Elbasan, 100 kërkesa për hidrocentrale mbi lumin Devoll
Shkon në 100 numri i kërkesave të depozituara për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në Prefekturën e Elbasanit. Lajmi i mirë, pas studimeve të përbashkëta, është shumë premtues, përderisa energjia e prodhuar prej tyre është e barabartë me trefishin e energjisë që konsumon sot ky qark. Sipërmarrësit privatë mësohet të kenë depozituar në Zyrën e Baseneve të Lumenjve Shkumbin e Devoll afro 100 kërkesa për prodhimin e energjisë elektrike nga resurset lumore dhe burimet natyrore. Një nismë e tillë ka nisur që para dhjetë vjetësh, por kurset politike dhe burokracia qeverisëse ka bërë që kërkesat për ndërtimin e hidrocentraleve lokalë të mbeteshin nëpër dosje që nuk hapeshin kurrë. Sipas përgjegjësit të Baseneve të Lumenjve Shkumbin e Devoll, Platon Gani, janë depozituar dhe po trajtohen brenda hapësirave të legjislacionit shqiptar afro 100 kërkesa për ndërtimin e hidrocentraleve lokalë me koncesion. "Pas studimit të tyre nga specialistët, rreth 85 dosje i janë përcjellë dikastereve në qendër, nga ku pritet miratimi i tyre", ka pohuar inxhinier Gani. Sipas tij, janë duke u studiuar të gjitha kërkesat private për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël lumorë në Shkumbin dhe Devoll. Mund të veçohet se gjeografia e baseneve të këtyre lumenjve nuk njeh kufij rrethesh apo qarqesh, por është e shtrirë dhe po punohet me plane studimore për vaditje e energji hidrike përgjatë rrjedhës së tyre që përshkojnë edhe Qarkun e Korçës. Sipas specialistëve, fuqia prodhuese e hidrocentraleve që kërkohet të ndërtohen kap shifrën 140 Megavat/orë. Përllogaritjet e inxhinierëve të Këshillit të Baseneve të Elbasanit thonë se vetëm në territorin e qarkut mund të prodhohen mbi 700 milionë kilovat/orë, që është trefishi i konsumit të Elbasanit, përfshirë brenda kësaj kuote edhe konsumin e zonës industriale. "Ne kemi llogaritur si rendiment vetëm shfrytëzimin e tyre për 210 ditë të një viti, pasi pjesën tjetër kohore e kemi kaluar në dispozicion të vaditjes për tërë sipërfaqen që do të mbulojnë këto vepra hidroenergjetike", ka pohuar Gani. Aktualisht mësohet se së paku janë 15 hidrocentrale lokale, mes të cilëve ai i Gjançit e Vithkuqit në Korçë, i Holtës në Gramsh, Labinotit e Gostimës në Elbasan, i Xhyrës e Hotolishtit në Librazhd, të cilët kanë nisur punën. Ndërkohë, mësohet se nuk ka shumë ditë që një grup investitorësh italianë dhe shqiptarë kanë marrë lejen për një investim gjigant përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin, me vlerë afro 250 milionë euro, vetëm për fazën e parë. Investimi në fjalë mbështetet nga "Carralio-Grup", e cila ka zgjedhur pikërisht rrjedhën e lumit Shkumbin për këtë investim.