarkuar, shumë e ngarkuar me punë këtu në atelie, me dasmat, mbrëmjet e maturës, ftesat nga jashtë për sfilita, shpesh herë në Itali, në Amerikë, tek miqtë tanë në Kosovë. Vijnë çmime të ndryshme të marra në emrin tim në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë. Këto janë ato që ndodhin gjatë vitit, kurse impenjime të tjera janë spektaklet, janë videoklipet e ndryshme që këngëtarët bëjnë, apo spektaklet që janë njëra pas tjetrës, nga një sezon në sezonin tjetër dhe jam non stop prezente në këto spektakle. Njëkohësisht kam kontakte edhe me personat publik, por edhe me njerëzit e thjeshtë.

Na trego pak për jetën tuaj në familje...
Kam një vajzë dhe kam një burrë që e kam si shpirt. Faktikisht unë jam shumë moderne, liberale, por jam shumë tradicionale në jetën private dhe në familje. Në momentin që njeriu martohet duhet të jetë shumë korrekt në këtë drejtim. Jam shumë e vjetër në mentalitetin e të jetuarit në familje dhe jam shumë e re në mendimin për të mbajtur veshjen, për ta jetuar ashtu siç duhesh.

Rezarta ju ka ndodhur ndonjë rast që ju ka ardhur dikush dhe ju kërkon veshjen më të çuditshme në botë, apo diçka të parealizueshme?
Më ndodh pothuajse përditë. Njerëzit që vijnë këtu, në pjesën më të madhe kërkojnë veshjen më të veçantë, më të rrallë dhe më të çuditshme në botë. Zakonisht janë mbrëmjet e maturës, ku vajzat kërkojnë veshje të çuditshme, të rralla dhe nganjëherë që nuk vishen në jetën e përditshme. Vajzat mbrëmjen e maturës e kanë shumë të rëndësishme dhe është ndryshimi nga shkolla e mesme në shkollën e lartë dhe duan të bëjnë një buuum, që mos të njihen fare mes miqve dhe shokëve të klasës.

Karriera
Çmenduritë në pasarela
Sfilatën e saj të parë stilistja Skifteri e realizoi qysh në bangat e Liceut Artistik, kur maturën do ta mbronte me një sfilatë të vërtetë me veshje mbrëmjeje. Kështu do të vepronte dhe katër vjet më pas kur do të mbronte, po me një sfilatë të vërtetë, diplomën e Akademisë së Arteve. Në këtë sfilatë ajo do të çudiste jo pak me veshjet e realizuara duke përdorur filma, shkarpa, copa gazetash e shumë detaje të tilla të pazakonta. Njëherësh, stilistja e re i kishte pushtuar spektaklet televizive me fantazitë e saj. Më 1995-n Skifteri prezantohet për publikun si stiliste me sfilatën që u realizua po atë vit në Teatrin Kombëtar në kryeqytet. Në vitin 1999, ajo do të prezantonte Shqipërinë në një sfilatë në Ukrainë ku merrnin pjesë 12 stilistët më të mirë nga bota, të grup moshave 20-30 vjeç. Sfilata e fundit e stilistes i përket vitit të kaluar kur ajo prezantoi koleksionin e saj për sezonin pranverë-verë 2009, edhe në këtë rast sfilita ishte “Haute Couture”, me detaje dhe element të çuditshëm.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›