E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve nuk pranon zgjerimin e numrit të deklaruesve të pasurive

24/02/2005  Alibali kërkon që drejtuesit e OJQ-ve të publikojnë burimin e të ardhurave

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka hedhur poshtë kërkesën e deputetit të PR-së, Neritan Alibali, mbi përfshirjen dhe të personave publikë në ligjin për deklarimin e pasurive. Sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste, pranimi i një vendimi të tillë do të thotë shkelje e të drejtave të njeriut. Madje, gjatë diskutimeve, u theksua se kërkesa e Alibalit sjell zgjerimin në mënyrë të paparashikuar rrethin e shtetasve, që do të deklarojnë pasuritë. Kjo jo vetëm do të sjellë pamundësinë për të kontrolluar të gjitha deklaratat, por do të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën, e cila parashikon garantimin e të dhënave personale, ku përfshihen dhe të ardhurat financiare. Megjithatë përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë kërkuar që amendamentet e draftit të paraqitur prej Alibalit të përfshihet në projektligjin e konfliktit të interesave, i cili synon minimizimin e korrupsionit në Shqipëri.

Propozimi

Sipas propozimit të Alibalit, "drejtuesit e organizatave jofitimprurëse, shpenzimet për aktivitetin vjetor të të cilave e kapërcejnë shumën e 30 mijë dollarëve, pronarët e mediave audiovizive dhe botuesit e gazetave, të niveleve lokale dhe kombëtare, personat publikë që me veprimtarnë e tyre influencojnë mbi opinionin publik dhe administratën, të ardhurat e të cilëve janë të barabarta, ose më të mëdha se paga e një deputeti, duhet të deklarojnë pasuritë". Alibali ka pretenduar se së fundi janë hedhur shumë akuza për përfshirjen në korrupsion të personaliteteve të përfshira në OJF dhe në aktivitete të tjera publike. Ndaj, ai ka kërkuar që dhe këta përfaqësues të shoqërisë shqiptare të deklarojnë pasuritë e tyre. Alibali kërkoi dje që për propozimin e tij të mos ketë votim, por partitë politike ta miratojnë atë me konsensus mes palëve.

Kundërshtimi

Përfaqësuesit e mazhorancës dhe ata të opozitës e kanë përshëndetur qëllimin e iniciativës së Alibalit, por janë shprehur se ajo është në kundërshtim me të drejtat e Njeriut si dhe me Kushtetutën e vendit. Madje, duke risjellë debatin e zhvilluar me ligjin për deklarimin e pasurive, anëtarët e Komisionit të Ligjeve janë shprehur se Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive do ta ketë të pamundur të kontrollojnë më shumë se 6 mijë deklarata. Sipas përfaqësuesve të PS-së, miratimi i amendamentit të Alibalit do të sjellë rritjen e paparashikuar të deklaruesve të pasurive. Duke parë se propozimet nuk kanë gjetur konsensusin e kërkuar, Alibali ka preferuar të tërheqë projektligjin, duke theksuar se në diskutimet për konfliktin e interesave do të kërkojë implementimin e amendamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›