E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasjet të karakterit psikologjik

24/02/2005  Filozofi dhe sociologu i njohur shqiptar komenton vetëvrasjet e ditëve të fundit

Është bërë shqetësues fakti, se kohët e fundit kanë ndodhur disa vetëvrasje në mosha të reja, të cilat kanë plotesuar akte të tilla, të kryera nga të rritur. Për të gjykuar drejtë dhe shkencërisht lidhur me to, duhen njohur konkretisht rastet e dhëna dhe futur në përdorim teknikat shpjeguese, që kanë përpunuar shkencat shoqërore perëndimore. Nuk gjenden arsyet në disa slogane të papërgjegjshme, kur për të prodhuar një shpjegim sipërfaqësor thuhet se ndodhin nga tranzicioni, nga stresi, nga varfëria etj. Nuk duhet harruar se shkaku themelor i vetëvrasjeve është gjendur statistikisht te fakti i individualizimit ekstrem, të jetës së personit. Qenia njerëzore është bërë për të jetuar brenda një strukture elementare, solidare, shoqërore. Jashtë saj, në kuadrin e shpërbërjes së shpejtë të lidhjeve shoqërore, lind rreziku që individi të humbas lidhjet me vlerat, me mekanizmat, që e mbajnë lidhur me shoqërinë, pranë jetës. Njeriu është qenie shoqërore dhe e përballon me vështirësi vetminë, izolimin dhe kthimin në një atom të izoluar. Këtu shtohet edhe një rrethanë tjetër, që është shpërbërja e strukturave familjare, ku familja humb rolin e një mjedisi konforti, qetësie, edukimi dhe sigurie. Sidomos fëmijët e ndjejnë shumë ndarjet dhe konfliktin familjar, si dhe zbehjen e lidhjeve afektive në familje. Përpos kësaj, shkolla, familja, opinioni publik, qendrat e edukimit, që në fakt nuk ekzistojnë, as që iu afrohen minimalisht problemeve psikologjike të adoloshentëve, sidomos në periudhën paramenstruacionale, që shkakton depresione të ndryshme, shpesh herë shumë të thella. Ndërkaq nuk është feja në vetvete ajo, që mëson vetëvrasjen. Feja ka lindur si një kundërveprim, për ta larguar nga prirjet vetëvrasëse, sepse njeriu është nga të rrallat qenie të gjalla, që vetëvriten. Tjetër është ajo, që bëjnë sektet, por duhet mbajtur parasysh se po vetëvriten edhe individë, që nuk kanë asnjë kontakt me fenë. Kujdesi i shoqërisë duhet të jetë i madh, sepse është provuar se vetëvrasjet shkojnë zinxhir dhe kanë efekte kontaminuese, infektuese. Ne Mesjetë njihen raste, kur në histeri e sipër janë vetëvrarë lagje të tëra. Ndërkaq, mos harrojmë se zbrazja e ndërgjegjes nga vlerat, konsumizmi dhe materializmi i shfrenuar, e bëjnë njeriun të humbasë vetëdijen dhe ta konsiderojë largimin vullnetar nga jeta si një lloj loje, pushimi, shlodhjeje. Atje ku këto rrethana bashkohen në mënyrë virulente, individi rrezikon ti jepet vdekjes. E kam deklaruar edhe herë të tjera, statistikisht në botën e sotme, nuk vriten më shumë të varfërit sesa të pasurit dhe se reforma ekonomike, nuk ka mbajtur parasysh përmasat psikologjike të ndryshimit shoqëror. Zoti na ruajt nga ngjarje të tjera të dhimbëshme si këto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›