E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banorët në protestë kundër shtëpisë publike

24/02/2005  “Klientët” keqtrajtuan një banor të lagjes

DURRËS - Rreth 250-300 banorë të Kënetës kanë protestuar kundër ekzistencës së një shtëpie publike në mes të lagjes, ku ata kanë ndërtuar banesat e tyre. Ndërsa dje kanë protestuar, një ditë më parë shumë nga banorët ishin konfrontuar me dy të rinj, të cilët, sipas burrave e grave protestuese, janë personat që “kontrollojnë” prostitucionin në këtë shtëpi publike. Grindja mes palëve ka pasuar me shkrehje armësh dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të shmangur gjakderdhjen.

Protestuesit kanë bërë të ditur se në ndërtesën dykatëshe, ku jetojnë një grua me dy vajza, të moshës 18-24 vjeçe, hynin e dilnin, ditën e natën, shumë persona, ndërkohë që burri i shtëpisë lejohej të futej në shtëpinë e tij vetëm me lejen e gruas dhe vajzave. Banesa e lyer me bojë dhe që për nga ngjyra dallonte me të tjerat, është bërë “mollë sherri”, që banorët të dalin në protestë. Banesa gjendet rreth 150 metra në të majtë të autostradës Durrës-Tiranë, te mbikalimi i Shkozetit.

“I madh e i vogël në Kënetë e di se dy vajzat dhe nëna e tyre kryejnë veprime të turpshme me para ditën e natën, brenda shtëpisë dhe në vende të tjera”, thotë Life Ckuti, grua me moshë mbi të 50-tat, e cila ka qenë dje së bashku me tre burra në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, ku ka takuar kryekomisarin e policisë, Muharrem Bardhoci. Ndërkohë që policia e Durrësit ka ndaluar njërin nga personat që është konfliktuar me Vitor Prengën. Sipas burimeve zyrtare mësohet se është ndaluar shtetasi G.Hoxha, 23 vjeç, pasi në banesë i është gjetur një automatik pa leje.

Ngjarja

Është dashur sinjalizimi në sallën operative të policisë, nga banorë të lagjes për kërcënim me armë dhe shkrehje automatiku në mes të lagjes, për të vënë në lëvizje blutë e Durrësit. Ka qenë ora 15.30 e datës 22 shkurt, sipas familjarëve, kur dy persona kanë ushtruar dhunë dhe kanë tentuar të vrasin të riun Vitor Prenga, banor i lagjes së Kënetës. Sipas nënës së djalit, Liza Prenga, e cila ka qenë dëshmitare në ngjarje, dy persona të panjohur, pasi kanë sharë djalin e saj, 22 vjeç, i kanë vënë automatikun në kokë. Britmat e saj dhe të vajzës Arjeta kanë dhënë alarmin në lagje dhe pasi janë afruar te ngjarja shumë burra e gra, të panjohurit kanë lëshuar djalin, ndërsa njëri prej tyre ka qëlluar me armë në drejtime të ndryshme. Liza ka deklaruar, ashtu si dhe banorët, se gjithçka ka të bëjë me përpjekjet e familjarëve për të mos lejuar që në këtë lagje të futeshin persona, të cilët ushtronin prostitucion në një banesë aty pranë.

Shtëpia

Sipas Lizës, pohimet e së cilës janë mbështetur edhe nga burra e

gra të tjera të dalë në protestë, dy vajza, të moshës 18 dhe 24 vjeçe dhe nëna tyre ushtronin prostitucion që prej tre viteve, ndërkohë që ata ishin vendosur në Kënetë 9 vite më parë, ku edhe kishin ndërtuar banesën, të kthyer, sipas banorëve, në qendër prostitucioni. Sipas banorëve, Ndue M., 50 vjeç, jetonte ku mundte në pjesën me të madhe të kohës që kur vajzat e tij

filluan të fusnin në shtëpi burra dhe djem të moshave të ndryshme. Familjarët protestues thonë se në shtëpinë e lyer me ngjyrë të dallueshme nga të gjitha banesat e tjera, natën dhe ditën nuk pushonin së futuri njerëz të panjohur për lagjen dhe pasi qëndronin për shumë orë brenda bënin zhurmë e grindeshin me djemtë e lagjes, duke i kërcënuar të mos flasin. Djali i Tom Prengës, Vitori, dy javë më parë ishte grindur me dy të rinjtë, që në mbrëmjen e së martës i vunë në kokë automatikun dhe qëlluan me armë në mes të lagjes. Sipas nënës së tij, ata e kanë sharë me fjalë nga më të ndyrat dhe i kanë pohuar 22-vjeçarit se do ta vrisnin, pasi Vitori dhe djemtë e lagjes u kanë kërkuar atyre të mos sillen më para banesave të tyre. Banorët janë shprehur të bindur se në banesën e denoncuar, si shtëpi publike, ushtrohej prostitucion, madje një pjesë e tyre thonë se për këtë ka pasur

dijeni inspektori i zonës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›