Dëmshpërblimi, shtohen përfituesit
BLEDAR HOTI
Ministria e Drejtësisë ka paraqitur ndryshimin e 12 neneve të ligjit aktual “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Nga dëmshpërblimi do të përfitojnë edhe ata persona që janë dënuar nga regjimi komunist për krime kundër njerëzimit, si dhe janë dënuar për veprimtarinë e kryer përpara çlirimit të vendit. Këto propozime të reja shtesë zgjerojnë rrethin e përfituesve, duke bërë që skema e dëmshpërblimit të kësaj shtrese të zgjerohet akoma ndër vite. Ministria ka pranuar propozimin e deputetit Bushati për zgjerimin e kategorive për të përfituar vëllezërit e motrat. “Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave”, thuhet në amendimin e nenit 8 të ligjit aktual. Në amendimin e paraqitur nga ana e ministrisë shtohet edhe përfitimi i atyre kategorive, personave që janë internuar në kampe të rrethuar me tela me gjemba. Për të përfituar këtë masë të dëmshpërblimit duhet që të “paraqitet akti administrativ apo dokumenti zyrtar që provon internimin në kampe me rrethim me tela me gjemba”. Gjithashtu parashikohet që të përfitojnë me këtë edhe të gjithë ato persona që janë dënuar nga neni 259 i Kodit Penal të vitit 1952, “Kalim i paligjshëm i kufijve të shtetit”. Një ndër pikat e shtuara është edhe përfitimi nga dënimet e kryera mbi bazën e këtij Kodi, për veprën penale të sabotimit, agjitacionin e propagandën kundër pushtetit popullor.
Kodet Penale
Ekspertja e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhafellari, ka paraqitur një pjesë të veprave penale të nenit 3 të ligjit “Mbi fajet kundër popullit dhe shtetit”. Sipas saj, veprat penale që përfshijnë dënimet që janë “konsideruar sidomos fajtorë të fajit penal kushdo që bën krime lufte, ai që në kohë lufte okupacioni armik, nxit, organizon, urdhëron, ndihmon ose kryen direkt vrasje, dënime me vdekje ose zbatimin e tyre, burgime, tortura, shpërngulje me dhunë, ose dërgime në fushatë përqendrimi”. “Gjithashtu përfshihen ai që urdhëron të kryejë djegie apo prishje ose plaçkitje të pasurisë private ose publike. Ai që bëhet funksionar i aparatit terrorist, ose i formacioneve policore të armikut, ose nëpunës i burgjeve të tij, i fushave të përqendrimit ose të punës tij. Ose vepron në mënyrë çnjerëzore kundër shtetasve shqiptarë dhe robërit e luftës, ose bën një vepër tjetër që formon krime lufte”. Ndërsa neni 12 i këtij ligji përfshin këtë dispozitë, se “dënohet kushdo që vret një ushtarak ose një përfaqësues të popullit në organet shtetërore, një punonjës i këtyre organeve me rastin për shkak të kryerjes së detyrës së tij zyrtare dhe kushdo që vret një person të kategorive të sipërme të vendeve aleate ose miq”.
ndryshimet e miratuara
Neni 4
Në nenin 5 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në shkronjën “c”, në nenin 3 shtohen pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 14 si dhe neni 6 i ligjit nr. 372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit”
2. Në shkronjën “ç” në fund të fjalisë shtohen fjalët “si dhe në nenin 3 të ligjit nr. 1209, datë 10.01.1951 “Mbi mbrojtjen e paqes ndërmjet popujve”
3. Në shkronjën “d” dispozitat ekzistuese të Kodit Penal të vitit 1952 ndryshohen si më poshtë: Neni 71 “Sabotimi”; Neni 72, “Agjitacioni”; Neni 73 “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve midis kombësive dhe racave ose feve”; Neni 74 “Propaganda e luftës”; Neni 75 “Pjesëmarrje në një organizatë kundër pushtetit popullor”; Neni 82 “Veprimtaria para çlirimit”; Neni 83 “Solidarësia Ndërkombëtare”; Nenet 105, 106, 107 dhe 108 “Krime në lidhje me tatimet dhe detyrimet”;
Neni 226 “Moskallëzim i krimit”, paragrafi i parë për mos kallëzim të një krimi kundër shtetit, të parashikuar në nenet 64, 69, 70, 71, 72, 74, 75, 82, 83 të këtij Kodi.
Neni 259 “Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit”.
Neni 8
Rrethi i familjarëve sipas këtij ligji
1. Në kuptim të këtij ligji me familjarë nënkuptohen pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish të dënuarit politikë, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave”.
2. Familjarët , në shkallë më të parë sipas Kodit Civil përjashtojnë familjarët e tjerë”.
Neni 6
Në nenin 19 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 1 fjalët “Brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji” zëvendësohen me fjalët “Brenda datës 01.07.2009”.
2. Në pikën 2 fjalët “brenda afatit 1 vjeçar” dhe “kur ka kaluar mbi 1 vit nga hyrja në fuqi e këtij ligji” zëvendësohen respektivisht me fjalët “brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni” dhe “pas datës 01.07.2009”.
Neni 7
Në nenin 20 bëhen shtesat e mëposhtme:
1. Në shkronjën “c)” pas fjalëve “aktin e internimit” shtohen fjalët “ aktin administrativ apo dokumentin zyrtar që provon internimin në kampe me rrethim me tela me gjemba”.
2. Në paragrafin e fundit shtohet fjalia me përmbajtje si më poshtë:
“ Në këto raste kërkuesi paraqet dokumentacionin që provon lidhjen familjare me ish të dënuarin politik si dhe dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues të parashikuar në nenin 8 të këtij ligji janë gjallë”
Neni 8
Në paragrafin e dytë të nenit 23 fjalët “në përfundim të afatit 1 vjeçar” zëvendësohen me fjalët “ pas datës 01.07.2009”.
Neni 9
Në nenin 32 fjalët “brenda 15 muajve” zëvendësohen me fjalët “brenda 21 muajve”