E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrin në12 tonë sasia e kafesë kontrabandë

24/02/2005  SHKODËR - Bllokohen edhe 6 tonë të tjera kafe kontrabandë në Malësi të Madhe. Përveç 6 tonëve të kafesë, që u kapën një ditë më parë, në një kamion tip Skania, në fshatin Vrakë, të Malësisë së Madhe, që solli si pasojë ndalimin e shtetasve Albert Vuksani, Artur Brocaj, Arben dhe Lekë Rama, që të gjithë nga fshati Bajzë i Malësisë së Madhe, blutë e Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe kanë vazhduar operacionin e tyre edhe gjatë orëve të vona të natës të së martës, duke bërë të mundur evidentimin dhe sekuestrimin e 6 tonëve të tjerë të kafesë, në një magazinë që ndodhej jo shumë larg, pas komisariatit të policisë së Malësisë së Madhe. Sasia e kafesë e ardhur kontrabandë nga Mali i Zi ishte dërguar në atë magazinë nga shtetasit e kapur një ditë më parë dhe ishte mbuluar me kashtë. Pas verifikimit të kësaj kontrabande po hetohet për të gjetur pronarët e vërtetë të sasisë së kafesë së kapur, si dhe janë vënë në dijeni homologët e Malit të Zi për të marrë masa në zbulimin e kontrabandistëve të atij vendi, që e sollën kafenë me skaf, nëpërmjet liqenit të Shkodrës, si dhe për të verifikuar se ky trafik ka filluar të hedhë rrënjë në këtë linjë. Operacioni i tri ditëve më parë, ku u kapen 6 tonët e para të kafesë kontrabandë dhe u ndaluan 4 shtetasit nga Bajza, u bë pas marrjes së disa informacioneve në rrugë operative për kontrabandën që po bëhej në bregun e liqenit të Shkodrës. Vite më parë kontrabanda e kafesë kishte kah të kundërt. Në mesin e viteve ’90 e deri në fund të ’97 kanë qenë autoritetet policore malazeze që kanë kapur e sekuestruar sasi pa fund kafeje që kalonte kontrabandë nga shtetasit shqiptarë në shtetin fqinj të Malit të Zi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›