E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrin në 300 milionë lekë, dëmi i kryebashkiakut

28/03/2005  Himarë

VLORË - Ka arritur në 300 milion lekë të vjetra dëmi i shkaktuar nga vjedhjet dhe abuzimet e ish-dy zyrtarëve të bashkisë së Himarës, të arrestuar tre ditë më parë.

Informacioni jepet nga autoritetet e akuzës lokale, të cilët po hetojnë mbi atë ç’ka ka ndodhur me fondet dhe me trojet në Himarë. Burimi i prokurorisë tregon se hetimet vazhdojnë intensivisht dhe se të tjera shkelje e vjedhje priten të deklarohen ditët e ardhshme. Nga momenti i arrestimit, prokuroria e Vlorës vazhdon të marrë në pyetje dy të arrestuarit, ish-bashkiakun Viktor Mato, si dhe shefin e financës, Thoma Çelo.

Është pritur një bashkëpunim nga ana e akuzës me dy të ndaluarit, por më kot. Ata nuk e kanë pranuar akuzën e prokurorisë, dhe e kanë quajtur të saisur me arsye politike e hakmarrje ordinere. Ndërkaq, kanë dalë dhe disa pika të reja konkrete ku është abuzuar dhe vjedhur. Tokat e gjirit të SPILLESË, një vend mjaft tërheqës, i janë dhënë nga ana e bashkisë me para në dorë, disa firmave nga Tirana, edhe pse aty kishte një pronar të vjetër i cili ende vazhdon gjyqeve për të fituar të drjetën e tokës me një sipërfaqe prej 6000 m katrorë. Çmimi i kësaj toke është dhënë nga bashkia me 22.000 lekë të vjetra, por edhe kjo shumë nuk rezulton e arkëtuar në arkën e Bashkisë së Himarës, me preteksin se kanë humbur faturat e tyre.

Një tjetër pazar është bërë me sheshet para piacës së shëtitores së vetme në Himarë. Janë dhënë me qera nga ana e bashkisë, por edhe këtu asnjë lek nuk është derdhur në bashki, edhe pse ka një kontratë të rregullt. Prokurorët tregojnë, se bëhet fjalë për rreth 2000 m katrorë shesh para detit, që operohet edhe sot nga privatët, kundrejt kontratave të rregullta. Madje, privatët kanë edhe faturat e derdhjeve të parave në arkën e shtetit,por në arkë nuk gjenen para të tilla. Në tre vjet, bashkia e Himarës ka dhënë me mijëra leje ndërtimi ku 2% e objekteve si dhe taksat në ndërmarrjet e elektrikut ,ujësjellësit, zjarrfikseve, mjedisit, pothuajse nuk figurojnë kur llogaritet, që për një leje ndërtimi pagesa e institucioneve të lartpërmenduar, shkon rreth 300.000 lekë të vjetra. Në proçes do të angazhohen mjaft prokurorë e ekspertë finance, që mund të nxjerrin shumën e saktë të vjedhjeve të kryera nga ana e bashkisë së Himarës, nën drejtimin e Matos e Çelo. “Jemi të vendosur, thotë prokurori Çano, që këtë çështje ta çojmë deri në fund, pasi një vjedhje e tillë kaq banale, nuk është parë asnjëherë më parë dhe ne duam që tu themi nëpunësve që askush nuk mund të tallet me financat publike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›