Majko: Po dëmshpërbleni edhe kolaboracionistët
Konflikti i përhershëm politik PD-PS mbi rolin e legalistëve dhe ballistëve në luftën kundër çlirimit të vendit rikthehet në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Shkak për këtë është bërë zgjerimi i përfituesve të ish të përndjekurve politikë për persona që janë dënuar për krime lufte, si dhe për veprimtari para çlirimit të vendit. Socialistët kontestuan me forcë paraqitjen e ndryshimeve të reja, duke deklaruar se ato paraqiten në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Ndërsa janë shprehur kundër dëmshpërblimit të atyre personave që cilësohen si kolaboracionistë gjatë pushtimit nazifashist të Shqipërisë. Më i ashpri në këtë qëndrim ka qenë socialisti Pandeli Majko, i cili e ka cilësuar si një turp të madh dëmshpërblimin e kësaj kategorie. Ndërsa një ndër argumentet e tjera kundërshtuese të opozitës ka qenë mungesa e relacionit nga ana e Ministrisë së Financave për faturën që mbart ky propozim i paraqitur nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. “Në asnjë mënyrë dhe në asnjë parlament të Europës nuk mund të diskutohet dëmshpërblimi i kolaboracionistëve. Prandaj pyeta ç’është veprimtaria para çlirimit? Në asnjë rast mos kërkoni votë nga ne për të dëmshpërblyer këtë kategori, për të gjithë ato që janë përndjekur pas 1944-ës votën tonë e keni me të dyja duart”, deklaroi Majko. Por demokrati Aldo Bumçi iu është kundërpërgjigjur me shprehjet se, “pakti i parë ka qenë ai i bashkëpunimit ndërmjet Stalinit-Musolinit dhe Hitlerit për mos sulmin ndaj tyre”. Ndërsa Majko pas dëgjimit të ekspertes së Ministrisë së Drejtësisë ashpërsoi reagimin e tij, duke kundërshtuar dëmshpërblimin e kësaj shtrese. “Të nderuar miq, që të mos i vendosim këta surretër mbi vuajtjet e të përndjekurve pas ‘44, se këta nuk e meritojnë. Këta janë në koshin e historisë, këta janë në plehrat e historisë. Prandaj këta nuk mund të mbivendosen mbi vuajtjet e atyre që kanë kaluar golgotën në periudhën e regjimit komunist. Këta që kanë kryer krime lufte para ’44 nuk mund të vendosen në një paralel me horrat që kanë bashkëpunuar me okupatorin për të vrarë, plaçkitur dhe djegur. Ata që kanë vuajtur pas ‘44 është një histori tjetër”, deklaroi Majko.
batutat e deputeteve ne komisionin e ligjeve
Ramiz Çobaj: Nuk ka absolutisht asgjë për të mos u votuar, por ka shkelje me keqdashje nga ata që e kundërshtojnë, votojeni se keni nderuar veten tuaj. Mos kini frikë që kur të shkoni në fisin tuaj dhe familjen tuaj, se ata që persekutuan për 50 vjet rresht do ju flasin, sepse ato janë bërë tashti më tolerantë dhe demokratë.
Pandeli Majko: Në Evropë janë pushkatuar edhe prostitutat që shkuan me gjermanët. Dhe tani është krejtësisht e palogjikshme që në 2009-ën në një parlament të Europës të diskutohet për dëmshpërblimin e kolaboracionistëve. Ju lutem mos na provokoni.
Ramiz Çobaj: Ato janë vrarë pa ligj, Majko.
Pandeli Majko: Zoti Çobaj, mbaj vendin aty. Në asnjë mënyrë dhe në asnjë parlament të Europës nuk mund të diskutohet dëmshpërblimi i kolaboracionistëve. Prandaj pyeta ç’është veprimtaria para çlirimit? Në asnjë rast mos kërkoni votë nga ne për të dëmshpërblyer këtë kategori, për të gjithë ato që janë përndjekur pas 1944, votën tonë e keni me të dyja duart.
Aldo Bumçi: Lidhur me kolaboracionistët, meqë u hap debati. Bashkëpunëtorët më të mëdhenj të nazizmit në Europë kanë qenë komunistët. Është pakti i Hitlerit me Stalinin i moscenimit.
Pandeli Majko: Po ç’thua, ç’është ky pakt, por ik se nuk e di historinë, mos ia fut kot.
Aldo Bumçi: Tashti zoti Majko mos ofendo, mendova se dije historinë. Është pakti i Musolinit, i Hitlerit me Stalinin.
Ramiz Çobaj: Mbroni Stalinin, tani Majko.
Pandeli Majko: Si mo, ata kanë qenë kolaboracionistë?
Ilir Rusmali: Të nderuar kolegë mbani qetësi, ne nuk bëjmë histori në këtë komision, e shumta mund ta lexojmë atë. Nuk kam vullnet ta kundërshtoj atë. Jam i detyruar të them që diskutimin historik s’mund ta bëjmë në këtë seancë.
Pandeli Majko: Këtu bëhet për njerëz, individë që janë dënuar për krime lufte. Bëhet e qartë për individë që kanë bashkëpunuar me okupacionin. Të nderuar miq, që të mos i vendosim këta surretër mbi vuajtjet e të përndjekurve pas ‘44, se këta nuk e meritojnë. Këta janë në koshin e historisë, këta janë në plehrat e historisë. Prandaj këta nuk mund të mbivendosen mbi vuajtjet e atyre që kanë kaluar golgotën në periudhën e regjimit komunist. Këta që kanë kryer krime lufte para ’44 nuk mund të vendosen në një paralel me horrat që kanë bashkëpunuar me okupatorin për të vrarë, plaçkitur dhe djegur. Ata që kanë vuajtur pas ’44-ës është një histori tjetër.
Ramiz Çobaj: Në këtë nismë nuk bëhet fjalë për ato bashkëpunëtorë të okupatorit, kështu e kuptoj unë. Këtu bëhet fjalë për ata nacionalistë që regjimi i Enver Hoxhës i dënoi pa gjyq.