Të përndjekurit: PD të na japë 20 vende për deputetë
ADI SHKEMBI
Të përndjekurit politikë i kërkojnë PD-së 20 vende për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Në konventën e dytë mbarëkombëtare u miratua një deklaratë me shtatë pika, ku kjo shtresë zyrtarizon daljen me PD-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe i kërkon maxhorancës të nisë sa më shpejt dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Sekretari i përgjithshëm i kësaj shoqate, Besim Ndregjoni, tha në një prononcim për gazetën “Panorama”, se kërkesa me shtatë pikat i është dërguar edhe Kryeministrit Berisha.
Kërkesa
Në pikën e parë të saj thuhet se konventa në mbledhjen e djeshme vendosi me unanimitet që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kjo shoqatë do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike. Sipas sekretarit të përgjithshëm, Besim Ndregjoni, kjo shtresë ka 350 mijë votues që e mbështesin dhe në këto kushte i kërkon Partisë Demo-kratike 20 vende për kandidatët e saj për deputetë. “Kandidaturat tona janë potenciale akademike universitare me një moral dhe fisnikëri të lartë kombëtare dhe përfaqësojnë votuesit fisnikë, pronarë dhe qendrestarë të diktaturës komuniste, përfaqësojnë 350.000 votues të kësaj popullsie. Eshtë koha e ballafaqimit me të vërtetën. Eshtë koha e vlerave. 20 kandidatët tanë janë potencialë që i shërbejnë kombit dhe shoqërisë”, thuhet në deklaratën e ish të përndjekurve. Paralelisht me ambicien e tyre politike, të shprehur për herë të parë publikisht nëpërmjet vendimit të konventës, të përndjekurit i kanë kërkuar qeverisë, që segmente të caktuara të saj, të ndalin veprimet për ta përçarë shoqatën e tyre. Në të njëjtën kohë ata kanë përsëritur kërkesën e vazhdueshme për nisjen e dëmshpërblimit për vitet e burgut. “I kërkojmë kryeministrit urgjentisht në zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë dhe statusit të të përndjekurve politikë, të fillojë menjëherë dëmshpërblimi i pafajësisë sonë. Dëmshpërblimi është kushtetues dhe detyrues për qeverinë. Të fillojë menjëherë rikthimi i të gjithë të përndjekurve politikë në qeverisjen e vendit, të cilët në vitet ’97-’98 janë pushuar nga puna vetëm për motive politike. I kujtojmë qeverisë se ne kemi kapacitete intelektuale, njerëzore për të qeverisur dhe për t’i dhënë shoqërisë zhvillime të barabarta me vendet demokratike evropiane”, vijon më tej deklarata. Gjithashtu sipas shoqatës së të përndjekurve politikë, klasa politike po hesht ndaj dënimit të krimeve të komunizmit, e cila sipas tyre do të sjellë paqen sociale në vend. Zbatimi i kësaj rezolute, theksoi sekretari i përgjithshëm, Besim Ndregjoni, spastron nga institucionet kushtetuese individët e inkriminuar që i kanë shërbyer sistemit të kaluar. “Ne i kërkojmë maxhorancës se nuk mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme pa aprovuar ligjin e Lustracionit, i cili t’i shërbejë dekomunistizimit të shoqërisë dhe jo politikës. Një ligj në përputhje me rezolutën e A.K.E. për dënimin e krimeve të komunizmit”, vijon më tej deklarata. Në fund ajo mbyllet me një falënderim për SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe ambasadoren çeke në Tiranë, të cilët sipas të përndjekurve kanë dhënë mesazhe inkurajuese për të përndjekurit në Shqipëri.