Tapitë e legalizimeve,datat e shpërndarjes sipas qyteteve, jepen edhe 6620 leje pallatesh
Fabiola Çela
Gati legalizimi i pallateve me shtesa në Tiranë. Agjencia e legalizimit ka përfunduar së përgatituri dosjet për dhënien e lejes së legalizimit për disa pallate më shtesa në kryeqytet. Ditën e nesërme drejtues të ALUIZNI-t pritet të ndajnë lejet e legalizimit për 6620 pallate me shtesa informale. Ndërkohë sot gazeta boton të plotë grafikun e shpërndarjes së lejeve të legalizimit për ndërtimet informale në të gjithë vendin. Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t kanë plotësuar dokumentacionin e dosjeve të legalizimit për çdo objekt informal, si dhe kanë njoftuar qytetarët për shpërndarjen e lejeve të legalizimit sipas afateve të fiksuara në këtë kalendar.
Grafiku
Ditën e sotme drejtues të agjencisë së ALUIZNI-t pritet të ndajnë lejet e para të legalizimit për ndërtimet informale në qytetin e Shkodrës. Sipas grafikut të ALUIZNI-it, shpërndarja e lejeve të legalizimit do të vazhdojë deri më datën 7 prill, ku do të jepen tapitë e para në shumë qytete të vendit si Vlora, Kavaja, Berati etj. Për këto qytete është përgatitur dokumentacioni tekniko-ligjor, në të gjithë territorin e vendit. Aktualisht, në mbarë vendin janë në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën përfundimtare të likuidimit të detyrimeve financiare nga qytetarët. Deri në këtë moment ALUIZNI ka përmbyllur plotësimin e dosjeve dhe ka gati për pajisje me leje legalizimi 4 504 objekte, për të cilat qytetarët kanë shlyer detyrimet financiare. Legalizimi i këtyre pasurive informale do të pasohet nga procesi i regjistrimit të tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në funksion të përfshirjes së tyre në sistemin kombëtar të regjistrimit dhe pajisjes me tituj pronësie brenda afateve të parashikuara në kuadrin ligjor.
Pagesa
Kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 4000 lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qeveria ka vendosur edhe kushte lehtësuese për qytetarët, ata që do të paguajnë menjëherë me para në dorë vlerën e legalizimit të objektit të tyre do të kenë 20 për qind ulje të vlerës totale.
KALENDARI I AKTIVITETEVE PËR SHPËRNDARJEN E LEJEVE TË LEGALIZIMIT
DT. AKTIVITETIT DITA ORARI QARKU/RRETHI
11. 03.2009 E Mërkurë 11.00 Shkodër
12.03.2009 E Enjte 11.00 Tiranë
13.03.2009 E Premte 11.00 Elbasan
17.03.2009 E Martë 11.00 Vlorë
18.03.2009 E Mërkurë 11.00 Sarandë
19.03.2009 E Enjte 11.00 Lezhë
20.03.2009 E Premte 11.00 Durrës
24.03.2009 E Martë 11.00 Berat
25.03.2009 E Mërkurë 11.00 Tiranë
26.03.2009 E Enjte 11.00 Fier
27.03.2009 E Premte 11.00 Korçë
30.03.2009 E Hënë 11.00 Lushnjë
31.03.2009 E Martë 11.00 Pogradec
01.04.2009 E Mërkurë 11.00 Kavajë
02.04.2009 E Enjte 11.00 Gjirokastër
03.04.2009 E Premte 11.00 Kukës
07.04.2009 E Martë 11.00 Dibër
Pronat, Madhi: Qeveria të tërhiqet
BLEDAR HOTI
Republikanët i kërkojnë qeverisë që ta tërheqin nismën e re për ndryshimin e ligjit “Për Kthimin e Kompensimin e Pronarëve”. Kreu i grupit parlamentar të PR-së shprehet se kjo është në kundërshtim me interesat e pronarëve dhe se nuk duhet të përsëritet gabimi që u bë me ligjin 7501 “Për tokën”.Zoti Madhi, pse keni kundërshtuar propozimet e reja qeverisë për ndryshimet e ligjit “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave?
Kemi arsye të mjaftueshme për të mbajtur një qëndrim kundër projektligjit. Do të dëshironim që për të njëjtat arsye, shumica në Parlamentin shqiptar të votonte kundër një projektligji të tillë. Arsyet tona mbështeten në disa faktorë shumë të rëndësishëm që e bëjnë lehtësisht projektligjin të cenueshëm nga pikëpamja e miratimit të tillë. Së pari, nga pikëpamja politike, jemi shprehur qartazi se projektligji nuk përfaqëson drejtimin, të cilin qeveria ua kishte premtuar shumicës së shqiptarëve në raport me kthimin dhe kompensimin e subjekteve të shpronësuara. Për më tepër, nga pikëpamja politike, ky projektligj dëmton rëndë dhe besimin e pronarëve në seriozitetin e angazhimit të maxhorancës qeverisëse, për të ndërmarrë reforma që do të garantonin një proces të drejtë të kthimit dhe kompensimit të pronave. Nga ana tjetër, lehtësisht në këtë projektligj konstatohet se i mungojnë argumentet lidhur me objektivin që synon ai. Ky projektligj, në mënyrë të dukshme pretendohet se orientohet drejt objektivit për të ndihmuar, apo për t’u ardhur në ndihmë interesave të pronarëve. Në këtë pikëpamje, është lehtësisht e kuptueshme që shteti ka ndërmarrë veprime në interes të pronarëve, por duke mos sjellë asnjë argument se sa ai është konsultuar me pronarët? Sa i ka vënë në dijeni ato dhe pse cilësohet se është në dobi të pronarëve? Kur ne mendojmë dhe besojmë, se më mirë se kushdo për dobinë mund të shprehen vetë pronarët.
Nëse ky projekt sipas argumenteve të relacionit të qeverisë sjell një mundësi që të ardhurat që do të realizohen nga shitja e trojeve të shoqërive tregtare, troje, të cilat janë në pronësi të subjekteve të shpronësuara, pra këto të ardhura do t’u kthehen menjëherë pronarëve, të mos harrojmë për asnjë rast, se çmimin e kthimit dhe shitjes së këtyre trojeve në favor të qiramarrësve apo përdoruesve të trojeve nuk është realisht çmimi i tregut aktual. Ai është një çmim tregu i vendosur me vendim të Qeverisë, sigurisht me këtë rast kemi një gjykim të njëanshëm. Nëse do të kishte një qëndrim pro pronarëve, ai duhet të ishte vetëm që pronarëve t’u krijohen kushte maksimale që t’i gëzojnë dhe disponojnë lirisht pronën e tyre.
Atëherë ku synon ky projektligj, sipas jush?
Një objektiv i dukshëm, jo i trajtuar nga qeveria është fakti që qeveria kërkon t’i kërkojë lehtësira dhe favore subjekteve të treta private. Dhe kemi arsye të mjaftueshme të jemi bindur në këtë synim të qeverisë, sepse privatët e ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe nuk pengohen në ushtrimin e nevojave të tyre, por e zhvillojnë në truall që e kanë me qira ose në përdorim. Përse në projekt projektligj nuk jepen argumente se përse u duhen shitur menjëherë këto troje privatëve? Aq më tepër që me çmime që nuk janë të përputhura me çmimin e tregut. Mos vallë kjo do të krijonte situata të papranueshme, për faktin se një pjesë e këtyre shoqërive tregtare janë në prag të falimentimit të tyre dhe privilegjet që mund të përfitoheshin nëpërmjet këtij ligji, duke blerë trojet në përdorim do t’u jepte një mundësi atyre të zhvillojnë industrinë e ndërtimit. Dhe sigurisht në këtë rast trualli do të merrte vlera të jashtëzakonshme jo në favor të pronarëve por në favor të këtyre kategorive. Gjëja e rëndësishme në planin juridik, ky projektligj nuk është i harmonizuar me kuadrin ligjor ekzistues. Sipas kuadrit ligjor, pronarët e trojeve sot kanë vendimet e komisioneve të pronave që iu njihen trojet e tyre dhe njëkohësisht kanë të drejtën e parablerjes së objekteve shtetërore të ngritura mbi këto troje. Në momentin që qeveria paraqet këtë projektligj dhe nëse miratohet, atëherë qeveria do të asgjësonte të drejtën e pronarëve për t’i blerë objektet. Pra të gjitha vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave që janë dhënë ndër vite për pronarët do të kthehen në një nul. Nuk besoj që pronarët e meritojnë të jenë të mashtruar me kartat, që quhen me vendimet e KKP-ve që do të kthehen në vendime të pavlerë dhe dëm të hapur të interesave të tyre. Unë besoj se me gjithë këto arsye, besoj se kemi mundësi që jo vetëm të shprehemi me votën kundër, por t’i bëjmë thirrje ndërgjegjes qytetare dhe gjuhës juridike të çdo deputeti në Parlamentin shqiptar, të cilët në këtë rast nuk duhet të vështrojnë thjesht në disiplinën politike për të dhënë një votë, sepse atë që mund të bëjnë me këtë ligj nuk do të mund ta zhbëjnë më kurrë. Nëse ato do të pendohen ashtu siç janë penduar edhe me ligjin 7501, pasojat e këtij ligji nuk do të mund të shmangen më. Ky nuk është një ligj, menjëherë qeveria duhet ta tërheqë.
Toro: Shteti po na e merr pronën për tekat e të tjerëve
Shoqata “Pronësi me Drejtësi” e cilëson antikushtetuese dhe të dëmshme për ta ndryshimet e fundit të paraqitura nga ana e qeverisë për ligjin e “Kthimit dhe kompensimit të pronave”. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Agim Toro u shpreh se “prona e tyre nuk duhet të bëhet pre e tekave të shtetit dhe bizneseve që i kanë shfrytëzuar deri tani”. “Pa diskutim që të gjithë subjektet e shpronësuara të cilëve u është njohur e drejta e pronësisë, janë të interesuar që t’u kthehet prona e tyre. Dhe vullneti për ta shitur apo mos ta shitur këtë pronë, i takon pronarit, nuk i takon shtetit për të plotësuar tekat dhe interesat e të tretëve. Ky është një qëndrim as më shumë as më pak antipronarë që bëhet për interesa të tjera, por jo për interesa të zgjidhjes së problemit të pronave”, deklaroi Toro. Sipas tij, qeveria duhet të ndalojë nisma të tilla, pasi dhe shitja e trojeve të ish-pronarëve mund të sjellë një përfitim të pakët në vlera monetare më pas nga shpërndarja që mund të realizojë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Fondi që mund të krijohet cilësohet nga Toro si i pakonsiderueshëm, pasi qeveria ka ndryshuar ëmimet e trojeve. “Absolutisht është i pamjaftueshëm. Duke pasur parasysh që në nëntor të vitit 2008 qeveria bëri dhe një lëvizje duke ulur çmimin e pronave të pronarëve sipas vullnetit të saj, duke bërë një shkelje shumë të rëndë të ligjit, sepse nuk u zbatua metodika e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për mënyrën e përcaktimit të ëmimeve”, theksoi Toro.