E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përshtypjet e mia për “Eurovizionin”

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Zerina, natyrë e çiltër, komunikuese, e drejtpërdrejtë, por edhe e kufizuar, e rezervuar, e kujdesshme. Nuk do të bëjë zhurmë me fjalët e saj. Madje, mban edhe sekrete ndaj medias. Përshembull, ajo nuk na e tha se cili ishte skandali që ndodhi në grupin tonë në “Eurovizion” dhe pse kishte qenë prerazi kundër, parimisht na pohoi se ka konvergjenca, por edhe divergjenca mendimi me bashkëshortin e saj për çështje të lidhura me skenën, mirëpo konkretësia nuk i pëlqeu. Na foli për atë që vlerëson në marrëdhëniet zyrtare me ushtarakët në institucionin ku drejton, na doli në shteg por nuk na tha, se cilat janë ato gjëra që nuk i pëlqejnë. Ajo hyn tek njerëzit që flet pa doreza për veten, por kujdeset për atë pjesë që ka të bëjë me imazhin e të tjerëve. I njeh të drejtën vetes të zbulojë botën e saj edhe mungesat, pa u kompleksuar, (përshembull, na thotë se “marrëdhëniet me teknologjinë i kam të këqija, në këtë fushë jam injorante por përpiqem ta mbuloj”.) Por prej gojës së saj nuk dëshiron thashetheme për të tretë, aq më tepër, pa vullnetin apo së paku, dijeninë dhe praninë e tyre. Kjo është Zerina!

Pjesëmarja në Eurovizion është një ngjarje me përmasa përtej atyre artistike. Zerina Kuke, e cila e ndoqi këtë eveniment të madh për së afërmi, dëshiron të ndajë me gazetën disa mendime rreth tij dhe pjesëmarrjes shqiptare.

-Jeni kthyer nga Moska prej disa ditësh. E sata herë është që shkoni dhe cilat janë impresionet tuaja për Eurovizionin?
Është hera e parë, që kam shkuar. Shkova për kënaqësi, jo se kisha punë me grupin. Pali, im shoq, ka qenë i angazhuar edhe vitin e shkuar në Beograd, edhe këtë vit, me synimin për të dhënë suport për skenën. Meqenëse edhe këngëtarët kanë qenë nxënësit tanë të “Etheve”, janë ndjerë më mirë duke patur përkrahjen e një regjisori që i ka mbështetur që në hapat e tyre të para.
-Përshtypjet tuaja?
Ishte një rast i bukur, jo thjesht për të parë pjesëmarrjen tonë në Eurovizion, por edhe për të parë organizimin e aktivitetit, për të parë qytetin… Unë nuk kisha qenë asnjëherë në Moskë. Në FESTIVALET e Eurovizionit kanë nisur ta vlerësojnë skenografinë. Më kanë shokuar efektet skenike, efektet e ndriçimit.
-Duke qenë brenda një salle të tillë, publiku i huaj a ndihej shumë në sallë, apo dominonte publiku vendas?
Sado që të vijnë, me autobusa vijnë. Kuptohet, salla kishte më shumë publik vendas.
-A ka treguar publiku dashamirësi me konkurrentët e të gjitha vendeve, pa paragjykime gjeografike, kombëtare etj?
Publiku ka duartrokitur shumë pa diskutim, çdo këngëtar që bënte figurë të mirë. Unë kam duartrokitur me duart lart atë djalin që fitoi, por më ka pëlqyer në mënyrë të veçantë Suedia. Këngëtarja ishte një mexosoprano me një performancë kaq qiellore...Përveç kësaj, Patricia Kas tregoi se si duhet të këndojë një profesioniste. Ndërsa, nuk më pëlqejnë fare ekzibicionet, siç ishte kënga e Ukrainës. Skena e një festivali nuk është skenë cirku. Jam kundër kësaj lloj performance.
-Pse shkon Shqipëria me këngëtare shumë të reja në Eurovizion ? Këta, nëse do të rezistojnë për vlera, do të kenë shanse, ndërsa këngëtarët e karrierës që nuk e kanë patur shansin në rininë e tyre dhe që ende performojnë, a mos është diskriminuese që t u mbyllen dyert e të digjen?
Jo, ka rastisur që kanë shkuar të rinj. Ata kompozitorë që kanë zgjedhur një këngëtare të re, kanë fituar festivalin. Po të vësh re, në Eurovizion ka edhe këngëtare të tjera shumë të reja. Përshembll, këngëtarja e Islandës që unë e ka parë nga afër në ashensor, ajo ishte njësoj sa Kejsi e vogël, vetëm veshja e tregonte pak më të madhe.
-Ne i dhamë Anglisë pikët maksimale, ndoshta për të tërhequr vëmendjen pas fyerjes që prezantuesi anglez i BBC-së i bëri Shqipërisë. Ishte kjo një kundërpeshë?
Anglia kishte një këngëtare të shkëlqyer, kishte një performancë të shkëlqyer. Them që nuk ia vlen të merren në konsideratë shprehjet e një djali të papjekur dhe nuk duhen ngatërruar me konsideratat për artistët.

Mendime për Shqipërinë në “Eurovizion”
Kjo ishte performanca më e mirë

Në gjashtë herët që kemi marrë pjesë në “Eurovizon”, kjo e fundit ka qenë performanca më e mirë. Për më tepër, kjo ishte njw ndwr tri herwt, qw hymw në natën finale dhe ky është një sukses.
Ndërsa për renditjen nuk është për t u mërzitur. Përshembull, këngëtarja nga Malta, që ishte një profesioniste, çfarë vendi zuri ajo?... Po të shikosh se ç vend zunë shtete të tjera që bënë një paraqitje shumë të mirë, nuk ka pse të mërzitemi për vendin e Kejsit. Duhet të kemi parasysh, se Shqipëria ka vetëm disa vjet që mer pjesë në Eurovizion dhe më parë, Evropa, publiku evropian nuk e kanë njohur fare muzikën tonë. Për mua është e rëndësishme që muzika jonë po vlerësohet si një muzikë paksa e konsoliduar. Ndërsa nga këngëtarët nuk mund të presësh më tepër, janë vajza tepër të reja, nuk kanë përvojën e Patricia Kas. Por jam e kënaqur nga Kejsi. Bëri diçka që nuk e kishte bërë dot më parë. Tek “Ethet” nuk e bëri dot, kurse këtu e mbërriti falë skenografit dhe stilistit. Ajo bëri një figurë të këndshme, si karamele, edhe pse mund të kishte kënduar edhe pak më mirë.
Duke llogaritur se si shkoi ekipi ynë në Eurovizion nga viti i parë në vitin e fundit, them që paraqitja është kuruar në mënyrë progresive. Anjeza ka shkuar në Eurovizion pa mbështetje, e vetmuar me shumë-pak njerëz. Këtë vit kishte skenograf, kishte balerinë, Kejsi kishte back-vocal-in, kishte grimierë me vete, pra trajtohej pak më gjerë. Dhe për këtë është për t u përshëndetur Radio-Televizioni. Që vitin e kaluar u fut regjisori që jep një suport, mbështetje profesionale dhe morale për këngëtaren.

Përshtypjet nga Moska
Jam brezi që ka marrë pak aromë rusie
-Filluat të thoshit diçka për përshtypjet nga Moska, që nuk e gjetët me dëborë. Çfarë morët me vete prej andej?
Nuk e gjeta me dëborë, por e gjeta në stinën më të bukur, në pranverë. Jam mrekulluar. Historia e Moskës është historia e një kombi të madh. Unë i përkas atij brezi, që ka marrë pak aromë Rusie, që ka lexuar shkrimtarët e mëdhenj rusë, ka ndjerë muzikën e kompozitorëvë të mëdhenj rusë...Dhe tani mora flladin e atij vendi, duke parë disa vende karakteristike muzeale, sheshin e Kremlinit dhe kishat më të bukura që janë në qendër të Moskës. Moska ishte një qytet i madh i shtrirë, më shumë parqe, rusët janë të bukur, por mbi të gjitha më ra në sy pastërtia e Moskës. Jam e tronditur.Edhe kur kishte pallate siç i ka gjithë pjesa e ish-Bllokut Lindor, (pallatet parafabrikate ishin e vetmja gjë e shëmtuar në Moskë), hapësirat mes këtyre blloqeve kishin pastërti të admirueshme e gjelbërim, gjë që nuk e kam gjetur asgjëkundi. Unë kam qenë edhe në Zvicër, por ne e kemi pranuar Zvicrën si të tillë. Nuk kishte kosha me plehra. Njerëzit merrnin edhe një bisht cigareje. Ndërsa për kuzhinën, nuk mund të them se krijova ndonjë ide të mirëfilltë. Globalizimi në gastronomi e ka bërë kuzhinën të shumëllojshme. Ne në Moskë provuam edhe kuzhinën e Ajzerbaxhanit edhe sushi-ushqim japonez, edhe vodkën e shkëlqyer vendase.

Drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Ushtrisë, gruaja e ekranit shfaqet ndryshe
Një grua skenike drejton ushtarakët
“Ushtarakët janë të habitshëm: Të mbysin në letra. Janë shumë striktë e protokollarë”

Nuk është atje në ishullin e saj, por dalngadalë ia ka marrë dorën. Fillimisht i shkaktonte dhimbje koke puna në një institucion si Qendra Kulturore e Ushtrisë, asaj që ishte mësuar me studiot televizive. Mirëpo natyra miqësore dhe sensi i komunikimit e ndihmoi të hynte në mjedisin e njerëzve të veshur me uniformë ushtarake e të mësohej me “të veçantat” e tyre. Kështu, ajo do të pasuronte “arkivin” e kategorive shoqërore me të cilat e ka vënë puna në kontakt: artistë, gazetarë, njerëz të ekranit, shkrimtarë, përkthyes e botues, të rinj shkollash...tani edhe ushtarakë. Më poshtë Zerina Kuke rrëfen për këtë punë në të cilën nuk e njohin të gjithë.

-Më kuriozon qenia juaj drejtoreshë e një institucioni, që duket i mbyllur, i vecuar nga shoqëria, si një folezë e qetë e një kohe tjetër, e palidhur me tendencat e artit. Si bën Zerina energjike këtu?
Ju keni parë vetëm anën time të marrëdhënies me televizionin, por unë kam punuar në shumë institucione kulturore. Me përjashtim të disa viteve, kam bërë edhe punë në administratë, e njoh administratën, e njoh marrëdhënien, di të menaxhoj. Di gjithashtu që çdo institucion ka problematikën e vet. Në fillim kur kam ardhur këtu, edhe unë kështu kam menduar: “Ekziston, nuk ekziston, etj.” Për dy vjet kthehesha në shtëpi me një gjendje depresive. Por tani gjërat i shoh të lëvizin. Ky nuk është një mjedis i qetë, jam tërë kohën e ngarkuar, për shumë gjëra që nuk realizohen.
-Çfarë bën kjo qendër, çfarë aktiviteti ka? Jep ende shfaqje për ushtarët? Po për publikun?
Unë kam kërkuar që bashkë me Akademinë Ushtarake të kthehet kori i ushtrisë i përbërë nga vetë studentët e ushtrisë, jo nga këngëtarë profesionistë. Është një nga gjërat më të bukura që e ka çdo forcë e armatosur....Por, ky nuk është ansambli i dikurshëm i ushtrisë. Ka qenë tjetër strukturë. Kjo është qendër kulturore që ka një grup artistik, ka një qendër audiovizive, një arkiv shumë të mirë të filmit dokumentar e të fotografisë, ka dy salla shumë të mira për aktivitete, profesionistë që merren me audiovizionin, kameramanë, forografë, regjisorë, montazhierë. Këtu realizohen që nga filmi i vogël dokmentar e deri tek spoti. Ne kemi bërë të mundur në dhjetor ardhjen e aparaturave high de finition. Megjithatë, ky institucion duhet të ketë status tjetër, sepse duke patur status tjetër, vijnë edhe profesionistë më të mirë.
Ky institucion në të ardhmen do të jetë një bërthamë e rëndësishme e ushtrisë. Bashkë me qendrën e medias është e domosdoshme që të riformatohet. Janë kërkesa që vijnë me një status tjetër, që merr ushtria kur futet në NATO.
-Këtu ju është dhënë rasti të viheni në kontakt me njerëzit me uniformë. Ç mendim keni për ushtarakët rreth të cilëve gjithnjë vazhdon të ketë përplasje opinionesh ?
Jam e befasur se çdo gjë e bëjnë me letër. Ta japin zyrtare dhe e duan zyrtare. Jam habitur, letra pa fund letra! Nëse ka një institucion që çdo gjë e dokumenton me letra, është Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë institucionet e shtrisë. Së dyti, më ka bërë përshtypje korrektesa e tyre. Njerëzit me uniformë, kur marrin një porosi, një komandë, janë të detyruar ta zbatojnë dhe nuk e vënë në diskutim. Për shumë gjëra mund të mos jem dakord me ta, por këtu ata të krijojnë lehtësi në marrëdhënie njerëzore. Këtu respektohet komandanti.
-Pra, edhe të pëlqen që punon me ushtarakë
Edhe më pëlqen. Më ka pëlqyer gjithnjë uniforma. Kam parë që uniforma sjell një rregullsi të brendshme.
-Atëherë duhet t ju kenë pëlqyer të gjitha llojet e uniformave, jo vetëm këto ushtarake...edhe kur ke qenë pioniere, e veshur njëlloj me të tjerët në rresht, duhet të të kenë pëlqyer edhe manifestimet, uniformat sportive...
Po, është e vërtetë. Uniforma më është dukur gjithnjë spektakolare, krijon figura. Kam dashur të bëj një spektakël të madh me pjesën ushtarake dhe shpresoj që ta bëjmë. Të një niveli kombëtar. Mund të dalin gjëra shumë të bukura me ushtarakët.

PËRVOJAT
40 vjet dashuri televizive
Sivjet Zerina bën 40-vjetorin e marrëdhënies së saj me televizionin. Me dashurinë e saj më të vjetër, shansin e jetës, siç e quan edhe vetë. “Ajo marrëdhënie ka qenë shumë serioze, e kam bërë me shumë dashuri dhe do të mbetet ndër gjërat më të bukura”. Pas televizionit, shtëpia botuese “Naim Frashëri” është përvoja e dytë e rëndësishme, edhe kjo një marrëdhënie e qëndrueshme që i dha rast të ishte në kontakt intensiv me krijues dhe letërsi përfaqësuese.

Kritika për gazetarët dhe opinionistët
“E kanë kthyer ekranin në kafene”
“Shumë herë është e sipërfaqshme, e zhurmshme, pak si lojë, gjë që nuk ia fal deri edhe opinionistëve që dalin dhe e bëjnë si bisedë tavoline”. Kështu shprehet për gazetarinë e ditëve të sotme, prezantuesja Zerina Kuke. Për të, televizioni është shumë serioz. Edhe kur bën humor, është shumë serioz. Qëndrimi i pakujdesshëm në poltron është fyerje, nënçmim i publikut. “Nuk i fal kur bëjnë ekzibicione më shumë se sa duhet. Nëse je për lajme, je për lajme, nëse je për shfaqje, je për shfaqje. Etika mediatike ka shumë për të bërë”, thotë ajo. Kritikat më të rrepta, Zerina i ka për të dyja palët, por sidomos për gazetarinë televizive, gjë që lidhet me faktin se kjo është më e ndjekur. “Meqenëse shqiptarët shohin shumë televizion, ai mbetet një nga modeluesit kryesorë të profileve shoqërore. Nuk është problemi të bësh ekzibicion, por të mendosh efektin mbi të tjerët. Qenia e një personi në qendër të vëmendjes, ndikon, krijon modele. Modelet e mira janë të vlefshme”, shprehet prezantuesja e karrierës.

Stili i jetesës
“Nuk bëj përpjekje të veçanta për të ndalur moshën”
Zerina nuk luan asnjë hap nga klasicizmi i saj. E pohon edhe për ne, se pëlqen gjërat që durojnë, që nuk prishen të nesërmen, një muzikë që i reziston kohës. Në pikturë pëlqen impresionistët përfaqësues, vlera të ruajtura në kohë. ”Nuk kam gusto për gjëra kalimtare”, thotë ajo. Edhe pse nuk e përjashton veten nga ndijimi i së resë, Zerina është selektive. Kjo i ndodh edhe me veshjet. Na tregon se ndihet mirë me veshjet e thjeshta, me ato veshje që bëjnë të respektojë veten dhe të tjerët. Ndërsa rrobat firmato i mban atëherë kur nevojitet në një mjedis të caktuar. ”Nuk hyj shpesh nëpër butikë dhe nuk i gjurmoj veshjet e modës”, thotë ajo dhe kjo nuk ka lidhje me moshën e saj, sesa me prirjen.
Si një grua me stil të natyrshëm jetese, pohon se nuk bën asgjë të veçantë, asnjë përpjekje shtesë për të ruajtur pamjen e saj femërore. Është një përpjekje mëse normale në gjithçka, në mënyrën e të ushqyerit, në ndjekjen e një regjimi jete të rregullt, por pa ndonjë fiksim të veçantë, pak a shumë ndjek pasionin e saj për gjërat në jetë, nuk i vë në peshore emocionet. Ushqimi shpirtëror nuk i ka munguar, por nuk ka qenë pjesë e ndonjë filozofie jetësore të saj për të zgjatur rininë. Madje, ajo jo vetëm që nuk përdor teknika relaksuese apo preparate kozmetike, por as që i jep rëndësi për të folur rreth tyre. ”Ushqimi, aktiviteti, ....nuk besoj se bëj shumë. Bëj një përpjekje normale”, thotë ajo. Temperamenti, mënyra se si i merr gjërat me pasion etj. mendon se e lodh dhe e plak nga njëra anë, por edhe e shlodh dhe e ripërtërin nga ana tjetër. Kufiri është i pandashëm... ”Jam një grua e zakonshme. Nuk humbas kohë, energji e para me tepricë për të ruajtur bukurinë dhe për të ndalur moshën”, përfundon ajo.

E shqetësuar për plehrat
”Nuk vuaj asnjë gjë më shumë sesa plehrat. Po të isha në një pozicion më të rëndësishëm, vetëm me plehra do të merresha. Duhet të shqetësohemi të tërë për këtë, të dalim të pastrojmë. Eshtë skandaloze: Shtëpitë brenda luks, jashtë pragut, zhul. Ca kohë dilja në oborr, tani do ta filloj prapë. Nuk mjafton të pastrojë bashkia. Nëse nuk vë gjoba, nuk zgjidhet kurrë. Nëse duam ta bëjmë Shqipërinë, do ta bëjmë pa plehra. Sepse në momentin që heqim plehrat fizikisht, do të thotë që po përpiqemi të heqim plehrat mendërisht.”

Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›