E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrihet pakti me italianët për TEC me qymyr dhe linjën nënujore

 

Qeveria italiane do të vazhdojë të financojë një sërë projektesh energjetike në vend. Kreu i Ministrisë së Energjetikës Genc Ruli dhe homologu i tij italian, Claudio Scajola, kanë nënshkruar dje marrëveshjen për integrimin e sistemeve elektrike dhe të gazit natyror. Po dje në një prononcim për “Top Channel”, Scajola ka theksuar se Shqipëria nuk duhet të mbështetet tek energjia bërthamore por duket të shikojë alternativa të tjera si, psh të prodhojë energji me anë të qymyrit. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, kreu i OST, Balla ka sqaruar me detaje të gjithë projektet energjetike në vend. “Projektet, për të cilat jemi mbledhur për të përuruar fillimin e kontratave, janë objektet më të rëndësishme për fuqizimin e sistemit të transmetimit shqiptar dhe lidhjen e tij me sistemin ballkanik dhe më gjerë. Këto projekte do të konsolidojnë zhvillimin dhe integrimin e këtij sektori në UCTE dhe do të ngrejë atë në nivelin e Sistemeve Transmetues Evropiane”, u shpreh dje kreu i operatorit të sistemit të transmetimit të energjisë Ymer Balla. Konkretisht projekti i parë ka të bëjë me ndërtimin e Qendrës së re Kombëtare dispecer dhe godinës së re të OST sh.a. Kontrata e cila i është besuar kompanisë ABB/Falcione është firmosur në qershor të vitit 2008 dhe ka një vlerë prej gati 22 milionë euro. Parashikohet që faza e parë të përfundojë brenda mesit të vitit 2011. Projekti i dytë ka të bëjë me ndërtimin e linjës 400 kV Tiranë–Elbasan, si pjesë e linjës së interkonjeksionit 400 kV Elbasan–Podgoricë. Linja e interkonjeksionit, përveç se do të fuqizojë rrjetin tejet të mbingarkuar të transmetimit Shqiptar, do të përmirësojë së tepërmi sigurinë e operimit të sistemit elektroenergjetik shqiptar. Projekti për ndërtimin e nënstacionit 400/220/110 kV Tirana 2 (Kashar) është gjithashtu një vepër tepër e rëndësishme për fuqizimin e sektorit elektroenergjitik shqiptar. Objekti me një vlerë gati 24 milionë euro do të shërbejë për fuqizimin e rrjetit elektroenergjitik shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›