E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet në shtatzani, kur e rrezikojnë bebin

Autori i Lajmit: red.
Infeksionet në shtatzani kanë një domethënie specifike, duke u bazuar në faktin se bëhet fjalë jo vetëm për infeksion të nënës, por edhe të fëmijës, që mund të lërë pasoja të më vonshme të rënda dhe të përhershme. Shkaktarët e infeksioneve janë të njëjtët, si në rastin jashtë shtatzanisë; viruset, bakteret, protozoarët. Sa më shumë që afrohet çasti i lindjes, më të mundshme janë infeksionet bakterale (streptokokët e grupit B), ndërsa gjatë shtatzanisë, rëndësi të veçantë kanë infeksionet virale (rubeola, varicela, citomegalovirus, parvo virus B19). Pesha, zgjatja dhe ecuria e infeksioneve varet nga numri dhe virulenca e shkaktarit, vetitë imunobiologjike, pra vetitë mbrojtëse të shtatzënës, rrugët e përhapjes së infeksionit si dhe vjetërsia e shtatzënisë – javët e shtatzanisë. Shtatzania është një periudhë shumë e përshtatshme për zhvillimin e një infeksioni. Gjatë shtatzanisë është i deprimuar funksioni i limfociteve T, shumë shpesh ndryshon flora normale e kanalit të lindjes. Infeksionet mund të shfaqen gjatë shtatzanisë, lindjes ose pas lindjes. Rrugët e infeksionit mund të janë ascendente- ngjitëse, nga vagina dhe descendente nga tubat uterine. Rrugë të tjera të shfaqjes së infeksionit janë rrugët hematogjene – përmes gjakut ose përmes limfës – limfogjene.
Bebet, të rrezikuara në varësi të kohës së infektimit
Ndikimi i infeksionit te bebi varet shumë nga periudha në të cilën ndodh infeksioni (vjetërsia e shtatzanisë). Në rastet kur infeksioni ndodh në 12-të javët e para të shtatzanisë mund të shkaktohen embriopatitë – dëmtimi i embrionit. Embriopatitë nuk janë specifike për llojin e shkaktarit të infeksionit, por janë specifike për fazën e zhvillimit – vjetërsisë së shtatzanisë kur ka ndodhur infeksioni. Nëse ndodhin dëmtime të rënda të embrionit, ndodh dështimi spontan. Këtë veprim e shfaqin të gjitha infeksionet piogjene, infeksionet me toksoplazmë ose me listerje, por edhe varicella ose chlamydia. Fetopatitë, përkufizohen si dëmtim i fetusit në fazat e mëvonshme të shtatzanisë, pas javës së 12-të të shtatzanisë deri në lindje. Nëse infeksioni vjen në këtë periudhë të shtatzanisë, pasojat e mëvonshme varën nga lloji i shkaktarit të infeksionit. Infeksioni i fetusit ka rrjedha të ndryshme nëse ka ardhur deri te infeksioni me toksoplazma, varicelë ose rubeolë. Mund të shfaqen dëmtime të sistemeve të ndryshme të organizmit, ngecje intrauterine të rritjes, lindje para kohe, por mund të lind fëmijë krejtësisht i shëndoshë, pa pasoja të mëvonshme. Kur bëhet fjalë për infeksion vetëm të nënës, atëherë infeksioni në shtatzani mund të kalojë pa asnjë efekt negativ te foshnja. Pasojat e mëvonshme shfaqen në formë të leuçemisë (influenza), tumore të sistemit nervor qendror (varicella), ose karcinomit hepatocelular primar (hepatiti B).
Infeksioni mund të rrezikojë jetën e të dyve
Kur është në pikëpyetje ndikimi i infeksionit në ecurinë e shtatzanisë, dhe për shtatzënën mund të priten pasoja edhe më të mëdha, sidomos nëse këto infeksione janë të shoqëruara me temperaturë të lartë trupore, ose infeksionet pas lindjes në periudhën e puerperiumit, ose pas dështimit. Në këto raste, ecuria e infeksionit merr karakter shumë të rëndë, shfaqen numër i madh komplikimesh, me pasoja të rënda. Si pasojë e infeksionit gjatë shtatzanisë shfaqen infeksionet e cipave amniale dhe plasja e parakohshme e cipave amniale, e shoqëruar me dështim spontan ose lindjen para kohe, gjë e cila shoqërohet me shkallë të lart të vdekjes së fëmijës dhe nënës.
Testet tregojnë gjendjen e antitrupave
Infeksionet ma të rëndësishme në shtatzani përfshihen me shkurtimin T O R C H. Në këtë rast T është shkurtimi për Toksoplazmozën, O (përfshijnë hepatitin B, Parotitin, Treponema palidum), R është shkurtimi për rubeolën, C është shkurtimi për citomegalovirus, dhe H paraqet shkurtimin për herpes simplex virus. Simptomat e këtyre infeksioneve sillen nga shkalla e lehtë në të moderuar, e shoqëruar me dobësim të përgjithshëm, ngritje e lehtë e temperaturës, rritje e nyjeve regjionale limfatike, puçrra-manifestim në lëkurë, ndërsa dëmtimet e fetusit janë shumë të mëdha. Disa nga këto infeksione janë të shoqëruara me embriopati tipike për këto infeksione. Si te sëmundjet e tjera në shtatzëni edhe këtu mbrojtja vendit të lindjes ka rëndësi të veçantë. Për shumicën e infeksioneve të përmendura, ekzistojnë teste specifike në gjak, përmes të cilëve mund të zbulohet se a ka qenë e sëmurë shtatzëna nga këto sëmundje dhe a ka antitruptha mbrojtëse, të cilët mbrojnë bebin gjatë shtatzanisë. Përcjellja e shtatzanisë me ekzaminime ultrasonografike, duke kërkuar simptoma të mundshme, e në disa raste sipas nevojës edhe me anë të amniocentezës, mund të sqarojnë se a është bebi i infektuar apo jo. Në disa raste te këto infeksione aplikohet terapi specifike si përdorimi i spiramycinës te toksoplazmoza ose aplikimi i transfuzioneve me gjak te infeksionet me parvovirus B19, ndërsa te infeksionet tjera, nuk ka mundësi mjekimi. Çdo lloj infeksioni gjatë shtatzënisë është i rrezikshëm dhe duhet parandaluar (prevenuar).

BOX
Rreziku
9 muaj, asnjë vaksinë veç asaj të poliomelitit
Shtatzania nuk është kohë-periudhë në të cilën mjekët të insistojnë në vaksinimin e rregullt të shtatzanave, edhe pse nuk janë të gjitha vaksinat të ndaluara për t u bërë në shtatzani. Gjithësesi, parim themelor është të mos bëhet asnjë vaksinim me virus të gjallë (vaksina kundër fruthit, rubeolës, shytave-parotitit dhe tuberkulozit), e as në raste kur viruset janë të trajtuar, pasi edhe në këto raste, mund të priten dëmtime të fetusit. I vetmi përjashtim bëhet te poliomieliti, ethet e verdha, kundër të cilave shtatzëna duhet patjetër të vaksinohet, nëse gjatë periudhës së shtatzanisë udhëton për arsye të ndryshme në vende në të cilat ekziston rreziku nga infektimi me këto sëmundje (Afrika Qendrore, Afrika Jugore dhe Azia jugperëndimore).
Në rast se shtatzëna vjen në kontakt me të sëmur nga fruthi, rubeola ose varicela, e në anën tjetër nuk e di se a ka qenë vetë e sëmurë nga këto sëmundje, duhet të kontrollohet niveli i antitrupthave në gjak, dhe të përcaktohet statusi imunologjik. Në rast të mungesës së antitrupthave kundër sëmundjeve të përmendura, në vend të vaksinimit duhet të aplikohet terapi mbrojtëse me imunoglobulinë. Kur është fjala për të sëmurë me tuberkuloz, statusi imunologjik i shtatzanave kontrollohet me testin e tuberkulinës.
Kur bëhet fjalë për vaksinim, te të cilat vaksina përmbajnë baktere ose viruse gjysmë të vdekura, atëherë shtatzënave u lejohet që të vaksinohen. Ky vaksinim me këto vaksina mund të bëhet sidomos nëse gruaja rrezikohet potencialisht nga këto sëmundje:
• poliomieliti
• influenca
• hepatiti B
• tetanosi
• difteria
• tifoja
• kolera
• encefaliti
• tërbimi

Shqetësimi
Të vjellat në shtatzani, disa hipoteza për shkaqet
Të vjellat e mëngjesit janë ndër shenjat më të mundshme të shtatzanisë. Edhe pse këto të vjella quhen të mëngjesit, ato mund të shfaqën edhe në mesditë, edhe në mbrëmje. Të vjellat e mëngjesit mund të jenë të pranishme gjatë tërë ditës, e në raste shumë të rralla, mund të pengojnë marrjen e ushqimit në atë masë sa që kjo të pengojë zhvillimin normal të frytit (bebit). Për shumicën e grave, të vjellat e mëngjesit pushojnë me përfundimin e tremujorit të parë, mirëpo ndonjëra nga shtatzënat mund të ballafaqohet me këto shqetësime deri në lëvizjet e para të bebit. Në raste të rralla, disa nga shtatzanat, të vjellat e mëngjesit i shoqërojnë deri në fund të shtatzënisë, kjo sidomos është e pranishme te shtatzanat me shumë fryte (binjakë, trinjakë etj).
Problemi shfaqjes së të vjellave të mëngjesit, në tërësi nuk është i qartë. Është e sigurt se qendra për të vjella, mundime e nauze ndodhet në pjesën e trurit që quhet medulla oblongata. Ka një numër të mëdha teorish të cilat mundohen të sqarojnë se në ç mënyrë kjo pjesë e trurit stimulohet gjatë shtatzanisë. Gjinekologët besojnë se niveli i lartë i hormonit të shtatzanisë ß-hCG-së në gjakun e shtatzënës në tremujorin e parë të shtatzënisë, mund të jetë njëri nga shkaqet e ngacmimit të tepërt të qendrës për vjellje dhe nauze. Shkaqe të tjera të cilat mund të janë përgjegjëse për të vjellat janë mosmarrja e ushqimit ose kequshqyeshmëria, shtimi i thartirës në lukth ose tretje jo e mirë e ushqimit për shkak të lëshimit të tonusit muskulor nën veprimin e hormonit të shtuar gjatë shtatzënisë – progesteronit.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›