Arrihet pakti, çekët marrin OSSH
Fabiola Çela
Pas muajve të tërë negociatash, më së fundmi qeveria shqiptare do të nënshkruajë sot kontratën e privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë (OSSH). Ndërkohë mësohet se kompania çeke “CEZ”, përveç OSSH-ë, është e gatshme të blejë edhe korporatën elektroenergjetike kosovare (KEK).
Kontrata
Sot do të nënshkruhet kontrata mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke “CEZ” për shitjen e OSSH-së. Në tenderin ndërkombëtar të zhvilluar disa muaj më parë u shpall fituese kompania çeke. Për blerjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, çekët kanë ofruar 102 milionë euro. Por negociatat mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke kanë zgjatur për disa muaj. Një ndër pikat më të debatuara ishin edhe vlerat e aseteve të kompanisë. Konkretisht vetëm pak ditë më parë, qeveria miratoi një vendim më anë të së cilit borxhet e OSSH-së ia delegoi KESH-it. Një vendim i tillë u mor pas kërkesës së bërë nga IFC-ja. Kjo pasi gjatë periudhës së negocimit të kontratës së shitjes së OSSH-ë është konstatuar një rënie e vlerës së aseteve të kësaj kompanie. Për rritjen e aseteve të kompanisë, qeveria vendosi që 5.5 miliardë lekë detyrime të OSSH-ë të kalojnë për llogari të KESH-it.
Duan Kosovën
Përveç tregut shqiptar, kompania çeke është duke hedhur sytë edhe në tregun kosovar të energjisë. Konkretisht grupi “Tzech CEZ” po interesohet të investojë në tre sektorë kryesorë të energjisë në Kosovë, madje edhe mund të blejë kompaninë problematike të shpërndarjes KEK, sipas një zyrtari të lartë të kompanisë. “CEZ” mund të dominojë sektorin e energjisë, duke nisur me blerjen e impiantit “Kosova e Re”, blerjen e shpërndarësit të KEK dhe investimin në impiantin “Zhuri”. “Hapja e biznesit tonë në Kosovë është brenda kapaciteteve tona”, ka thënë Ekrem Belegu, kreu i degës së “CEZ Group” në Kosovë, duke shtuar se kompania e tij mund të përballojë blerjen e shërbimit të shpërndarjes KEK edhe me borxhet e mëdha ekzistuese të konsumatorëve. Në përputhje me planet e saj afatgjata për investime në Kosovë, “CEZ” ka nisur tashmë ndërtimin e një grupi me specialistë brenda vendit, dhe në dy vitet e fundit ka dhuruar 160 000 euro në fonde universitare për studentët e Fakultetit Teknik në Universitetin e Prishtinës. “Ne do të vazhdojmë investimet në Kosovë”, tha Belegu. Projekti për ndërtimin e impiantit termik “Kosova C” po menaxhohet nga Komiteti Drejtues i Projektit, i kryesuar nga Ministri i Energjisë dhe Minierave në Kosovë. Sasia e investimit vlerësohet deri në 3.5 miliardë euro. Katër nga dhjetë kompanitë dhe partneritetet kanë shprehur interesin e tyre për ndërtimin e impiantit “Kosova C” dhe ato që kanë arritur kriteret e kualifikimit janë: kompania çeke “CEZ/AES Corporation”, gjermania “RWE Power AG”, partneriteti amerikan-gjerman “EnBW/WGI” dhe partneriteti italian-grek-amerikan “Enel/Sencap”.