“Zogby”: PS në vend të parë, PD rritet me 4%
adi shkembi
Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet nëse ato do të zhvilloheshin në periudhën 10-16 shkurt. “Zogby International” ka shpallur mbrëmë sondazhin e dytë të porositur nga “Top Channel”, nga i cili rezulton se PS-ja është pesë pikë para PD-së në këtë garë. Për forcën më të madhe të opozitës kanë votuar pro 39% e të pyeturve, ndërsa për PD-në 34%. Në vendin e tretë renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 5%. Por në krahasim me një muaj më parë, PS-ja ka humbur dy pikë në krahasim me PD-në, teksa në muajin janar ajo kishte shtatë pikë diferencë, ndërsa tani pesë pikë. Ndryshe nga sondazhi i janarit kur nuk ishte në renditjen e publikuar nga “Zogby International”, grupimi politik G99 ka marrë dy për qind të së pyeturve. Këtë muaj kanë arritur në kuotën e 1 për qind edhe Partia Socialdemokrate dhe Partia Agrare Ambientaliste, ndërkohë që kanë konfirmuar të njëjtën renditje si një muaj më parë PR-ja, PDK-ja dhe PBDNJ-ja. Ndryshe nga 30 ditë më parë kur të pasigurtit ishin 19 për qind, tani ata janë 12 për qind. Të pyetur se në çfarë rruge është Shqipëria 41 për qind e këtij kampioni janë shprehur se ajo është në rrugë të drejtë, 45% mendojnë se është në rrugë të gabuar dhe 14 për qind nuk janë të sigurt. Ndërkohë në muajin janar ishin 44 për qind, të cilët mendonin se vendi ishte në rrugë të mbarë, duke shënuar kështu brenda 30 ditëve një rënie prej 3 pikësh. Të pyetur se si vlerësohet puna e Kryeministrit Berisha, 36 për qind e tyre e kanë vlerësuar atë pozitivisht (në muajin janar 35 për qind mendonin pozitivisht), ndërsa 62 për qind kanë një vlerësim negativ për punën e tij (në janar 66 për qind mendonin negativisht). Për sa i përket punës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të PS-së, Edi Rama 44 për qind mendojnë pozitivisht për punën e tij (e njëjta shifër ishte edhe në janar), ndërsa 54 për qind kanë mendim negativ (51 për qind ishte në janar). 56 për qind e të pyeturve në sondazh kanë mendim pozitiv për Partinë Demokratike (54 për qind ishte në janar) dhe 40 për qind kanë mendim negativ (38 për qind ishte në janar). Ndërkohë 61 për qind kanë mendim pozitiv për PS-në (66 për qind ishte në janar) dhe 34 për qind kanë mendim negativ (28 për qind ishte në janar). Për sa i përket çështjeve që shqetësojnë më shumë shqiptarët, sërish papunësia renditet në vend të parë dhe pas saj vijnë ekonomia, varfëria, korrupsioni dhe inflacioni.
Rezultatet
Partia Shkurt Janar
PS 39% 37%
PD 34% 30%
LSI 5% 5%
G99 2% -
PDK 1% 1%
PBDNJ 1% 1%
PR 1% 1%
PAA 1% -
PSD 1% -
Të pasigurt 12% 19%
Pa përgjigje 4% 4%